Kreu demokrat Lulzim Basha edhe këtë mëngjes ka vendosur që tu shmanget pyetjeve të kryeministrit Edi Rama për raportin e Dick Marty, duke zgjedhur ta sulmojë atë me situatën e Covid.

Sipas Bashës spitalet e Covid janë në kolaps dhe Rama sipas tij nuk ka asnjë plan për ta marrë situatën në dorë. Por përgjigjia e kryeministrit Edi Rama, ka qenë e ashpër pasi ky i fundit e ka quajtur përpjekje të ulët të Bashës për ta bërë Covidin pjesë të frontit opozitar. Teksa ka cituar Human Right, Rama thotë se Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë.

"Dje kishim mbi 500 raste të reja të raportuara të koronavirusit në Shqipëri, numri rekord më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Çfarë bën Rama? Asgjë! Ai nuk ka asnjë plan. Spitalet janë në kolaps, të sëmurët dergjen në ambulanca.

Rama ju merr shqiptarëve lekët e taksave, dhe në vend që ti investojë në shëndetësi, jua jep miqve të vet. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve. Ai duhet të largohet. Bashkë do ti fitojmë zgjedhjet, do ta ngremë ekonominë dhe do të sigurojmë ndihmë për çdo familje", shkruan Basha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:48
Balla publikon dokumentin e 'Human Right': PD sot drejtohet nga një hetues i UÇK! Komandantët të mbajnë mend mirë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka publikuar dokumentin e "Human Right" ku shkruan se kryedemokrati Lulzim Basha ka punuar " për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë". 

Balla thotë se komandantët e UÇK duhet të mbajnë mend mirë se Basha largoi të gjithë shqiptarët e Kosovës nga grupi hetimor për të qenë i vetëm. Ai gjithashtu ka përmendur me iniciale dy prej shqiptarëve që kreu i PD-së largoi.

"Partia Demokratike e Shqipërisë sot drejtohet nga një hetues i UÇK! Ne e dimë që Lulezim Basha nuk ka këllqe të zbardhë rolin e tij në palo-raportet që paraprinë Raportin e Dick Marty-t, kur me maskë mbi fytyrë merrte në pyetje komandantët e UÇK. Komandantët e UÇK të mbajnë mend mirë Lulezim edhe pse ti fshiheshe pas maskës dhe largove të gjithë shqiptarët e Kosovës nga grupi hetimor për të qenë i vetëm. Është fakt publik që Lulezim Basha ka larguar shqiptarë të Kosovës si A.P., B.Gj. dhe të tjerë nga hetimi. Siç shkruan HRW, "Lulezim Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë”", shkruan Balla.

Ora 11:07
Rama- Bashës: Me shmangien e përgjigjes për kontributin tënd në raportin e Dick Marty, e pranon më shumë! Dil sqaro popullin

Kryeministri Edi Rama dhe kreu demokra Lulzim Basha po luajnë si macja me miun! Rama nuk i ndahet dhe i bën thirrje kreut demokrat të dalë të flasë për kontributin që ka pasur në raportin e Dick Marty, pasi sipas tij sa më shumë i shmanget kësaj pyetje ai e pranon aq më shumë përfshirjen.

"Lulëzim sa më shumë i shmangesh përgjigjes për kontributin tënd në raportin e Dick Marty,aq më shumë e pranon faktin e tmerrshëm se je pjesë e asaj loje të ulët për njollosjen e UÇK,ndërkohë që unë nuk dua ta besoj këtë dhe të bëj thirrje të dalësh e ta sqarosh popullin shqiptar!

Sharjet e akuzat qesharake për mua si fajtor pse në Shqipëri numrat e të infektuarve po rriten si kudo, s'të mbrojnë dot nga kjo hije e të kaluarës që këto ditë të rênda për Kosovën, vetëm zmadhohet e rëndohet nga bishtnimi yt! Dil sqaro rolin tënd në atë raport të turpshëm", shkruan Rama.

Ora 10:59
Basha i kthehet Ramës: Po të shkulej nga Instagrami, do ta shihte sa e rëndë është gjendja

Kreu demokrat Lulzim Basha i përgjigjet kryeministrit Edi Rama, ku shkruan se ndonëse Shqipëria është në kulmin e infektimit, Rama është mbërthyer pas Instagramit.

 Këtu vijon akuzat duke thënë se të sëmurët familjet dhe mjekët i ka braktisur pa asnjë ndiihmë.

"Rama vazhdon cicërimat në vend që të bëjë detyrën. Shqipëria është në kulmin e infektimit ndërsa Rama është mbërthyer pas Instagramit.

Po të shkulej nga Instagrami, do ta shihte sa e rëndë është gjendja. Të sëmurët, familjet dhe mjekët i ka braktisur pa asnjë ndiihmë. Rama shkatërroi ekonominë dhe tani po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve. Edhe sa shqiptarë duhet të humbin jetën për fajin e tij?", shkruan Basha.

Ora 10:30
Basha i shmanget por Rama i vë 'gishtin në plagë': S'kalohet me sharje kjo historia e të kaluarës tënde si hetues i UÇK!  Ke hetuar vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama nuk i ndahet kreut demokrat Lulzim Basha, pasi sot teksa ka cituar Human Right, thotë se Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë.

"Lulëzim nuk kalohet me sharje kjo historia e të kaluarës tënde si hetues i UÇK! Dil sqaro popullin!
"Lulzim Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë"
Human Right Watch", shkruan Rama.

Ora 10:02
Rama i ashpër me Bashën: E ulët përpjekja jote për të bërë Covidin pjesë të frontit qesharak opozitar! Sjellje prej kalamai të llastuar që do me çdo kusht lodrën e vet

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet kreut demokrat Lulzim Basha pasi ky i fundit e ka nisur ditën duke e akuzar për keqmenaxhim të situatës së Covid.

Rama i thotë se është e kotë edhe e ulët rrekja e tij për ta bërë Covidin pjesë të frontit opozitar.

"Lulëzim është jo vetëm e kotë po edhe e ulët rrekja jote për ta bërë Covidin pjesë të frontit qesharak opozitar!Kjo luftë është e vështirë për çdo shtet, s'ka si të jetë e lehtë për Shqipërinë,por spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps siç predikon ti dhe lufta vazhdon papushim!

Ti synon panikun dhe çoroditjen me dizinformimet e përditshme, por kjo sjellje mizerabël prej kalamai të llastuar që do me çdo kusht lodrën e vet, do të të kthehet mbrapsht si një shuplakë më shumë nga ky popull që nuk e bën dot për budalla, as ti,as Mona,as Likja e as Saliu", shkruan Rama.