Kombëtarja Shpresa ka marrë një pikë tepër dramatike në transfertën e Turqisë të vlefshme për eliminatoret e Europianit. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi e nisën mjaft mirë sfidën dhe pas disa rasteve të shpërdoruara arritën të gjenin golin në minutën e 49-t me mbrojtësin Maloku. Gjithsesi avantazhi nuk zgjati shumë, pasi turqit barazuan me Muldur.
Nga ky moment vendasit rritën nivelin e lojës dhe pesë minuta nga fundi përmbysën gjithçka me Dervisoglu. Atëherë kur të gjithë mendonin se kjo sfidë do të mbyllej me këtë rezultat, në minutën e 95 sulmuesi që është pjesë e Olimpiakosit, Emiliano Bullari, realizoi me kokë duke kaluar në ekstazë kuqezinjtë e Alban Bushit. Koha e mbetur në dispozicion ishte shumë e pakët dhe në Stamboll gjithçka u mbyll 2-2.
Pas ndeshjes trajneri Bushi deklaroi: “Me pak kujdes mund ta fitonim ndeshjen por edhe ta humbnim, në këto nivele duhet të jesh shumë i kujdesshëm, të gabosh më pak se kundërshtari dhe të luftosh më shumë se ai. Ne luftuam dhe vrapuam më shumë se ata, nuk donim ta humbisnim këtë ndeshje. Kemi pësuar 6 gola gjithsej në 3 ndeshje dhe të 6 golat jane gabime individuale, të vjen keq”.
Secili duhet të permirësohet, janë të vegjël dhe kanë potencial për kombëtaren A por gabime të tilla nuk duhen bërë ose të bëjmë sa më pak. Dua të falenderoj të gjithë skuadrën për atë çka dha në fushë për 94 minuta, ata bënë të pamundurën vrapuan dhe luftuan me zemër të madhe ata kishin grintë, dëshirë, kishin besim tek ajo që po bënin luajtën me personalitet kundra një kundërshtari me shumë cilësi dhe kualitet.
Më vinte shume keq kur i shikoja që luftonin ashtu sa që doja të futesha në fushe dhe ti ndihmoja. Por zoti i shpërbleu në fund për djersën që derdhën. Duhet të vazhdojme kështu se futbolli është vazhdimësi dhe këta djem i kanë të gjitha mundësitë për të bërë gjëra të mëdha”.