Të enjten kalon në seancë plenare buxheti dhe paketa fiskale për t'u miratuar nen për nen dhe në tërësi. Sali Berisha, deputetët e të cilit dhanë votë kundër kur projektet kaluan në parim, thotë se opozita do të nisë nga nesër prezantimin e amendamenteve të saj, me pikën më të fortë sipas tij, vendosjen e minimumit jetik 200 euro.
“Paketa fiskale, siç është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga unë dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike, përbën një goditje shumë të rëndë për xhepat e qytetarëve shqiptarë, një goditje shumë të rëndë për profesionet e lira të cilave u shkon në 20 e sa përqind taksa.
Një goditje shumë të rëndë për bizneset e vogla, të cilat futen në ombrellën e TVSH-së, mbi 17,500 të tilla. Përbën një goditje të rëndë për investitorët, mbasi është dyfishuar taksa mbi dividentin. Nuk përbën absolutisht asnjë përfitim, dhe këtu do jemi dhe ju vetë do t'i verifikoni. Për shtresat e varfra, sepse ajo ulje e TVSH-së së ushqimeve u shoqërua me vendosjen e TVSH-së të dyqaneve që i shesin ato, të njësive tregtare që i shesin ato. Pra, është një paketë fiskale në kundërshtim me interesat e qytetarit, të biznesit të vogël, të profesioneve të lira që është shtresa e mesme, profesionet e shërbimeve për qytetarët, çka nënkupton rritje automatike të çmimeve të këtyre shërbimeve për qytetarët, por dhe investitorët e huaj, të cilët nuk kanë pse vijnë në një vend me taksë dividenti 15 përqind në një kohë kur shkojnë në një vend ku është 5 përqind, 7 përqind ose nuk ekziston.
Sigurisht që Partia Demokratike ka dhe do të ketë amendamentet e veta për paketën fiskale dhe jo vetëm. Unë e kam denoncuar këtu, po e denoncoj prapë, shpërndarja e 10 miliardë eurove, buxhetit më të madh siç thotë Edi Rama në histori, është skema e vjedhjes më të madhe në histori.
Sigurisht që ne do bëjmë amendamentet tona, ne do kërkojmë rritjen e rrogës minimale 50 përqind, rritjen e rrogës mesatare 30 përqind, vendosjen e minimumit jetik 200 euro. Asnjë pension jo i plotë apo i çfarëdo llojit nuk mund të jetë nën 200 euro, dhe një sistem rritjesh pensionesh që ecin drejt dyfishimit të tyre.
Pra, me fjalë të tjera, ne nuk do t'i mashtrojmë shqiptarët se do investojmë 2.2 miliardë, jo. Ne do zbresim absolutisht në 700 ose 800 milionë euro dhe asnjë qindarkë tjetër. Dhe ju garantoj se do bëjmë shumë më tepër se ç'kanë bërë këta në katër vite me këto. Po, po, pra siç e shihni ne kemi shumë motive për të bërë amendamentet më serioze, më të drejta, dhe do t'i paraqesim. Natyrisht, ju e keni parë, aty ka një shumicë memece, pseudo shumicë e paligjshme. Ata nuk flasin, ua ka hequr të drejtën e fjalës Edi Rama. Në studio televizive nuk i dërgon, në parlament nuk i lë të flasin, po vetëm të votojnë, të ngrenë dorën të votojnë. Po ne do bëjmë punën tonë para shqiptarëve”, tha Berisha.
Lajm në përditësim...





Komente
Komento