Bursat e studentëve, nisin aplikimet
kriteret që duhen, afati 5 nënto

Bursat e studentëve, nisin aplikimet<br />kriteret që duhen, afati 5 nënto
TIRANE- Këtë vit akademik do të mund të përfitojnë bursë nga shteti plot 1900 studentë, të cilët futen për herë të parë në fakultete dhe do të qëndrojnë në konvikt. Mjafton që ata të përmbushin kriterin ekonomik, i cili bazohet në të ardhurat minimale për frymë të anëtarëve të familjes, për ata që jetojnë në qytet.
 
Të gjithë studentët që plotësojnë kriterin ekonomik dhe që duan të përfitojnë bursë duhet të dorëzojnë dokumentet e përcaktuara. Afati i fundit për të 1900 studentët e vitit të parë në mbarë vendin dhe ata mbi 3 mijë të viteve të mëparshme është 5 nëntor 2013, afat në të cilin duhet të kenë dorëzuar dukumentacionin e kërkuar, të cilin e gjeni në tabelën që shoqëron këtë shkrim. Fakultetet kanë njoftuar se afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitin e parë është data 15 dhjetor 2013, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart është data 15 nëntor 2013.

Po sipas fakulteteve vendimet e miratuara nga këshillat bashkiakë apo komunalë jashtë këtij afati janë të pavlefshme. Kriter janë të ardhurat për frymë. Kështu për një familje me 2 persona të ardhurat për frymë duhet të jenë deri 4.600 lekë për të përfituar gjysëmbursë. Nëse të ardhurat janë më të larta se aq nuk mund të përfitonë trajtim financiar nga shteti. Ndërsa nxënësit dhe studentët nga fshati përfitojnë bursë, kur familja përfiton ndihmë ekonomike.

KUSH PERFITON
Bursa e plotë për studentët varion nga 8.900-9.400 lekë. E përfitojnë bursën studentët që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik; studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; Secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që vendoset në konvikt publik; fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut dhe që plotësojnë kriterin ekonomik. Ndërkohë që bursë përfitojnë edhe studentët që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10; studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme me medalje ari; 25 të parët e maturës shtetërore; studentët që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10.

DOKUMENTET QE DUHEN DOREZUAR
-Certifikatë familjare e studentit
-Vërtetim studenti
- Fotokopje e kartës së identitetit të studentit
- Vërtetim i masës së ndihmës që përfiton ose jo familja (seksioni i ndihmës ekonomike në Bashki)
-Për të gjithë pjestarët e familjes që janë në moshën 18 vjeç e lart duhen këto dokumenta që vërtetojnë të ardhurat
e tyre:
- Vërtetim nga qendra e punës në rastin kur janë në marrëdhënie pune (vërtetimi duhet të përmbajë pagën mujore të personit me gjithë
shtesat mbi pagë)
- Vërtetim nga zyra e punës nëse është apo jo i papunë
- Vërtetim që paguhet me pagesë papunësie (asistencë) apo jo në rastin kur është i papunë
- Vërtetim nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për të gjithë pjestarët e familjes për të vertetuar nëse marrin pension të çfarëdo lloji
- Vërtetim nga Zyra e Tatim Taksave në Bashki nëse ndonjë pjestar i familjes ushtron aktivitet privat
-Vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve nëse familja e tij ka të regjistruar aktivitet privat
-Vërtetim nga Drejtoria Rajonale Zyra e Hipotekës për pronë ose traull për të gjithë antarët e familjes
-Vërtetim nga Hipoteka nëse ndonjë pjestar i familjes ka të regjistruar ndonjë pasuri të paluajtshme fitimprurëse
-Vërtetim nga shkolla për motrat apo vëllezerit që janë në marrëdhënie shkolle (në vertetim duhet të specifikohet nëse trajtohet me bursë shteti për vitin
akademik 2013-2014)
-Deklaratë mbi të ardhurat familjare që plotësohet nga kryefamiljari (do të merret pranë zyrës së financës)

Shkrimi u publikua sot (17.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë