Buxheti 2014, statistikat e Financave 
'Rriten 14 % të ardhurat si 11-mujor'

TIRANE- Ka vijuar performanca pozitive e Financave publike edhe si 11-mujor. Sipas statistikave provizore të ministrisë, rritja e të ardhurave në total, krahasuar me një vit më parë, ka qenë 14 për qind, duke kaluar nga 288.9 miliardë, në 329.2 miliardë lekë.

Tatimfitimi ose taksa mbi ndërmarrjet ka shënuar rritjen më të madhe në këtë kuadër, me afro 42 për qind rritje nga një vit më parë. Po kështu, rritje të konsiderueshme ka shënuar tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), që ka kaluar nga 95.9 miliardë, në 113.8 miliardë lekë, një rritje në masën 18.7 për qind. Taksat nacionale janë rritur me 16.5 për qind, ndërsa akcizat (taksat e posaçme mbi duhanin, kafenë, alkoolin dhe karburantet, etj) sollën 14.2 për qind më shumë prurje në arkën e shtetit, krahasuar me periudhën janar-nëntor 2013.

Ndërkohë, në përputhje me politikën e re fiskale, tatimet mbi të ardhurat e punonjësve janë ulur si 11-mujor me 4.6 për qind në krahasim me një vit më parë, po ashtu si të ardhurat jotatimore, në ulje me 5.4 për qind.

Pushteti vendor duket se ka lëvizur në drejtimin e duhur, duke sjellë 14.9 për qind më shumë të ardhura se një vit më parë nga taksat e tij. Sa u përket kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, rritja ka qenë përkatësisht 9.5 për qind dhe 16.4 për qind.

Ndërkohë, edhe shpenzimet buxhetore rezultojnë të jenë rritur, por në masë më të vogël se të ardhurat. Në total, nga 352.9 miliardë lekë në periudhën janar-nëntor 2013, këtë vit shifra ka qenë 370.4 miliardë, në rritje prej 5 përqindësh. Qeveria ka vijuar të shkurtojë shpenzimet për investime, që rezultojnë 24.3 përqind më pak se një vit më parë, ndërkohë që edhe kompensimet e ish-pronarëve kanë qenë 18.7% më të ulta dhe ato për ish-të përndjekurit 90 për qind më pak. Po kështu, edhe pagesat për interesa borxhi ishin 5.8% më të ulta.

Por, kanë qenë 12.5 për qind më të mëdha shpenzimet për pagesë papunësie, 12.9 për qind më shumë është paguar për ndihmë ekonomike për familjet në nevojë, ndërsa për sigurime shoqërore shteti ka kontribuar me një shifër 5.8 për qind më të lartë dhe 13.3% ka qenë rritja për ato shëndetësore. Si rezultat, deficiti buxhetor ishte 38.5 për qind më i ulët se një vit më parë në të njejtën periudhë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

SPAK, sfida tjetër me lavanderinë politike të mëkateve

SPAK, sfida tjetër me lavanderinë politike të mëkateve