Sot, Ministri Ditmir Bushati priti ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
në kuadër të ceremonisë përkujtimore  të Holokaustit, duke e cilësuar atë si një nga periudhat më të errëta të historisë moderne.

Ndër të tjera ai theksoi:
“Kur ndalim të reflektojmë mbi këtë ligësi njerëzore, kujtojmë sesi gjithçka filloi nga fjala. Nëpërmjet fjalëve u krijua një rrëfenjë e rreme për hebrenjtë, nëpërmjet fjalëve u ngjiz frika që më pas u shndërrua në urrejtje. Nëpërmjet fjalëve paragjykimet u shndërruan në stereotipe dhe ajo që dikur nuk mund të imagjinohej u shndërruar në mendimin e ditës: në urrejtje të verbër kundër hebrenjve deri në përndjekje e shfarosje të justifikuar.”

Më tej ai foli mbi rëndësinë e  jashtëzakonshme të fjalës  dhe përdorimit të së vërtetës në mediat sociale. Ai nuk vonoi ta rradhisë Shqipërinë si pjesë e zhvillimeve globale, në përpjekje për të ndërtuar një shoqëri të lirë e demokratike.

Ministri më tej u shpreh:
“Ndaj dhe dëshiroj të theksoj se dita e përkujtimit të Holokaustit nuk është vetëm një rast më shumë për t’u ruajtur nga anti-semitizmi por mundësi për një reflektim të thellë për të kuptuar se çfarë sjell urrejtja dhe një politikë përçarëse ndaj atij apo asaj që është ndryshe. Dje ishin hebrenjtë, sot emigrantët, madje edhe shqiptarët kanë qenë dhe në disa vende janë ende pjesë e stereotipeve që tregojnë se sa përtace mund të jetë mendja e njeriut modern kur modifikohet nëpërmjet narrativave fallco.”

Në mbyllje të fjalës së tij, Bushati përmendi edhe promovimin e librit të zonjës Ergas-Faraxhi, një libër me kujtime ku ajo tregon se si shpëtoi duke u strehuar në familjen Shurdha në Shkodër.

Redaksia online
S.K./ Shqiptarja.com