ÇËRRIK - Në lidhje me pretendimin e kandidatit të Partisë Demokratike, Qamil Boja se simpatizanti i kësaj force politike, Erjon Baha është aksidentuar me makinë nga simpatizantë të LSI-së, ka reaguar Policia e Elbasanit.

Nëpërmjet një deklarate për mediat Policia e Elbasanit sjaron se nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezulton se kemi të bëjmë me humbje të kontrollit të mjetit dhe daljes së tij nga rruga. Policia ka sqaruar të gjithë procedurën që ndoqi pas kësaj ngjarje, duke theksuar se personi i dëmtuar nuk nuk paraqiti pretendime para Policisë, por ai pohoi se kishte dalë nga rruga pasi kishte humbur kontrollin e mjetit.

aksidenti cerrik
aksidenti cerrik
( Në foto i aksidentuari Erjon Baha, në spital )

Gjithashtu në njoftimin e policisë thuhet se nga deklarata e Bahajt, konfirmohet se në momentin e aksidentit aty nuk ka pasur asnjë mjete e asnjë person tjetër. 


Deklarata e plotë e Policisë së Elbasanit
Lidhur me lajmin e publikuar në disa media, ku kandidati për Kryetar Bashkie i subjektit politik Partia Demokratike në Cërrik, Qamil Boja pretendon se simpatizanti i kësaj force politike shtetasi Erjon Baha, në fshatin Shtërmen është aksidentuar me automjet nga një simpatizant i LSI-së, Policia e Elbasanit sqaron se: 
Në datë 19 qershor, rreth orës 23:00 nisi  procedimi penal në gjëndje të lirë në ngarkim të shtetasit Erjon Baha, 24 vjeç, me banim po në  fshatin Shtërmen - Elbasan.  Drejtoria e Policisë së Elbasanit u telefonua nga Urgjenca e Spitalit Cërrik, për një shtetas të dëmtuar. Shërbimet e Stacionit të Policisë në Cërrik, shkuan në Spital dhe kontaktuan të dëmtuarin për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shërbime të tjera të Drejtorisë Policisë në përbërje dhe ekspertët kriminalist, shkuan në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur aksidenti.  
Pas verifikimeve u konstatua se mjeti tip Honda, me targa AKB 5746, me drejtues mjeti shtetasin Erjon Baha, kishte dalë nga rruga, ku si pasojë ishte përplasur me një mur rrethues të një banese dhe kishte përfunduar në kanal. Dëmtimi i mjetit erdhi si pasojë e përplasjes. 
Personi i dëmtuar nuk dha shpjegime dhe nuk paraqiti pretendime para Policisë, veçse pohoi se kishte dalë nga rruga pasi kishte humbur kontrollin e mjetit. 
Nga deklarimet e personave që shkuan së pari në vendngjarje konfirmohet se nuk kanë parë mjete të tjera, apo persona të tjerë, veç mjetit të mësipërm dhe drejtuesit të mjetit, të cilit i kanë dhënë ndihmën e parë.  
U morën kampionet e gjakut dhe janë dërguar në Laborator për të kryer ekspertimet përkatëse. 
Nga teresia e veprimeve hetimore te kryera rezulton se kemi te bejme me humbje të kontrollit të mjetit dhe daljes së tij nga rruga. 
Për këtë rast materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290 Kodit Penal.

 
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)