TIRANE - Komisioni i Disiplinës pranë FSHF për shqyrtimin e problemeve disiplinore te konstatuara ne ndeshjet e kategorive te ndryshme te Kampionatit Kombëtar te Futbollit dhe për shqyrtimin e kërkesave të paraqitura, pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur, si dhe diskutoi cështjet në tërësi.

Në përfundim bazuar dhe ne nenin 78 të KDS ekipi i Bylisit për aktivizim të lojtarit të gjashtë të huaj në ndeshjen me Skënderbeun në kundërshtim me përcaktimet e nenit 128 të Rregullores së FSHF, duke qenë se është i ndaluar aktivizimi ne fushën e lojës i më shumë se pesë lojtarëve të huaj njëkohësisht dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 në favor të Skënderbeut dhe zbritjen e 3 pikëve nga klasifikimi dhe 600.000 lekë gjobë.

Këto kanë qenë tre dënimet që janë marrë për ekipin e Bylist për aktivizimin e lojtarit të gjatë në ndeshjen me ekipin e Skënderbeut në Korcë, ku ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2. Futja e lojtarit të gjashtë nga ekipi Bylisit është komentuar nga drejtuesit e ekipit si një gabim njerëzor nga drejtuesit e ekipit, por drejtuesit e Skënderbeut kanë vrapuar në FSHF për të kërkuar tre pikët në tavolinë.

Pas vendimit për heqjen e tre pikëve dhe humbjes në tavolinë ekipit të Bylisit zbret automatikisht në vendin e 10 në renditjen e Superligës duke qenë në zonën e ftohtë të luftës për mbijetesë. Theksojmë që vetëm pak javë më parë ishte në garë për një vend në kupat e Evropës por shumë shpejt ëndrra u shua.

Madje brenda një jave u rrënua, pasi fillimisht u dënua me 15 milionë lekë me një gjobë për trukimin e ndeshjes me ekipin e Flamurtarit, ndërsa dy javë më pas vjen goditja e dyfishtë që i heq 6 pikë dhe e zbret në fund të renditjes. Ndërsa ekipi i Skënderbeut kërcen në vendin e parë, por tashmë i shkëputur me 9 pikë nga ndjekësit më të afërt që janë 'djemtë e detit'.

Një vendim tjetër i Disiplinës është dhënë edhe për Astrit Isajin, i cili për protesta ndaj vendimeve të arbitrit, në bazë të nenit 56 te KDS dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Vendimet e Komisionit të Disiplinës për ekipin e Bylisit kanë qenë të pritshme për publikun, pavarësisht se në rregullore nuk përcaktohet qartë dënimi për shkelësit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.02.2013

Redaksi Online
(b.m.shqiptarja.com)