/ATSH-CRI/- "Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe shtimin e shkëmbimeve në fushat e ekonomike-tregtare, kulturore, arsimore etj, për arritjen e rezultateve konkrete", deklaroi Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu gjatë një takimi të premten me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Sipas CRI-së, të dyja palët shkëmbyen mendimet mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kino-shqiptare, bashkëpunimin mes dy ministrive etj.
Gjatë takimit, ministri Bushati tha se miqësia kino-shqiptare është shumë e thellë dhe vitet e fundit marrëdhëniet dypalëshe janë zhvilluar mirë si dhe është bërë përparim në bashkëpunimin në fusha të ndryshme, por ka ende potencial për zhvillim e bashkëpunim.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë është e gatshme të punojë me Ministrinë e Jashtme të Kinës, në përpjekje për të nxitur marrëdhëniet miqësore dypalëshe dhe për arritjen e rezultateve konkrete.
Ambasadorja Jiang pasi përcolli përshëndetjet e përzemërta të ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi nënvizoi se vitet e fundit marrëdhëniet kino-shqiptare janë zhvilluar normalisht, janë shpeshtuar shkëmbimet e nivelit të lartë dhe shtuar shkëmbimet ekonomike-tregtare si dhe ato kulturore.
Dy ministritë e Jashtme do të ruajnë komunikimin dhe koordinimin për forcimin e shkëmbimeve dypalëshe dhe çështjet ndërkombëtare e rajonale, duke luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e zhvillimit të gjithanshëm të marrëdhënieve miqësore kino-shqiptare.
Ambasadorja Jiang nënvizoi gjithashtu se në epokën e re të marrëdhënieve kino-shqiptare ka mundësi te reja zhvillimi.
Jiang shtoi se viti 2015 është një vit i rëndësishëm simbolik për paqen dhe zhvillimin e botës. Vendet përkujtojnë 70-vjetorin e fitimit të Luftës Anti-fashiste dhe 70-vjetorin e themelimit të OKB-së.
Këtë vit, Kina dhe Shqipëria duhet të forcojnë më tej komunikimin dhe koordinimin për çështje të ndryshme ndërkombëtare, duke punuar së bashku për nxitjen e paqes dhe zhvillimit.
Ambasadorja Jiang vlerësoi Shqipërinë për zbatimin në mënyrë aktive të politikave diplomatike dhe fqinjësinë e mirë, duke shtuar se Shqipëria ka luajtur rol konstruktiv për mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të Ballkanit Perëndimor.