Komisioni i Zhvillimit të Karrierës i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë emërimin e Bledar Valikajt, bashkëshortit të deputetes së PS, si prokuror pranë Prokurorisë e Tiranës.

KLP u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e Valikajt, pasi ky i fundit fitoi gjyqin më 6 shkurt 2019, për t’u emëruar në detyrë.

Ai i ishte drejtuar Gjykatës Administrative në Tiranë, me qëllim kundërshtimin e vendimit të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili në 2015 refuzoi të dekretojë Valikaj nga oficer të Policisë Gjyqësore në Prokuror.

Anëtarët Dollapaj dhe Seiti propozuan pezullimin e marrjes së vendimit para ndjekjes së hapave të tjera gjyqësore për verifikimin e rastit në fjalë.

Bledar Valikaj do të nisë detyrën në prokurorinë e Tiranës, pasi t’i nënshtrohet edhe Vettingut.