TIRANE- Listës së pajisjeve të prishura në Qendrën Spitalore Nënë Tereza i është shtuar së fundmi edhe rezonanca në pavionin e neurologjisë, e cila gjatë ditës së djeshme  nuk ka qenë në gjendje pune dhe ka rezultuar e prishur. Megjithëse ende nuk dihet nëse ajo ka pasur ndonjë defekt të vogel dhe të riparueshëm apo do të dalë jashtë përdorimit për shumë kohë, situata në spitale do vazhdojë të mbetet shqetësuese. Mungesës së disa pajisjeve të rëndësishme spitalore  i shtohet edhe mungesa e barnave dhe ky është një nga problemet më të rënda me të cilin përballen çdo ditë pacientët në dyert e spitaleve jo vetëm në rrethe por edhe në Tiranë.
Megjithse pamja e re e QSUT-së, të bën të mbushësh me frymë pas pezullimit të kioskave dhe mbjelljes së fidanëve, nuk mund të thuhet e njejta gjë brenda dyerve të spitaleve.

I pyetur nga Shqiptarja.com për problematikat e barnave në Qendrën Spitalore më të madhe në vend, Drejtori i Drejtorisë së ISKSH për Qnëndrën Spitalore “Nënë Tereza”, Eduard Ruçi shprehet se buxheti i 2014-ës do të bëjë të mundur plotësimin e nevojave të pacientëve me barnat e domosdoshëm, si dhe gjatë këtij viti nuk do të mungojnë pajisjet e rënësishme spitalore. Përsa i përket rimbursimit të barnave, Ruçi shprehet se do t’u jepet përparësi barnave të kushtueshëm, dhe atyrë që u shërbejnë pacientëve të sëmundjeve kronike. Ndër më të rëndësishëm ai cilëson ata të sëmundjeve  tumorale si dhe atyre diabetike.

Ndërsa përsa i përket heqjes së librezave shëndetësore dhe zëvendësimit të tyre me certifikatat shëndetësore, kjo risi do të hyjë në fuqi jo më larg se muajin e ardhshëm, ku pacientët që përfitojnë shërbim shëndetësor falas duhet të fillojnë të aplikojnë për certifikatat e reja. Kjo sipas drejtuesve të ISKSH, do të reduktojë një kosto të madhe të cmimit të cilën do ta përdorë në dobi të pacientëve.  


 Shkrimi u publikua sot (09.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)