Toka është e zezë dhe e mbushur me ujë. Punëtorët po punojnë aty prej orësh. Shirat e fundit e kanë përmbytur, ndaj është një luftë e vazhdueshme me kova për të zbrazur vendgërmimin. Arkeologu italian, Luigi Maria Ugolini është i bindur se aty poshtë do të gjejnë diçka me vlerë. Ka një nuhatje si ata që gjejnë floririn nën dhe’. Në kamare zbuluan një javë më parë një trup femëror dhe Ugolini është i sigurtë që koka do të jetë diku aty afër. Ka rënë me siguri poshtë, sepse kështu ndodh me gërmime kur vendi nuk preket nga zhvatësit e nëntokës. Dhe për fat të mirë Butrinti nuk është prekur. Koka nuk mund të jetë spostuar më shumë se tre apo katër metra.

Gërmojnë, gërmojnë, gërmojnë, largojnë ujin, kur një prej punëtorëve shqiptarë, i mbuluar me baltë e i bërë qull e thërret: “Maestro, gjeta diçka!” Ugolini hidhet në gropën e hapur, fut duart në baltë, prek mermerin e bardhë, kërkon kova të tjera me ujë të pastër. Ndërkohë prek flokët e mermerta, veshët, ballin... Hundën! Këtu shpërthen në lot! I përgjërohet Shënjtores Mari dhe gjithë shenjtëve që njeh e ka dëgjuar! Tepër i lumtur! Është e rrallë që një kokë e antikitetit të vijë në ditët tona me hundën të paprekur. Përreth nuk pipëtin askush. Është një kokë perfekte gruaje, vetëm me një gërvishtje të lehtë në syrin dhe vetullën e majtë. E bukur dhe mbi të gjitha me hundën në vendin e vet. Kjo është një mrekulli!...

Do të ketë qenë kjo atmosfera kur Luigi Maria Ugolini gjeti kokën e Deas që sot, nga qëndrimi i gjatë në mjediset e Muzeut Historik në Tiranë, u transferua në Butrint, aty ku u gjet, 96 vite më parë. Emocioni i arkeologut të famshëm Italian, falë të cilit sot kemi si dhuratë zbulimin, bashkë me Butrintin edhe të Finiqit, ishte aq i madh, sa në vitin 1929, edhe në kundërshtim me ligjet e kohës që parashikonin që zbulimet arkeologjike duhet të qëndronin në vendin e gjetjes, ia dhuroi Dean e Butrintit vetë Mussolinit, i cili nuk e “strehoi” në sallonin e shtëpisë së tij, por ja kaloi autoriteteve kompetente italiane.

Në vitin 1982 Italia ja ktheu Dean e çmuar Shqipërisë dhe ndoshta ka ardhur koha që pasuritë e rrënjëve tona, dëshmitarët e antikitetit tonë, që kanë mbërritur deri tek ne përmes mermerit, pëlhurave, ikonave, bronxit, të jenë në piedestalin që meritojnë të kenë. Në profilin e Deas, në flokët e saj, në hundën e drejtë, qafën e gjatë, krenarinë e nënkuptuar, vajzat shqiptare mund të shihen në pasqyrën e kohës e të zbulojnë se si kanë qenë dhe kush janë.  Më shumë se dy mijë vite më parë.