Nga Prishtina, Bylbyl Sokoli ka analizuar fitoren e Shqipërisë kundër Serbisë dhe të Kosovës kundër Suedisë. Të dyja skuadrat mbajnë vendet e dyta në grupet respektive kualifikuese, ndërsa kanë shanse që të marrin një biletë për në fazën finale të Kupës së Botës 2026. Nëse Shqipëria matematikisht nuk e merr dot vendin e parë në Grupin K, Kosova ka shanse që të kalojë Zvicrën në Grupin B dhe të kualifikohet direkt për në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Me gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv, Sokoli vendosi theksin te karakteri i formuar i dy skuadrave, ndërsa kishte një këshillë për Kosovën, pasi në momentin që duhen pikët, ekipi 'del nga binarët'.
Rivalët e muajit nëntor për Shqipërinë janë Andorra në udhëtim dhe Anglia në Tiranë, ndërsa Kosova luan në transfertë kundër Sllovenisë dhe pret Zvicrën në Prishtinë. Dy takimet janë të fundit për objektivat e kësaj fushate kualifikuese.
"-Fitorja e Kombëtares në Serbi...
Shumë entuziazëm dhe shumë festë, kundër provokimeve në tribuna dhe kundër thirrjeve të serbëve në Leskovc. Sjellja e futbollistëve tanë ishte në nivel shumë të lartë, sidomos në nivel psiqik. Pashë një ekip që nuk ishte në eufori, por gjithçka e kemi pasur nën kontroll. Kjo ishte një fitore që solli festë dhe të gjithë e pamë. Kudo ku ka shqiptarë, kjo ndeshje konsiderohet hisorike edhe për faktin se me mposhtjen e tyre kemi shanse për të qenë në Kupën e Botës.
-Anglia në Botëror, dueli mes Shqipërisë dhe Serbisë për vendin e dytë...
Nuk ka përfunduar asgjë, do jetë shumë e vështirë. Një fitore, e cila është detyruese është e vështirë në Andorra. Kemi parasysh që kemi një vetbesim të madh në ekip, por ndeshjet që duhet të fitohen janë më të vështira. Kemi Anglinë që ka siguruar kualifikimin. Pastaj Serbia, e patë që nuk ishte dobët. Nuk ka marrë ende fund. Shanset janë që Kombëtarja jonë të jetë në vendin e dytë. E kemi fatin në duart tona. Anglinë e presim më pas në Tiranë.
-Momenti i artë i Kosovës...
Nëse bëjmë një krahasim me kundërshtarët e Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se Kosova ka diçka më shumë në favor. Luajmë në Slloveni dhe më pas presim Zvicrën. Me pak fat, nëse fitojmë dy ndeshje shkojmë direkt në Botëror dhe është diçka e mundur sepse kemi cilësi dhe vlera në ekip. Në Prishtinë kundër Sllovenisë bëmë një ndeshje të dobët, por kjo nuk do të thotë se do ndodhë edhe në Ljubljanë. Takimet do jenë të vështira, por kemi një ekip me karakter. Kemi oshilacione dhe në momentet kur na duhen pikët, 'dalim nga binarët'. Por shoh një ekip me karakter të pjekur. Nëse do jemi të vetëdijshëm për sfidën, gjithçka tejkalohet.
Mendoj se të dyja skuadrat, si Shqipëria dhe Kosova janë të vetëdijshme që kemi shansin historik për t'u kualifikuar. Më parë të mendojmë që të kapim vendin play-off, këtë të mendojë Kosova. Kemi përvojë dhe them se do ia dalim në këto ndeshje. Nëse Shqipëria dhe Kosova do kalonin, do ishte diçka historike", tha Sokoli për Report Tv.
Komente




