TIRANE- Institucionet shtetërore kanë realizuar deri në fund të nëntorit vetëm 66 për qind të fondit të investimeve, të planifikuar për gjithë vitin. Pavarësisht se Financat janë përpjekur për të ulur ndjeshëm borxhin publik dhe deficitin buxhetore, një situatë e tillë nuk është normale, pasi ka pasoja negative mbi punësimin dhe rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nga 66 miliardë lekë, sipas Buxhetit 2014, në periudhën janar-nëntor janë shpenzuar vetëm 43.4 miliardë. Ndërkohë, në vitin elektoral 2013 në fund të nëntorit ishin kryer shpenzime kapitale me vlerë 57.4 miliardë lekë.

Dhe qeveria ende nuk është e vendosur se ç’të bëjë në ditët që vijojnë për të rialokuar apo jo fondin e mbetur. Qeveria e mëparshme këtë e ka bërë vazhdimisht, por ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi dje se qeveria ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse do të ndërhyjë sërish për të rialokuar buxhetin e investimeve. “Dhjetori, nga tërë analizat që po i bëjmë, është muaj që po na i vështirëson shumë situatën nëse do të ketë hapësira për rialokim fondesh. Duhet të shohim deri në fund të vitit se duket se edhe defiçiti edhe investimet do të realizohen, natyrisht brenda parametrave me të cilat kemi rënë dakord me FMN-në”, deklaroi Cani. 

Sipas kreut të Financave, pagesat për veprat publike janë përshpejtuar gjatë këtij muaji, çka nuk e bën të pamundur realizimin e plotë të programit. Këto deklarata Cani i bëri pas një konference shkencore në Fakultetin e Ekonomisë, ku u bëri thirrje akademikëve të jenë më aktivë në debatin për politikat publike e të mos ua lënë atë vetëm politikanëve. 

Në fakt, Qeveria rialokoi fonde në shtator, por ritmi i ngadaltë i punimeve në infrastrukturë mendohej ta detyronte atë të rishikonte sërish buxhetin.
 
Zgjidhjet
“Investimet realizohen me dy mënyra: investimet me kohë paguhen me këste dhe një tjetër është që realizohet investimi dhe pagesa bëhet në fund. Sidoqoftë, dhjetori është një muaj që na i vështirëson shumë llogaritë nëse do të kemi apo jo hapësira për rialokim fondesh. Prandaj duhet të shikojmë deri në fund të vitit se duket që nuk do të qëndrojnë këto pra edhe deficiti do realizohet edhe investimet do realizohen, kuptohet brenda atyre parametrave që kemi rënë dakort me FMN”, u shpreh Cani.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)