Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka ndarë në Facebook rezultatet e mbledhjes së Bordit të Menaxhimit të Butrintit, ku ai ushtron edhe detyrën e kryetarit.

Sipas Gonxhes, në më pak se dy vite nga zbatimi i modelit të ri të menaxhimit është realizuar një program i integruar investimesh dhe ndërhyrjesh, i fokusuar te përmirësimi i infrastrukturës, avancimi i projekteve teknike dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Ai thekson se bashkëpunimi mes MTKS, Bordit të Menaxhimit të Fondacionit të Butrintit dhe AADF-së ka pasur në qendër përvojën e vizitorit, rritjen e sigurisë, aksesueshmërinë, si edhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit dhe turizmit kulturor e historik.

Ministri publikoi edhe të dhënat për tetëmujorin e vitit 2026, duke i krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Sipas tij, numri i vizitorëve në Butrint është rritur me 155%, ndërsa të ardhurat janë shtuar me 218%, ose 114,428,700 lekë më shumë, që sipas tij përkthehen në rreth 1.23 milionë euro.

Gonxhja e cilëson modelin e ri të menaxhimit si një qasje në funksion të mbrojtjes, promovimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë dhe të njerëzimit.