Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama ripërsëriti se tashmë pas 5 vitesh rishikimi i buxhetit të shtetit është me rritje, duke theksuar se këto para, do të shkojnë sërish mbrapsht për investime në ato sektorë që janë më të nevojshëm për vendin.
Duke marrë të gjithë sektorët dhe duke analizuar se ku do të shkojnë paratë shtesë në buxhetin e ministrive, Rama tha se janë rreth 152 milionë dollarë të cilat do të shkojnë në infrastrukturë që siç tha ai për të mbyllur rrugët e mbetura rrugëve.
“Ky është një moment nga më të rëndësishmit e këtij viti për shumicën tonë qeverisëse, pasi parlamenti është i thirrur të votojë buxhetin e shtetit që pas 5 vitesh vjen me rritje. Dhe janë si fillim 32 milionë dollarë, që janë as më shumë e as më pak, përtej objetkivit të vendosur së bashku me FMN që na krijoi mundësinë uljen e defiçitit, edhe pse objektivi ishte ulja e defiçitit të borxhit të fillonte vitin e ardhshëm. Ky është vetëm fillimi i përpjekjes për uljen e borxhit, por domethënës se vjen si rezultat i kapërcimit të kufirit të parashikimit i cili ishte mjaft ambicioz. Janë 152 milionë dollarë që shkojnë për investime të mbetura rrugëve për të vazhduar mbushjen e gjithë gropave nga Valbona deri në Kardhiq që u krijuan nga politika e shiritave elektoralë, e çeljes se investimeve duke ia faturuar borxhin kompanive. Sot me votën e këtij Kuvendi fillon financimi dhe shkon për rrugën turistike të Valbonës, rruga “Kukës-Has”, rruga “Lushnje-Berat”.” tha Rama
Ndërkohë po me 76 vota pro janë miratuar edhe ligjet për “Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë” dhe “Urdhri i Infermierëve në Republikën e Shqipërisë”. Ndërsa me 77 vota pro dhe asnjë kundër është miratuar ligji “Për Partitë Politike”. Po me 77 vota pro është miratuar edhe ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë sovrane dhe të zhdëmtimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Bankës Vobecna Uverova Banka A.S,Sllovaki, dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania ,Sh.A.”
Në nisje te seancës, katër deputetë të rinj të Kuvendit të Shqipërisë, tre nga të cilët gra, u betuan sot duke zëvendësuar katër ministrat Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri dhe Ermonela Felaj, të cilë dorëzuan mandatin e tyre.
Deputetët e rinj, Erjeta Alhysa, Ervin Bushati, Luljeta Arapi dhe Anila Agalliu përsëritën tekstin e betimit, sipas rregullores.
Sakaq, siç pritej, opozita vijon bojkotin e punimeve të Kuvendit, pas incidentit të ndodhur në muajin korrik mes deputetit demokrat Gent Strazimiri dhe deputetëve socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, në mjediset e parlamentit.
Rama: Deri tani janë shlyer 260 milionë $ borxhe të shlyera kompanive, do e çojmë në 350 milionë $
Kryeministri nënvizoi se janë 260 milionë dollarë që u janë dhënë kompanive për të shlyer borxhet e aumuluara nga qeveria e mëparshme ndërsa shtoi se kjo shifër pritet të shkojë në 350 milionë dollarë.
“Janë 260 milionë dollarë që u kemi paguar në dorë kompanive për borxhet e akumuluara nga qeveria e mëparshme. Falë marrëveshjes me FMN do ta çojmë në 350 milionë dollarë fondin për borxhet e akumuluara. Kjo ka sjellë që për herë të parë të mos ketë preferenca politike apo korrupsion qoftë në ktihimn e parave të kompanive apo TVSH.” tha ai
Rama: 43 milionë $ do të shkojnë për shtresat në nevojë
Duke vijuar më tej, Rama tha se 43 milionë dollarë do të shkojnë për shtresat në nevojë, duke shtuar se tashmë do të shikohet nga e ardhmja pa peshën e borxhit ndaj kësaj kategorie personash.
“Nga ana tjetër është 43 milionë dollarë, që vendoset në dispozicion të pjesës më të dobët të shoqërisë. Vendosemi sot në pozicionin fillestar të vështrimit nga e ardhmja pa pasur në kurriz borxhet e akumuluara të shtresave në nevojë.” tha Kryeministri
Rama: 13 milionë dollarë për zgjidhjen e problemit të legalizimeve
Sa i përket legalizimeve, Kryeministri nënvizoi se janë 13 milionë dollarë për të zgjidhur problemin e pronarëve në vend, që siç tha kryeministri është 4 herë më e madhe e qeverisë së mëparshme.
“Është me fort rëndësi që falë këtij akti normativ për ata që thonë se legalizimet nuk janë falas. Ne në këtë vit të parë, vëmë në dispozicion 13 milionë dollarë, që është e barabartë me 4 shuma buxhetore të asaj partisë së pronave, ose më saktë hapi i parë serioz për të zgjidhur problemin e pronarëve.” u shpreh kryeministri
Rama: Përmirësojmë sistemin shëndetësor, shpejt kalimit tek tabletat dixhitale
Kryeministri i Shqipërisë, u ndal edhe tek çështja e sistemit shëndetësor, ku u shpreh se me fondet shtesë, do të mundësohet përmirësimi i këtij sistemi. Rama foli është për arsimin, ku theksoi se brenda këtij mandati, do të mundësohet kalimi në tabletat dixhitale, çka sipas tij do t’i japë fund problemit të disa familjeve që nuk kanë mundësi të blejnë librat shkollorë.
“Paratë do të shkojnë edhe për një shërbim shëndetësor të denjë, si ajo e 20 autoambulancave të reja, për ta shtrirë urgjencën përtej qendrave të Tiranës, si dhe dy pajisjeve të dializës, njëra për zonën veriore, dhe tjetra më poshtë. Ajo çka është më e rëndësishme për të kaluar është se shumë familje e kanë të pamundur të financojnë librat për fëmijët, tek një sistem mësimor që brenda këtij mandati do të ketë tabletën dixhitale, që do të mundësojë që informacioni të jetë i njëjtë në të gjithë vendin. Dhe nëse për vende të zhviulluara avantazhet njihen, për vendin tonë ka avantazhin që i jep fund një pabarazie të disa familjeve për të blerë librat.” tha shefi i qeverisë
Rama: Rritim sigurinë e jetës së qytetarëve
Rama tha se fondet shtesë do të shkojnë edhe për rritjen e sigurisë së jetës së qytetarëve, përmes sistemit të ortofotove, duke shtuar se ky sistem do të bëjë një kontroll të gjithë territorit të vendit.
“Tjetër prurje e këtij akti normativ është infrastruktura e rendit, e cila është në një derexhe siç nuk ka qenë ndonjë herë. Me finnacimin që akti normativ i bën ortofotos, brenda këtij viti, na jepet mundësia të kemi në dorë një instrument të jashtëzakonshëm, përfutjen në sistem të të gjithë të dhënave që nga nëntoka e deri mbitokë, duke pasur një sistem efikas të kontrollit të territorit të vendit.” tha ai
Rama: Ndërtojmë xhaminë për myslimanët dhe Kryegjyshatën për bektashinjtë
Rama u ndal edhe tek ndërtimi i xhamisë për besimtarët myslimanë, dhe Kryegjyshatës për besimtarët bektashinj. Sipas kryeministrit këto janë pjesë e zotimit të qeverisë, për t’i dhënë besimtarëve myslimanë një xhami pa pallat dhe njo pallat me xhami siç ishte parashikuar nga projekti i Bashkisë së kryeqytetit
“Nga ana tjetër, na jep mundësinë që të bëjmë dy hapa të rëndësishëm në funksion të promovimit të mëtejshëm të mirëqënies fetare, dhe në funksion të mbështetjes që qeveria ka detyrimin qoftë për komunitetin mysliman për xhaminë, dhe atë bektashi për ndërtimin e Kryegjyshatës. Të dyja këto na japin mundësinë që të krijojmë kushtet që për bektashinjtë të kenë teqenë e madhe, dhe atyre myslimanëve u jep mundësinë për ta pasur xhaminë, pa praninë e një plani monstruoz me supermarket afër. Siç u zotuam do të kemi një xhami pa pallat dhe njo pallat me xhami.” u shpreh Kryeministri
Rama: Shtojmë gjlebërimin, i dhamë fund korrupsionit me tatimorët vendorë
Në fund kryeministri foli edhe për planin e qeverisë për shtimin e hapësirave të gjelbërta. Rama foli edhe për heqjen e tatimorëve vendorë si dhe për kalimin e kompetencave tek tatimorët shtetërorë. Megjithatë siç theksoi kryeministri, paratë e marra nga taksat e bizneseve të njësive vendore, shkojnë sërish për pushtetin vendor, por këtë herë duke shmangur korrupsionin.
“Jo me më pak rëndësi është shuma e parave që vëmë në dispozicion për fondin e gjelbërimit urban, dhe në zotimin për mbjelljen e përmasave të gjelbërta më shumë se sa është bërë deri tani, ju siguroj që mjafton bilanci i paraparë i vitit të parë, për të kuptiuar se do të ja arrijmë këtij zotimi. E fundit është se duke marrë përsipër për të hequr nga qafa e biznesit të vogël dy palë tatimorë, të bashkisë dhe qeverisë, dhe se i vetmi institucion tatimor për biznesin, kemi arritur një shumë të konsiderueshme shtesë, nga të ardhurat vendore që do ta rivëmë në funksion të pushtetit vendor. Në këtë mënyrë kemi atakuar dy probleme të mëdha, njëri problemi i stresit dhe korrupsionit, njëri i tatimorëve vendorë, të cilët nuk bëjnë më mbledhje të ardhurash, dhe tjetër mbledhja e të ardhurave që na jep mundësinë që ato para që janë marrë të mos shkojnë në ndonjë xhep tjetër, por vetëm pushtetit vendor. Ky është vetëm fillmi i një pune që na tregon se sa më shum ëreforma të bëjmë dhe sa më thellë reformave të shkojmë, të bëjmë të mundur rritjen e cilësisë së shërbimeve. S’ka dyshim se reformat janë në fillimet e veta dhe se ky rishikim është vetëm fruti i parë, dhe jo duke u krahasuar me ata që ikën por me atë se çfarë jemi zotuar të bëjmë. Fruti do të ndjehet drejtërdrejt në të ardhurat e shtetit.” përfundoi kryeministri
Nikolla: Database me të dhëna të plota për tërë arsimin parauniversitar
Ora 12:02 Ministrja Nikolla ndërsa ka prezantuar disa prej arritjeve të Ministrisë së Arsimit gjatë kohës që ajo ka drejtuar këtë institucion si unifikimi i kurikulave me Kosovën apo ridhënia e një mundësi të dytë studentëve të universitete që u mbyllën, foli për risitë që sjell rishikimi i buxhetit në Arsim.
Sipas saj janë 1,2 miliardë lek që do të investohen për arsimin në vend. Ku do të do të ketë një database të plotë për tërë arsimin parauniversitar.
“Nga 10,700 kompjutera rezultojnë në inventarë, por vetëm 30% janë në funksionalitet. Po përforcojmë linjën e internetit.”- tha Nikolla ndërsa ka vlerësuar situatën reale të teknologjisë në shkollat shqiptare.
Tahiri: Gjetëm policinë të rrënuar, asgjësuam 6.4 miliardë dollarë bimë narkotike
Ora 12:07 Ministri i Brendshëm, Saimiri Tahiri, në fjalën e tij, theksoi se kur mori drejtimin e këtij dikasteri e gjeti policinë të rrënuar, ndërsa shtoi se vetëm në këtë një vit qeverisje, janë asgjësuar 6.4 miliardë dollarë bimë narkotike, që sipas tij në të kaluarën shërbenin për të financuar kriminalitetin në vend. Nga ana tjetër, Tahiri, theksoi se fondet që do të vijnë nga rishikimi me rritje i buxhetit, do të shtojë sigurinë e qytetarëve në vend.
“Kur mora këtë detyrë, për fat të keq nuk gjeta asnjë shenjë të vetme të punës për luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndës narkotike. Dhe së bashku me partnerët duke shkëmbyer inforemacion kemi arritur të asgjësojmë lëndë narkotike, shumë herë më shumë se paraardhësit. Janë gjithsej 1180 procedime penale nga janari në shtatori për vepra penale. Në rast se droga nga janari deri në shtatori do të përfundonte në treg, do të ishte 6.4 miliardë dollarë. Unë e kuptoj që kjo shifër që trondit këdo, por këto janë para që janë xhiruar nga kriminaliteti për të blerë mundësinë për të bërë kriminalitet në Shqipëri dhe jashtë saj. Kjo është policia që na përcollën, pa kapacitetet e duhura, dhe pa shpirtin dhe vullnetin për të luftuar krimin. Kemi trashëguar polici me 22 miliardë lekë borxhe. Tashmë me buxhetin e shtuar në Ministrinë e Brendshme, do të shkojë aty ku duhet për një shoqëri dhe shtet më të sigurtë.”
Kodheli: Më në fund do ketë një njësi që nuk do të përdorë kallashnikovë
Ora 11:55 Gjatë diskutimeve për rishikimin e Buxhetit, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli bëri të ditur se fondi prej 700 milionë lekësh të reja do të shërbejë për modernizimin e Ushtrisë.
Justifikimet për mos pajisjen e Batalionit të II të këmbësorisë ishin nga më të ndryshmet, por në thelb askush nuk jepte para për ushtrinë.
“Me rishpërndarjen e fondeve plotësojmë këtë Batalion të II. Më në fund do të kemi një njësi që nuk do të përdorë kallashnikovë.”- tha Kodheli.
Veliaj: Fondi shtesë për shtresat në nevojë, dhe përkrahjen e komuniteteve fetare
Ora 11:40 Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, teksa përshëndeti fondin e shtuar në buxhetin e dikasterit që ai drejton, theksoi se pjesa më e madhe e parave do të shkojnë për shtresat në nevojë, që sipas tij në të ardhmen paratë për këtë shtresë ishin shpërdoruar nga persona jo të kësaj kategorie njerëzish.
Ministri përsëriti gjithashtu se do të vijojë reforma për heqjen e abuzuesve nga lista e personave në nevojë.
Veliaj nënvizoi gjithashtu se fondi shtesë do të shkojë siç është paralajmëruar edhe për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë për besimtarët myslimanë, si dhe për ndërtimin e Odeonit, simbolit të besimtarëve bektashinj.
“Në fund të vitit çdo familje shqiptare kur sheh se i kanë mbetur disa para mënjanë mendon se ku t’i riinvestojë. Dhe më vjen mirë që sjellja e qeverisë sonë është si ajo e një familje shqiptare. Më vjen mirë dhe i jam shumë mirënjohës ministrit të financave, që prioriteti numër një ishte ai i shtresave në nevojë. Dhe ajo që ka ndodhur sistematikisht dhe e theksuar në vitet elektorale, ishte ndërprerja e pagesave ndaj kësaj shtrese, ku paratë ishin bërë rrush e kumbulla për njerëzit që ishin shëndoshë e mirë. Dhe më vjen mirë që ky është viti i parë që jo vetëm nuk kemi vonesë në pagesa, por në mes të vitit shtojmë buxhetin. Më vjen mirë që nga 43 milionë dollarë, 23 prej tyre janë për borxhet ndaj shtresave në nevojë. Nuk mund ta fsheh gjatë këtij viti që administruam marrëdhëniet mes komuniteteve fetare, dhe kjo u pa edhe gjatë vizitës së Papa Françeskut. Por nuk do ishte korrekte të flisnim për harmoni fetare, nëse disa komunitete fetare nuk do të merrnin mbështetjen e nevojshme. Ndaj më vjen mirë që do ndërtohet Xhamia e Namazgjasë. Dhe jo si disa që u munduan të ngrinin supermarket pranë xhamisë. Më vjen mirë që do të investohet edhe për komunitetin bektashinj, për ndërtimin e Odeonit, simbolin e qytetarëve besimtarë bektashinj. E thënë gjitha kjo nuk mund të rri pa thënë që edhe shtresat në nevojë janë në një reformë, pasi nuk mund të lejojmë më njerëz që të marrin përkrahje nga shteti pa qenë të shtresës në nevojë. Nuk bëhet fjalë për të hequr njerëz të shtresës në nevojë por të abuzuesve. Ndaj ju bëj thirrje qytetarëve, se nëse evidentojnë abuzime të vazhdojnë t’i denoncojnë.” tha Ministri Veliaj.
Haxhinasto: U japim akseve rrugore standartin e duhur
Ora 11:33 Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, gjatë fjalës së tij mbi rishikimin e buxhetit, u shpreh se fondet e shtuara në dikasterin që ai drejton do ta ndihmojnë vendin që të ketë një infrastrukturë në standardet e duhura.
Haxhinasto theksoi se fondet shtesë, që vijnë nga rishikimi për herë të parë me rritje të buxhetit, do të përdoren në disa nisma të Ministrisë së Transportit, si në përfundimin e akseve të rëndësishme rrugore të nisura tashmë nga ana e qeverisë.
Gjithashtu një pikë tjetër e rëndësishme siç theksoi Haxhinasto, tha se do të jetë edhe sinjalistika rrugore, duke e cilësuar atë themelore për sigurinë në akset rrugore, që sipas tij deri tani është përdorur thjesht si zbukurim
"Kjo rritje ekonomike është një miks i politikave të duhura, i rritjes së komunitetit të biznesit. Kjo rritje e besimit është themelore dhe evidente. Me këtë shtesë prej 6.24 miliardë lekë, 5.3 miliardë shkojnë për prioritetin e rrugëve, ku 4.4 miliardë shkojnë për rrugët themelore, si “Kukës-Morinë”, “Rruga e Arbrit”, “Lushnje-Berat”, “Unaza e Tiranës”, ndërkohë që fondi i akorduar deri më sot për shlyerje e borxheve është 9.2 miliardë lekë, për të krijuar një marrëdhënie të normalizuar mes qeverisë dhe biznesit. Mirëmbajtja për ne përbën një nga prioritetet kryesore dhe për këtë do të bëjmë edhe më shumë të ardhmen. Janë shtuar 636 milionë lekë, në mirëmbajtje, në cilësinë e infrastrukturës. Objekti tjetër i rëndësishëm është jo vetëm përfundimi i veprave por edhe sjellja e tyre në standard, pasi shumë nga veprat janë shumë larg standardit të nevojshëm. Kështu mund të themi se 10 miliardë lekëve i janë shtuar projekte të rëndësishme të cilat do të realizohen përmes këtij rialokimi. Sinjalistika ka ndryshuar gjithashtu koncept, nuk është më thjesht zbukurim si në të kaluarën, por një shërbim i nevojshëm për jetën e qytetarëve. Ky rialokim do të bëjë zgjidhjen përfundimtare të 115 pikave të zeza, pra pikave të rrezikshme të sistemit rrugor. Po ashtu do të realizohen edhe projekte ndërkombëtare, si restaurimi i kanalizimeve të zeza në qytete të rëndësishme, por edhe për mbrojtjen liqenore. Prandaj do të ju kërkoja që ta mbështesim këtë akt normativ, pasi kështu do të konsolidojmë edhe më tepër infrastrukturën, duke sjellë një strukturë bashkëkohore, dhe në shërbim të qytetarëve." tha Haxhinasto
Cani: Bode të heshtë! TVSH e qytetarëve përfundonte tek bizneset pranë qeverisë Berisha
Ora 11:00 Ministri i Financave Shkëlqim Cani nga foltorja e Kuvendit i bëri apel paraardhësit të tij në këtë post Ridvan Bode që të mos gënjejë qytetarët në lidhje me aktin normativ për rishikimin e buxhetit. Ai tha se rritja e buxhetit për vitin 2014 nuk i rëndon asnjë qytetari shqiptar, pasi sipas tij, ndryshe nga ç’ndodhte me qeverinë Berisha, tashmë taksat e paguara nga qytetarët shkojnë për buxhetin dhe jo bizneset pranë qeverisë.
“Ish ministri i financave duhet të heshtë, na i kërcënon shqiptarët se medemek të gjitha të ardhurat shtesë na qënkërkan paguar nga qytetarët dhe jo nga biznesi. Tatimi mbi vlerën e shtuar prej 260 milionë dollarësh ka ardhur në të kundërtën, sepse bizneset pranë ish-ministrit dhe ish-kryeministrit nuk i marrin më këto para. Populli gjithmonë i ka paguar për çdo blerje, por paratë nuk përfundonin në xhepat e buxhetit por të biznesit pranë ish-qeveritarëve. Ka marrë fund dhe këto para kanë përfunduar në buxhetin e shtetit”, tha Cani.
Cani: Tejkaluam objektivin, por jemi modest! Nuk hahemi me Gjermaninë dhe Kinën
Kreu i Financave tha se janë 3.2 miliardë lekë ose 32 milion dollarë më shumë të ardhura se programi fillestar, ndërkohë që vetëm si 8-mujor të ardhurat e buxhetit 2014 janë 260 milion dollarë më shumë se të ardhurat e realizuara krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, duke shënuar një diferencë shumë të ndjeshme.