Buza: Skulpturave iu hoqën
organet para vizitës së ministrit

Buza: Skulpturave iu hoqën<br />organet para vizitës së ministrit
DEBAT ARTISTIK/ Shqiptarja.com (print) në 3 numra ka publikuar kujtimet dhe analizën e piktorit Agim Faja mbi paragjykimet e shqiptarëve ndaj artit.

Më 16 tetor 2013 Shqiptarja.com publikoi pjesen e pare   “Origjina e Botës”, Pse shqiptarët i skandalizon arti  
Më 17 tetor 2013 publikoi pjesen e dytë  Mehmet Shehu: “Nudo në Akademi?Të mbyllet ajo shkollë kurvash

Sot publikon pjesen e trete dhe të fundit : "Statujat u bene synet nga frika e Ramiz Alisë"

“Eeeh... i erdhi fundi dhe kësaj dynjaje!”
Qe mbrëmje fundtetori e vitit 1996. Unë e Durrija ime ktheheshim me traget nga Brindizi i Italisë, ku kishim ndenjur një muaj të ftuar nga një nxënësi im, piktor në Fasano, i cili për motive politike (një dajë të arratisur në Amerikë), nuk u lejua të kryente studimet për pikturë në vendlindje. Në 91-ishin iku familjarisht si refugjat dhe kur shkuam ne, sapo kishte mbaruar Akademinë e Barit.

Ai muaj për mua qe një shkollë më vehte pasi pashë tërë ato mrekullia, që zbukuronin Duomon dhe Babtisterin e Firences, punimet e Xhiotos, në Manastirin e Shën Françeskut në Asissi, veprat në Shën Pjetrin gjigant të Romës, ato të Galerisë Ufici, “Davidin” e Mikelanxhelos etj. Midis tërë këtyre unë kisha parë vizatime nudosh të Egon Shilit,     Gustav Klimtit, të August Renuarit, nudo (trajtuar si skulpturë)të Tamara de Lempickës etj. Pashë gjithashtu dhe një album me punime të piktorit të shquar japonez Hokusai (1760-1849). Aty mësova se Hokusai ishte emër arti i tij, në të vërtetë quhej Katsushika Nakajima. Veç punimeve të tilla si: “Portreti i Poetit”, “Vullkani Fuxhi”, “Zogj e lule”, etj, pashë dhe ciklin grafik me vizatime të mrekullueshme erotike, të titulluar “10 poezi” të realizuara me ngjyra potente. Ato quheshin erotike, por nuk e di, pse krijova idenë se ishim më shumë se aq, ishin erotiko-pornografike, vizatuar me një linjë dinamike dhe lëvizje të çuditshme. Më e bukura qe se ai i kishte realizuar më 1845, në moshën 85 vjeçare. (?!!!) Kur pyeta Prof.Ernest Verner, një piktor i moshuar zviceran që jetonte në Fasano (më saktë piktor francez me origjinë zvicerane) se si ishte e mundur, që në këtë moshë të thellë, të bënte këto vizatime më shpjegoi: “Agim ti je akoma i ri, por vjen një kohë, që njeriut, i bien aftësia për të kryer mardhënie seksuale. Kjo ka ndodhur edhe me Hokusain. Me ato vizatime-grafika, që i quan “10 poezi” ai ka çfryrë, është çliruar.

Kjo përforcon atë që thotë Frojdi se: “Në mendjen e çdo burri, është një grua”. Meqenëse albumin nuk e sigurova dot, ato vizatime i kopjova me një rigorozitet të jashtëzakonshëm (ndoshta më mirë se një fotokopje), për ti pasur në bibliotekën dhe fondin tim artistik, Në fakt, diku kisha lexuar se japonezët numërojnë të kenë disa manualë erotikë, pasi si popull konsiderohen vendi i çudirave dhe surprizave të fantazive seksuale.

Edhe pse “Kamasutrën” e kisha shqip, të botuar si të ishte libër shkolle, tamam si “Kënaqësia e seksit” të A.Komfortit, bleva në Bari të Italisë një botim ekstra të “Kamasutrës”, të faqosur bukur dhe me ngjyra. (“The art of the “KAMASUTRA”-Dougnas. Mannering A compilation of Works from the BRIDGEMAN AER LIBRARY “PARRAGON”” printed in Italy 1984.)Një përmbledhje e punimeve nga Brixhmen Art Librari “Paragon”. Botuar në Itali – 1984.
Ç’është e vërteta në atë udhëtim bleva afro dy milion e ca lireta revista e libra arti, ç’ka nuk e bëra dot në Budapest më 1987-tën.

Ndërsa trageti ecte, meqenëse nuk kisha ç’të bëja, edhe pse ishte natë s’më zinte gjumi, nisja të shihja albumin e “Kamasutrës”. Aty pranë qe edhe një burrë, jo shumë i moshuar diku rreth të pesëdhjetave e kusur, i cili më tha “A mund të ma japësh ta shoh dhe unë, pasi të kesh mbaruar punë?”. “Po”- i thashë dhe ia dhashë. Ai sapo ktheu dy-tri faqet e para, ma ktheu tërë neveri, duke thënë: Yyyy... ç’asht ky libër mor? Si futet në shtëpi ky libër? Me ma fal, nuk e marr! Këta libra i ka mallkue Zoti, kurse ju shkoni i bleni...Zaten pranej asht prish dynjaja..” E lashë të flasë, mandej fillova ta sqaroja, jo për ti mbushur mendjen atij, por kur thonë: për gallatë. “Kamasutra”- i thashë është emri i Zotit indian, që përfaqëson natyrën seksuale të njeriut. KAMA – po i thoja do të thotë: kënaqësi, dëshirë për seks; kurse SUTRA është një libër i vogël me aforizma. Pra ky libër është “KOD I DASHURISË” që mendohet të jetë shkruar jo më parë se shekulli i parë pas Krishtit dhe jo më pas se shekulli i pestë pas Krishtit.

Ai që e ka shkruar këtë libër është indian dhe quhet Mallanga Vaksyayana që kishte mbaruar studimet për teologji ose siç i themi ne: për fe. Ky libër- vazhdova ti shpjegoj- nuk duhet lexuar e parë si libër pornografik por si një marrëveshje, e cila e pështetur në kulturën që modelon jetën e përditëshme të popullit indian, qëmton shpirtin e tij autentik...” Unë flisja me të, a thua se po bisedoja me një shok timin, i cili kkishte vite që merrej me gjëra të kësaj natyre. Gjithnjë në vazhdim të lojës, fillova ti flas edhe për Kodin Kinez të dashurisë të quajtur “NETËT E DHOMËS SË GJUMIT”. I thashë se ky kod ishte shkruar që në shekullin e dhjetë pas Krishtit nga Tamba Yatsen dhe pasqyron në mënyrë shkencore dhe origjinale domosdoshmerinë e gjetjes së mënyrave të ndryshme të të bërit dashuri. Pastaj i tregova vizatimet e Hokusait japonez, që i kisha kopjuar me aq kujdes. Kur i pa ato, u bë si i çmendur dhe iku të lante duar me sapun, pasi kishte prekur librin e mallkuar nga Perëndia.

Kur u kthye më gjeti duke parë një album tjetër: “ARTI I NUDOVE” (“THE ART OF THE NUDE”), BOTIM I VITIT 1995, ku qenë përmbledhur nudot më të bukura të bërë nëpër kohëra si “Venusi i Milos”, “Pranvera” të Botiçelit, të Masaçios, të Kranak-ut, “Davidin” e Mikelanxhelos, të Ticianit, Tintoretos, Velaskesit, Rafaelit, Rubensit, Fragonardit, të Lui Davidit, Kanovës, Ingresit, Delakruas, Kurbes, Kabanelit, Manes, të Renuarit, Degas Grogenit, Modilianit, Klimtit, Shielit, Pikasos, Matisit e gjer tek e ashtuquajtur “Nudo e panjohur” e Lusjen Frojdit. Ndërsa po i shihja, nuk e ndjeva që ai qe kthyer nga banjo dhe ashtu në këmbë po shihte nudot që po shikoja unë. Kur ngrita kokën për ta parë, ai më tha: U bu buuu, si qenke ti. Ty Perenia, jo në xhehenem, por matanë xhehenemit ka me t’çue.

Ene pa gjyq fare, biles, ka me të djeg si keç...” Ndëgjo këtu- i thashë- Ato që pe janë bërë këtu e njëmijë – njëmijë e pesëqind vjet përpara, kështu që dynjaja nuk është se po prishet tashti, por paska qen prish që atëherë- “ Ai nuk foli më, por iku dhe u ul, në një stol tjetër, përballë dhe që andej më tha: “Unë nuk e di se çfarë je ti, por unë vetë jam një mysliman i mirë, qi falem tre herë në xhami...” As unë nuk e zgjata më, por tek e shihja, mendoja me vehte: “Eh injorancë, injorancë; dhe ec pastaj të bësh përpara!”
 
 
“Ashtu asht, si e the ti; edhe ne kemi pa “elektrik-blu” e “Telenorba”!...”
Duhet të ketë qenë viti 2005-2006, kur më ftuan edhe mua në Durrës për të marrë pjesë në një mbledhje që organizonte Bashkia e Durrësit, për të dekoruar me titullin e lartë: “Nderi i Qytetit” të Durrësit Z.Gëzim Ismaili dhe Z. Bashkim Hoxha, si pionerët e parë të çeljes së Televizioneve private: “SHIJAK-TV” dhe “TEUTA-TV”. Gëzimi si shok, më kërkoi që të flisja diçka për “SHIJAK-TV”-n, pra një lloj përshëndetjeje. Ç’është e vërteta salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” qe mbushur “dingash” kur i thonë. Në përshëndetjen time, unë veç Gëzimit, falënderova edhe Bashkim Hoxhën dhe Gëzim Domin, për ndihmën që dhanë në fillimet e ngritjes së televizionit tonë.

Midis të tjerash thashë: “...Nuk them se Gëzimi ka qenë disident, se në ato vite më ngadalë një cikë, pasi shkoje si kovë pusi, vetëm se një gjë është e vërtetë, Gëzimi dhe një tjetër shok i yni që punonte në Radiostacion, Abdulla Dervishi ose Dulla, na përgatisnin “kanoçe” me të cilat ne shihnim “Sanremo”-n, “Kanconisimo”-n, filma italianë e amerikanë, shihnim “Kupë pjevaca” tek Jugosllavi, madje taze shihnim edhe “Elektrik-blu” e “Telenorba”. Ato jepeshin në orën një e gjysëm-dy të natës e ne ngriheshim si lugetër për ti parë. Bile mbyllnim dritaret me batanije të trasha, që të mos na kuptonin, qoftë edhe komshinjtë, se helbete qenë kohë të frikshme. Ikshe kur thonë si “qeni në vreshtë”... (Atëherë nuk kishte dalë hala shprehja: “Do ikni për lesh!..)Kur e thashë këtë vura re se në sallë u ndje një aprovim i mefshtë, që u shua shpejt. Jam më se i sigurt, që të gjithë kishin parë por mbase nga turpi nuk e thoshin dot. Në moment më shkoi mendja, që pasi e dëgjuan (aty qenë edhe drejtuesit e Bashkisë e të Prefekturës), do të kenë thënë: “Emo se kështu ka fol përherë ky.zaten këta janë kot më kot, si fiava torollakësh!”

Pasi u ndanë dekorimet e mbaroi mbledhja, tek dilnim jashtë, mu afruan shumë shok e miq, që duke më uruar për diskutimin(siç thuhet rëndom), shtonin: “...Vallahi e the tamam, topi nuk e luen. Ashtu kemi qenë ngrejë të gjithë, bile me gjithë gratë. “Ruheshim që të mos zgjoheshin kalamajt. Jemi kënaq e pra!..”Tashti, pas kaq vitesh po mendoj: frikë është apo turp, të thuash të vërtetën?”
Sa kompleks është njeriu i shkretë!

agim faja skulpturat


''Skllavi rebel'' Mikelanxhelo

“Profesor, i paskeni bërë synet, ë?...”
Kjo histori ka të bëjë me frikën, më shumë se me turpin, pasi ka ndodhur më 1956, domethënë këtu e pesëdhjetë e shtatë vjet më parë, kur diktatura sapo kishte nisur te çimentohej atë kohë unë isha nxënës në vitin e dytë të liceut artistik “Jordan Misja” ndërsa vet Liceu i çelur më 1946, ishte në vitin e dhjetë të jetës së vet. Liceu artistik ka qenë dhe është një fabrikë e madhe, që ka nxjerrë me qindra dhe mijëra muzikantë, piktorë, skulptorë, grafistë e aktorë të cilët me talentin e tyre kanë rrezatuar art dhe kulturë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, madje dhe përtej oqeanit në Amerikë, Kinë dhe gjer në Australinë e Largët. Liceu artistik kishte mbledhur të gjithë djemtë e vajzat me prirje artistike, me prirje artistike që nga veriu në jug. Profesorët e degëve të ndryshme shpërndaheshin krahinë më krahinë e qytet më qytet për të gjetur dhe marrë këta të prirur.

Të bashkëjetuarit në një shkollë e në një konvikt (orët e kulturës së përgjithshme i bënin bashkërisht, gjer në orën 11.00, pastaj ndaheshin sipas degëve), ndikoi shumë jo vetëm në formimin tonë, por edhe në kulturën tonë. Ne ndiqnim aktivitet e njëri-tjetrit; ndiqnim saxhot dhe koncerte e bashkënxënësve tanë të muzikës apo shfaqjet teatrale të atyre që studionin për dramë dhe ata ndiqnin ekspozita tona. Kjo bëri që ne, të cilët vinim nga vende të vogla, qoftë dhe unë që vija nga Shijaku, që shumë-shumë kisha dëgjuar vetëm këngët “K’no moj qyqe se po vjen behari….”, “Kacollen tate moj goce!” e “Ra faja prej fiku….”, taze fillova të shijoja koncertet për violinë të Paganinit, Uverturat e Bethovenit, muzikën e Verdit, të Moxartit, të Listit, Uverturat e Glinkës, muzikën e Maçaturianit, interpretimet e David Ojstrahut, etj.

Gjithë ditën e ditës e deri në orën njëmbëdhjetë të natës (se pastaj nuk të lente xhaxhi Todi me kujdestaren Afërdita), Liceu uturinte nga tingujt e pianos, të violinës, violonçelit, kornos, fagotit, klarinetës e flautit, zërat e atyre që studionin për kanto, etj.
Në të gjitha klasat dhe korridoret e Liceut veç riprodhimeve të veprave të piktorëve të shquar europianë, qenë vendosur edhe skulptura në gips e mermer të artit grek e të Rilindjes Italiane, madje dhe atyre rusë, bullgarë, bullgarë, rumunë, etj… Sjell ndërmend “Venusin e Milosit”, “Dionisin”, “Diskobolin”, “Hedhësi i shtizës” , “Davidin” e Mikelanxhelos, e sa e sa të tjerë të panumëruar.

Ato, ne nxënësit e figurativit i vizatonin vazhdimisht. Madje syrin, hundën, buzët dhe veshin e Davidit të derdhur në allçi, i kishim modele detyrash mësimore, që i studionim me një majë lapsi të mprehur si gjilpërë. Skulpturat meshkuj, domosdo kishin nga një organ të vogël seksual, sa për shenjë që nuk shqetësonin fare, ne nxënësit jo se jo, por as nxënëset.

Atë fillim viti, siç na dëftoi profesor Abdurrahim Buza, i cili na jepet lëndën e dekoracionit (pllakatin, skenografinë, tekstilin dhe akuarelin), në Lice do të vinte për vizitë shoku Ramiz Alia, që atë vit ishte ministër i Arsimit. Drejtori i shkollës me ta mësuar këtë gjë, kishte porositur nja dy-tre vetë, që me çekiç e daltë t’ua prishnin shenjat e çikave. Kështu edhe “Diskoboli” (gjith ai gjimnast), edhe “Dionisi” (gjith ai perëndi i verës) “Baku” (perëndia e dashurisë..., që thonë se pa seks nuk ka dashuri) apo gjithë ai David, hero i lashtësisë, që vrau përbindëshin Goliath), qenë kthyer në: hadëm, siç quhen meshkujt që lindin pa organe seksuale ose siç i quan në një roman të tij Ismail Kadarea ynë: “dele-dash”.

“Para se të fillonim mbledhjen, (na tregonte prof.Buza, se ne nuk mudn të ishim prezentë, sepse ishim nxënës), shoku Ramiz duket i informuar nga dikush, së bashku me gjithë kolektivin pedagogjik, pedagogët e kulturës së përgjithshme dhe të asaj artistike, bëri një shëtitje në korridorin, ku ishin vendosur skulpturat, i shihte me kujdes aty ku ishin dëmtuar, pastaj, si ndali para figurës së “Davidit”, mue më njihte që herët se e kisha pas nxanës në Gjimnazin e Tiranës dhe më tha duke qeshur: “Profesor Buza, i paskeni ba synet, ë?!”. Pastaj filluem mbledhjen....”
Megjithatë kjo është një histori e më shumë se gjysëm shekulli më parë.
 
Pasfjalë
Të botosh në gazetën tënde një tablo të bërë këtu e njëqind vjet të shkuara, jo vetëm që nuk përbën faj e turp, por përkundrazi është nder. Pse ka bërë “Origjinën e botës” për Kurbenë kurrë nuk është zbehur respekti dhe dashuria. Ose pasi ke lexuar “Ditari sekret” të A.S.Pushkinit, me tërë ato gjëra të fshehta dhe mendime të lira si:
. “Gratë janë qenie me seks, i cili në çastin e kënaqësisë, u rreh si zemër”
. “Afshi, padurimi, dridhjet, epshi, ja çfarë na bëjnë të besojmë, se jemi ende gjallë”
. “Femra oshëtin thellë ose kur vdes, ose kur ndjen kënaqësi seksuale”.
. “Tek vagina dhe jo tek zemra, ndodhet shpirti”.
..............
Dhe këtë ditar, Pushkini ia kishte kushtuar gruas së vet dhe kishte lënë amanet, të botohej pas 100 vjetësh, për të asnjëherë nuk na është zbehur adhurimi; apo për zonjushën Margaret Celle, superseksin, superartisten dhe superagjenten Mata Hari, e cila siç thonë studiuesit “...kishte lindur për të kënaqur e mahnitur njerëzit për së gjalli dhe pas vdekjes”.

Ditari i saj i mbushur me tërë ato skena kënaqësie njerëzore e mahnitëse, botuar në dhjetëra e dhjetra vende të botës dhe lexuar e rilexuar nga miliona njerëz, na bën jo vetëm ta nderojmë e ta duam, por edhe të na vijë keq për vdekjen e saj. Ose kur shohim portretin humoristik, shoqëror, që i kanë kushtuar filozofit të madh Sigmund Frojd, duke i vizatuar në tërë portretin e tij, figurën e një gruaje të shtrisë, seksi i së cilës është syri i tij, bërë kjo në ilustrim të thënies: “në mendjen e një burri është një grua”, jo vetëm nuk e përçmojmë, por përkundrazi e vlerësojmë si një fletë grafike filozofike dhe artistike, që me kënaqësi e mbajmë në muret e studios, tamam si një vepër arti.

Kështu ndjejmë respekt e krenari për shkrimtarët dhe poetët tanë, që i kanë kushtuar vargje të tëra dhe aforizma shumë të menduara asaj pjese të trupit femëror që Kurbeja, kur e pikturoi e quajti “Origjina e Botës”.
 
“...të këndoj për qafën, të këndoj për supat,
për krahët, llërët, dritë dhe argjend,
të këndoj krahërorin, për ato dy kupat,
që një botë të tërë e kanë lënë pa mend.
 
Të këndoj këngën e vetme, pa të dytë,
Ej shpirt, ashiku e bandilli yt
Të këndoj për mesin, këmbët magjistare,
Që prekin të fshehtërit, të lumtërin fare
 
Këndonte që më 1760, bejtexhiu beratas Sulejman Naibi.
Apo Çajupi i madh tek poezia: “Nyja tri”, pasi shtron kërkesat për gruan, që të ketë tri gjëra të gjata, tri gjëra të bardha, të zeza të vogla e të gjera, në fund shkruan:
“... Tri të ngushta të ketë femra,
Goja, mesi e ço të jetë,
Të tretën që ma do zemra
Se them dot, por gjejeni vetë.*****)
 
Kur qe i moshuar fare, Lasgushi ynë këndonte tek poema “Kamadeva”
“..................................
Dhe prapë o zemër ti,
Pa kuvenduar,
Pushtuar gji për gji,
Sy perënduar.
 
Dhe qeshe dashurisht,
Moj dashurore,
Dhe u skuqe nusërisht,
Moj nusërore
.............................
Ah, ç’bëmë ashtu, ashtu
Kaq nëmë e gjëmë
Çfarë bëmë ashtu, bukur!
Sikur gjë s’bëmë?
.....................................
“Nga të gjithë puset, më i errëti dhe më i fshehti është ai i femrës”- shkruan Ismail Kadare, kurse Dritëro Agolli kërkon me vargjet e tij lirikë:
“U çmenda po lidhmëni,
Te mikesha shpimëni,
Ajo di e bën magji,
Me mollët që ka në gji.
 
Tek dy mollët zgjidhmëni,
Sipër mikes shtrimëni,
Të më kthejë me magji,
Nga plak në djalë të ri!”
 
Pa asnjë rezervë turpi, shkrimtari i njohur francez Gustav Flober, shkruan: “Organi gjenital i femrës është qendra e çdo dashurie njerëzore”.
 
.”seksi është forma më intime e të bërit art”
. “Seksi ndreq profesionin
. “Seksi është një lloj droge për ti ikur realitetit, për të harruar hallet e ditës dhe për tu çlodhur”
. “Të bësh dashuri, është shumë më tepër se një takim mishtor, është një përqafim i sferave gjenitale”
. “Kur trupat e çiftit burrë e grua, mësojnë të flasin gjuhën e shpirtrave, ky quhet seks”
....... shkruan paulo Coelho në romanin e tij “Njëmbëdhjetë minuta”.
. “Organet gjenitale, për të cilët kodoshët mendjendritur kanë shpikur lloj-lloj emrash përfaqësojnë shpirtin e njeriut. Ato janë simbole të marrëveshjes së zotit me njeriun. Ato përfaqësojnë shëmbëlltyrën e zotit”.... shkruan në romanin “I penduari” Isak Bashevis Singer.
.“Seksi është energjia më jetësore e njeriut”
.“Seksi është energji krijuese”
.“Seksi nuk është mëkat”
.“Të duash është lumturi, prandaj dashuroni!”
.“Fetë janë kundër seksit, sepse e dijnë, që ai është akti më i kënaqshëm për njeriun”
.“Dashuria është frymëmarrje e shpirtit”
.“Jeta duhet të jetë pasionante ajo duhet shndërruar në një pasion drithërues...” shkruan filozofi i madh indian OSHO.
.“Dashuria është dalldi e mishit dhe dehje e shpirtit” Isabel Alende
.“Seksi të shijon më shumë me kalimin e moshës”, shkruan këngëtari Xhorxh Majkëll.
.“Gratë pa dashurinë e burrave fishken, kurse burrat pa dashurinë e grave budallepsen” shkruan Anton Çehovi

Vetë seksi thonë se ka lindur në atë moment, kur Adami dhe Eva mbuluan lakuriqësinë e tyre, ndaj dhe kanë shkruar: “Dikush në kokë ma ka shtënë se fruti i ndaluar, qe seksi i Evës
dhe se  gjarpri, që zbriti nga dega tjetër gjë nuk ish
veç organi i Adamit”.
Për këto probleme njerëzimi ka folur që në hershmërinë e tij: “Mua vetëm seksi dhe gjumi më bëjnë njerëzor”, shprehej Aleksandri i Madh, kurse poetesha e antikitetit, Safo, do të shtronte pyetjen: “A ka gjë më të bukur se gruaja?”

O njerëz!
Të gjitha këto, që rreshtova më sipër, i kam qëmtuar nëpër libra të lexuar që kur isha i ri dhe siç e shihni, nuk janë aforizma dhe mendime horrash e rrugaçësh, që pasi drogohen, qoftë edhe me verë, birrë dhe raki flasin lart e poshtë, ç’tiu vijnë nga goja, por janë thënie shkrimtarësh, studiuesish dhe mendimtarësh të shquar, vlera të rrallë e të paçmuara të Fondit Njerëzor, ashtu si dhe Kurbeja i madh, që “i këndoi” me aq pasion dhe dashuri “Origjinës së botës”.
 
“Origjina e Botës” është një portret pikturalo-filozofik, i bërë nga një mjeshtër i shquar, siç është Gustav Kurbe dhe jo nga një vagabond, që e shiti talentin e tij për 20.000 franga. “Origjina e botës” është portreti i Nënës së gjithë rruzullit tokësor. Askush nuk ka dalë gjer më sot, të thotë se i vjen turp të pranojë se ajo është nëna ime. Nga ajo nënë kanë dalë: faraonë e faraonesha, perandorë e perandoresha, mbretër, princër, mbretëresha e princesha, shkrimtarë e shkrimtare, artistë dhe artiste, shkencëtarë filozofë e dijetarë, madje dhe diktatorët me mustaqe dhe pa mustaqe, që andej kanë dalë, ajo është origjina e tyre. Dy javë pasi më kishte ardhur si riprodhim i bukur i “Origjinës së botës”, më erdhi në studio shoku, miku dhe kolegu im, Muntaz Dhrami, “skulptor i popullit”) dhe kur ia tregova më tha se kur kishte qenë në Paris tek e bija e kishte parë në origjinal. Më dëftoi që të shihje atë vepër të Kurbesë, duhej të paguaje mbi biletën e zakonshme të vizitës. Ajo ruhej në një pavijon në veçantë, me xham shumë të pastër antiplumb dhe me perde, të cilat hapeshin pasi paguaje.

Dhe më duket me vend që në këtë diskurs të gjatë, ta mbyll me atë çka shkruan Annie Renoux, tek “Pasion femre”: “më vjen keq që nuk ekziston një tablo e pikturuar nga një grua, që do të provokonte aq emocione të paçmueshme sa piktura e Kurbesë, që nxirrte në plan të parë seksin e një gruaje, me fytyrën që nuk i duket e që titullohet: “Origjina e Botës”
 
Shijak 28.9.2013
 
Agim Faja
Piktor i Merituar 
 
* * * * *Kjo poezi, përveç vëllimit “Baba Tomori” të botuar nga “Dhori Koti” e Korçës, më 1913, gjatë diktaturës nuk u fut asnjëherë në botimet e Çajupit. 

Shkrimi u publikua sot (18.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi