Ajri i ndotur ndihet që në hyrje të Bushatit.

Janë 3 stallat e derrave, që të ndërtuara vetëm 200 metra larg banesave të kësaj zone, kanë vështirësuar jetesën e banorëve aty.

Ndoc Molla është njëri prej tyre, që teksa na tregon rreth kalvarit të kaluar në gjykata, shpreh pamundësinë për të jetuar në këto kushte.

“Nuk ka asnjë lloj qetësie.Shkurtimisht me pak fjalë këtu nuk jetohet.Të ikësh ti lëshosh një kompleksi blegtoral industrial derrash të dhënë në kundërshtim me ligjin, të ndërtohet një kompleks në themelet e shtëpive tona që i kemi trashëgim nga të parët tanë" shprehet Molla.

Molla na tregon se në ditët me erë kjo zonë kthehet në të pabanueshme për shkak të stallave të derrave.

“Aromat e këqija shkojnë edhe më larg sa është e planifikuar me ligj jo vetëm tek ne por edhe në fshatin Rranxa nuk ka rehati dhe nuk jetohet, pa llogaritur sëmundjet dhe pasojat" shton Molla.
 
Ndoc Molla sëbashku me banorët e kësaj zone kërkon që gjyqtarët e gjykatës së Lartë, Aleksandër Muskaj, Ardian Nuni, Guxim Zenelaj, Mirela Fana dhe gjyqtarja e shkarkuar pasi u dënua për korrupsion Majlinda Andrea, të hetohen pasi kanë shkelur ligjin, duke dhëne dy vendime të ndryshme për padi me të njëjtin objekt.

"Në këtë dosje janë 3 vepra penale janë paditur 5 gjyqtarë të gjykatës së lartë për shpërdorim detyre për dhënie vendimesh të ndryshme. I bëj thirrje prokurorit të përgjithshëm  të hetojnë sa më parë  nëse kemi shkelur ligjin dhe nëse kemi depozituar  pranë këtij organi një dokument të rremë të dënohemi ne në të kundërt të dënohen ata  gjyqtarë që na kanë mpiksur gjakun për 13 vite dhe na kanë bërë damkën" përfundon Molla.

Banorët e lagjes Mollaj në Rranxa te Bushatit enden prej 13 vitesh në dyert e organeve të drejtësisë për të marrë atë cfarë u takon. 

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com