Për të parandaluar apo përballuar zjarret nga buxheti i shtetit për këtë vit janë në dispozicion të Emergjencave Civile 5.79 miliardë lekë (62.2 mln euro). Në krahasim me vitin 2025, fondet për emergjencat janë rritur me vetëm 330 milionë lekë, pavarësisht se zjarret e vitit të kaluar dhe përmbytjet gjatë dimrit sprovuan kapacitetet shtetërore të menaxhimit të këtyre emergjencave.

Megjithatë, ministri i Financave, Petrit Malaj thekson se financimi është 13-fishuar krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që janë shtuar kapacitetet e emergjencave civile për të menaxhuar fatkeqësitë natyrore.

“Sot, përballë situatës së zjarreve, Shqipëria ka një buxhet shumë më të madh, kapacitete të shtuara dhe burime të parashikuara për emergjencat, ndërsa edhe bashkitë kanë fondet e tyre të rritura ndjeshëm për ndërhyrje dhe përballimin e situatave në territor”, thotë Malaj.

Më tej ministri sqaron se buxheti i shtetit mund të përballojë edhe nevoja të paparashikuara emergjente, pa u cenuar prioritetet e tjera, në rast se do të jetë e nevojshme.

Ndërkohë, përveç buxhetit për emergjencat civile edhe vetë bashkitë kanë fonde të dedikuara për mbrojtje nga zjarret. Për këtë vit fondet e disponueshme për këtë qëllim përmes transfertës buxhetore, janë 2.42 miliardë lekë (26 milionë euro), me rritje prej 145.6 milionë lekë në raport me vitin e kaluar. Pra në total janë rreth 88.2 milionë euro nga pushteti qendror dhe ai vendor për të menaxhuar emergjencat civile

Bashkitë me buxhetin më të madh në dispozicion për ‘mbrojtjen nga zjarret’ janë Tirana me 311 milionë lekë, Durrësi 106 milionë lekë, Kukësi me 86 milionë, më pas është Elbasani me 78 milionë lekë apo Shkodra me 76 milionë lekë.

Por ka bashki të cilat duhet të shuajnë zjarret me vetëm 21 milionë lekë në dispozicion siç janë Rrogozhina, Vau Dejës, Divjaka dhe Vora.

Ndërsa dy bashkitë të cilat po përballen me zjarre të forta në ditët e fundit si Kruaja dhe Patosi kanë në dispozicion për të shuar zjarret përkatësisht 35 milionë dhe 28 milionë, fond i caktuar në buxhetin e tyre vendor.

BUXHETI PËR ZJARRET SIPAS BASHKIVE
Tiranë        311,727 mijë lekë
Durrës       106,573 mijë lekë
Kukës         86,190 mijë lekë
Elbasan       78,199 mijë lekë
Shkodër      76,091 mijë lekë
Vlorë          72,945 mijë lekë
Fier             72,416 mijë lekë
Kamëz        68,368 mijë lekë
Lezhë          59,743 mijë lekë
Berat           53,893 mijë lekë
Korçë            51,329 mijë lekë
Gjirokastër   49,919 mijë lekë
Krujë           35,467 mijë lekë
Patos            28,392 mijë lekë

 

BUXHETI PËR EMERGJENCAT CIVILE
Viti 2025              5.46 mld lekë
Viti 2026              5.79 mld lekë
Diferenca           +0.33 mld lekë

 

BUXHETI I PUSHTETIT VENDOR
Viti 2025        2,283,243 mijë lekë
Viti 2026        2,428,884 mijë lekë
Diferenca        +145,641 mijë lekë