Në buxhetin e vitit 2017, shuma e transfertës së pakushtëzuar e shpërndarë bashkive rritet në 15.5 miliardë lekë, nga 13 miliardë lekë që ishte në buxhetin e vitit 2016, pra 2.5 miliardë lekë më shumë, ndërkohë që shpenzimet në total në buxhetin e shtetit për pushtetin vendor rriten me rreth 6 për qind. Rritja e transfertës së pakushtëzuar është kështu në masën 20 për qind krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, do të financohen nëpërmjet transfertës specifike funksionet e reja të cilat iu transferuan bashkive në vitin buxhetor 2016, si: personeli edukativ dhe mbështetës në arsimin parashkollor, personeli mbështetës i arsimit parauniversitar, rrugët rurale rajonale, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri, shërbimi pyjor, ujitja dhe kullimi, si dhe ofrimi i shërbimeve sociale.
Bashkitë
Bashkia që do të përfitojë rritje më të lartë fondi do të jetë ajo e Vaut të Dejës, së cilës i jepen 39 për qind më shumë para’ se sa këtë vit. Pason në rritje Vora me 38.4% më shumë, që ndiqet nga Rrogozhina me 37.4%, Ura Vajgurore me 34.5% dhe Maliqi e Përrenjasi me më shumë se 32%. Ndër bashkitë e mëdha, rritje më të lartë kanë Vlora, Tirana, Durrësi e Fieri.
Në përgjithësi, rritjet e fondeve kanë qenë nga 10 për qind e lart. Por bëjnë këtu përjashtim Peqini, bashkisë së të cilit i akordohen vetëm 1 për qind më shumë fonde nga sivjet, Saranda me më pak se 8 për qind dhe Libohova me më pak se 9 për qind.
Ndër qytetet e mëdha, me rritje më të ulët janë Shkodra e Berati.
Punonjësit
Në buxhetin e vitit 2017, për funksionin e arsimit, janë transferuar në nivel vendor 7.333 punonjës, nga të cilët një shtesë prej 232 punonjësish të arsimit parashkollor dhe të mesëm, janë transferuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në nivel vendor.
Po kështu, për funksionin e ujitjes dhe kullimit, janë transferuar në nivel vendor 267 punonjës, për funksionin e mbrojtjes ndaj zjarrit janë transferuar në nivel vendor 993 punonjës dhe për funksionin e administrimit të pyjeve 261 punonjës.
Për vitin 2017, pjesë e buxhetit vendor do të jetë edhe fondi për rritjen e pagave, për të financuar funksionet e reja të transferuara në nivel vendor, me një vlerë rreth 415 milionë lekësh.
Borxhet
Ndërkohë, vit pas viti, edhe pushteti vendor është kredhur në detyrime të papaguara. Detyrimet e njësive të qeverisjes vendore janë krijuar si rrjedhojë e keqmenaxhimit të financave publike në nivel vendor, si dhe parashikimit optimist të të ardhurave.
Në vitin 2016, janë evidentuar detyrimet e prapambetura të akumuluara nga çdo bashki deri më 31 dhjetor 2015, të cilat në total kishin vlerën rreth 12.2 miliardë lekë, shifër kjo e barabartë me 90 milionë euro. Por bashkitë gjatë viti 2016 kanë shlyer rreth 2.7 miliardë lekë detyrime, më pak se 20 milionë euro.
(er.nu/shqiptarja.com)