Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri që synon të forcojë ndjeshëm të drejtat e të miturve që kryejnë vepra penale. Ndryshimet dhe shtesat në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur vijnë si nevojë e procesit të integrimit, ku Brukseli kërkon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, duke garantuar një proces penal më të drejtë, më mbrojtës dhe më miqësor për fëmijët.

Projektligji parashikon një sërë garancish të reja procedurale për të miturit e dyshuar apo të pandehur, duke nisur nga e drejta për t’u informuar në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për të drejtat e tyre, që në fazat më të hershme të procedimit. Risi e rëndësishme është përfshirja më aktive e prindit, përfaqësuesit ligjor ose një personi të besuar në proces, si dhe detyrimi për ndihmë juridike falas dhe të detyrueshme për çdo të mitur, pa mundësi heqjeje dorë nga avokati. Po ashtu, garantohet e drejta për përkthim dhe interpretim falas për fëmijët që nuk e kuptojnë gjuhën shqipe.

Një tjetër aspekt thelbësor i projektligjit lidhet me mbrojtjen e të miturve nga traumat e panevojshme gjatë hetimit dhe gjykimit. Parashikohet regjistrimi audioviziv i marrjes në pyetje, zhvillimi i intervistave në ambiente të përshtatura për fëmijë, kufizimi i numrit të pyetjeve dhe përdorimi i profesionistëve të trajnuar posaçërisht. Gjithashtu, burgimi i të miturit përcaktohet qartë si masë e fundit dhe për kohën më të shkurtër të mundshme, duke i dhënë përparësi masave alternative dhe rishikimit periodik gjyqësor.

Projektligji forcon edhe mbrojtjen e të miturve viktima apo dëshmitarë të veprave penale, veçanërisht në rastet e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual, duke sanksionuar parimin e mosndëshkimit për veprime të kryera si pasojë e drejtpërdrejtë e viktimizimit. Në të njëjtën kohë, parashikohen masa të qarta për mbrojtjen e privatësisë, të dhënave personale dhe identitetit të të miturve, përfshirë ndalimin e publikimit të të dhënave që mund të çojnë në identifikimin e tyre në media.

Projektligji vendos si detyrim trajnimin e specializuar dhe të vazhdueshëm të të gjithë profesionistëve të përfshirë në çështje penale me të mitur, si: gjyqtarë, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, avokatë mbrojtës, oficerë të policisë gjyqësore dhe profesionistë të tjerë.