LEZHE - Këshilli Bashkiak i Lezhës nuk ka shqyrtuar ende kërkesat për bursat e studentëve, ndërsa është në pritje të vendimit për rritjen e kuotave për këtë njësi vendore nga ana e Drejtorisë Arsimore.

Bashkisë Lezhë i janë akorduar vetëm 7 bursa, ndërsa kërkesat janë dhjetë-fish më të larta. Këshilltarët e djathtë të Bashkisë shprehen se janë në negociata me Drejtorinë Arsimore për zgjidhjen e këtij ngërçi.

“Shtatë bursa mendoj se janë pak, edhe mendoj edhe problemet e atyre që i kanë bërë kërkesat në Këshillin e Bashkisë, pra edhe ne jemi koshient edhe jemi të vetëdijshëm që është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë. Unë mendoj që të shtyjmë këtë pikë të rendit të ditës”, -u shpreh Tonin Uldedaj, kryetar i grupit të Këshilltarëve të djathtë.

Megjithëse shumica e njësive vendore tashmë e kanë bërë shpërndarjen e bursave për vitin e ri shkollor, nxënësit e Lezhës duhet të presin mirësinë e Drejtorisë së Arsimit për të përmbushur deri diku nevojat që ka qyteti i Lezhës për bursa studimi.

(Gre.M/Shqiptarja.com)