Të enjten kalon në seancë plenare buxheti dhe paketa fiskale për t'u miratuar nen për nen dhe në tërësi. Sali Berisha, deputetët e të cilit dhanë votë kundër kur projektet kaluan në parim, thotë se opozita do të nisë nga nesër prezantimin e amendamenteve të saj, me pikën më të fortë sipas tij, vendosjen e minimumit jetik 200 euro.
“Paketa fiskale, siç është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga unë dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike, përbën një goditje shumë të rëndë për xhepat e qytetarëve shqiptarë, një goditje shumë të rëndë për profesionet e lira të cilave u shkon në 20 e sa përqind taksa. Një goditje shumë të rëndë për bizneset e vogla, të cilat futen në ombrellën e TVSH-së, mbi 17,500 të tilla. Përbën një goditje të rëndë për investitorët, mbasi është dyfishuar taksa mbi dividentin. Nuk përbën absolutisht asnjë përfitim, dhe këtu do jemi dhe ju vetë do t'i verifikoni. Për shtresat e varfra, sepse ajo ulje e TVSH-së së ushqimeve u shoqërua me vendosjen e TVSH-së të dyqaneve që i shesin ato, të njësive tregtare që i shesin ato. Pra, është një paketë fiskale në kundërshtim me interesat e qytetarit, të biznesit të vogël, të profesioneve të lira që është shtresa e mesme, profesionet e shërbimeve për qytetarët, çka nënkupton rritje automatike të çmimeve të këtyre shërbimeve për qytetarët, por dhe investitorët e huaj, të cilët nuk kanë pse vijnë në një vend me taksë dividenti 15 përqind në një kohë kur shkojnë në një vend ku është 5 përqind, 7 përqind ose nuk ekziston.
Sigurisht që Partia Demokratike ka dhe do të ketë amendamentet e veta për paketën fiskale dhe jo vetëm. Unë e kam denoncuar këtu, po e denoncoj prapë, shpërndarja e 10 miliardë eurove, buxhetit më të madh siç thotë Edi Rama në histori, është skema e vjedhjes më të madhe në histori. Sigurisht që ne do bëjmë amendamentet tona, ne do kërkojmë rritjen e rrogës minimale 50 përqind, rritjen e rrogës mesatare 30 përqind, vendosjen e minimumit jetik 200 euro. Asnjë pension jo i plotë apo i çfarëdo llojit nuk mund të jetë nën 200 euro, dhe një sistem rritjesh pensionesh që ecin drejt dyfishimit të tyre”, tha Berisha.
Gjatë konferencës në selinë blu, Berisha u pyet nëse kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës duhet të dalë nga sheshi i protestës.
Kreu i PD-së tha se protesta kishte mbledhur qytetarë pa parti dhe mbështetës të forcave të ndryshme politike. Për kandidatin, ai propozoi një diskutim mes tyre, me synimin për të zgjedhur emrin më të përshtatshëm për Tiranën.
“Tani, aty në protestë kanë qenë nga të gjitha partitë politike dhe qytetarët pa parti. Të jemi realistë, protesta ka qenë një bashkim i paprecedentë. Me atë çfarë unë jam, të ulemi në debat, të ulemi në diskutim pa asnjë paragjykim dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës”, tha Berisha.
Berisha paralajmëroi nisjen e negociatave me partitë dhe faktorët e tjerë politikë për të krijuar një front të përbashkët kundër kryeministrit Edi Rama.
Ai theksoi se bashkimi duhet të vijë nga vetë forcat opozitare, pa pritur qëndrimet e ndërkombëtarëve, të cilët, sipas tij, kanë kërkuar gjithashtu bashkimin e opozitës.
“Dhe çdonjëri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt se gjen forca në interesin e tij më të mirë, në interesin e partisë së tij, në interesin e lëvizjes së tij, të bashkohemi në një front, sepse nuk ka gjë më qesharake sesa të presësh se çfarë po bëjnë ndërkombëtarët, se çfarë po thonë ndërkombëtarët.
Ndërkombëtarët, miqtë e vërtetë, kanë një këshillë: Bashkohuni! Dhe ua kanë thënë: Bashkohuni si opozitë! Të bashkohemi në pluralitetin tonë, në identitetet tona, por të bashkohemi kundër një të keqeje më të madhe, një rreziku ekzistencial kombëtar që është Edi Rama”, tha Berisha.
Kandidatët e PD për zgjedhjet vendore të 9 majit pritet të bëhen publikë në muajin dhjetor.





Komente
Komento