TIRANË -Kreu i Delegacionit të BE, Ambasadorja Romana Vlahutin, prezantoi sot para Ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Ambasadorja Vlahutin vuri në dukje se, "Raporti i Progresit për Shqipërinë konfirmon ecurinë pozitive të reformave të evidentuara në Raportin e Qershorit. Komisioni ka vënë në dukje arritjet, por njëkohësisht, ka nënvizuar edhe sfidat, që kanë të bëjnë me dialogun politik, reformën në administratën publike, reformën e gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të drejtat e njeriut".
"Marrja e statusit të vendit kandidat është arritje madhore për Shqipërinë, por edhe një përgjegjësi e madhe, që kërkohet të dëshmohet, veçanërisht para vendeve anëtare, se vendimi për dhënien e statusit ka shërbyer si nxitje për vazhdimin e reformave", tha Vlahutin.
Kreu i Delegacionit të BE, Ambasadorja Romana Vlahutin, prezantoi sot para Ministrit të Punëve të Jashtme Bushati, Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Foto: Agim Dobi
Ndërsa Ministri Bushati në fjalën e tij theksoi se, "statusi i vendit kandidat shërben si inkurajim për përpjekje të mëtejshme në procesin e reformave. Mbetemi përpara një shansi unik për të konsoliduar ritmin dhe zbatimin e tyre në një frymë politike bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse të cilat do të çojnë drejt etapës së radhës, fillimit të negociatave për anëtarësim".
Këto rekomandime të Komisionit Evropian, theksoi ministri Bushati, "përputhen plotësisht me vullnetin e qeverisë për kryerjen e reformës ne drejtësi, vendosjen e sundimit të ligjit dhe se drejtës ne ekonomi, luftën kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe administratën publike, vijimin e luftës tashmë të suksesshme kundër krimit të organizuar, depolitizimin e administratës publike si dhe forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut".
Në vijim të bisedës, Ministri Bushati u shpreh se,"Jam i kënaqur që ky Raport Progresi konfirmon se Politika e Jashtme konstruktive në rajon dhe angazhim krahë partnerëve ndërkombëtar në disa sfida të rëndësishme përbën një aset të vyer për Shqipërinë". /ATSH/