Ca fjalë për një forum
të financave publike

Ca fjalë për një forum<br />të financave publike
Ministria e Financave e Shqipërisë nuk e pa të arsyeshme të merrte pjesë në një forum rajonal ku është debatuar për financat publike, informalitetin, borxhin dhe politikat e njehsuara rajonale. Nuk kishte asnjë argument kjo mospjesëmarrje, sa që edhe organizatorët nuk dhanë ndonjë përgjigje se përse mungonte Shqipëria në një samit të tillë (kur kishte konfirmuar edhe pjesëmarrjen) në të cilin merrnin pjesë ministrat e Financave, guvernatorët e Bankave Qëndrore dhe drejtorët e Administratave Tatimore të Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Slovenisë, Maqedonisë, Republikës Srbska dhe Kosovës.

Mungesa e kreut shqiptar të Financave (ai kishte ikur në Francë, pa lajmëruar organizatorët e forumit) nuk ma do mendja se tregon se Shqipëria është lider në rajon sa i përket menazhimit të financave publike, as sa i përket borxhit dhe menazhimit publik të tij dhe as sa i përket formalizimit të ekonomisë, tema të cilat përfshinë në një debat profesional dhe akademik edhe personalitetet e shteteve të mësipërme.
Shqipëria, ndërkohë, kishte e mund të sillte përvojë në luftën kundër informalitetit, një operacion dyvjeçar i autoriteteve që tani ekzekuton fazën e dytë të një strategjie gjithpërfshirëse (jo vetëm të Ministrisë së Financave). Por Shqipëria mungoi në këtë samit!
 
Çfarë mund të jepte e merrte Shqipëria në një debat për financat dhe borxhin publik?
Në fakt këtë e bëri suksesshëm ministri i Financave i Kosovës, z. Avdulla Hoti. Me thjeshtësi e profesionalizëm, z. Hoti tha se Kosova (që e mbylli vitin 2015 me një rritje ekonomike prej 4 % të PPB) për herë të parë nuk e ka realizuar rritjen ekonomike nga rritja ekonomike e sektorit publik, por e atij privat. Eshtë e vërtetë që nga investimet me para publike (investime kapitale, sidomos në infrastrukturën rrugore) Kosova ka shënuar rritje ekonomike deri në 6 %. Por investime të tilla nuk mund të jenë pjesë e çdo buxhetimi. Kosova tani duhet të sigurojë investime private. Dhe treguesit janë të dukshëm: Pas rritjes me 10 % të të ardhurave në vitin 2015, në periudhën janar-maj 2016, Kosova rriti të ardhurat buxhetor me 16 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe më tepër se planifikimi vjetor. Duke respektuar, sikurse tha ministri Hoti, një mesazh të qartë për sipërmarrjen private: “parashikueshmëri dhe transparencë”. Ky mesash sjell doemos të ardhura.

Ministri Shqiptar i Financave, do të mund të kishte parë nga afër se sa seriozë në paraqitje dhe argument janë autoritetet kosovare dhe do të mund të tregonte më pas se përse investimet publike në Shqipëri janë në këtë “derexhe”, se përse investimet e huaja në pesë muajt e këtij viti janë shumë më poshtë se sa ato të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar dhe se përse të ardhurat nuk janë realizuar sipas planit (Ahmetaj thotë se ato janë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar ?!)
Po ajo që do të duhej të kishte dëgjuar z. Ahmetaj dhe stafi i tij (askush nga Ministria e Financave nuk kishte marrë mundimin të vinte në këtë forum, kaq afër gjeografikisht)  kishte të bënte me përvojën unike në rajon e më gjerë të Kosovës, që ka të bëjë me bashkimin real të administrative publike të tatimeve dhe doganave! Ky nocion ka qënë dhe është pjesë e programit politik të maxhorancës së sotme shqiptare, por nuk ka asnjë shenjë se është një premtim që mund e duhet të realizohet.

Kosova, ndërkohë, ka hedhur hapin e parë të rëndësishëm dhe ministri homolog i Ahmetaj nga Kosova tregoi në samit edhe përfitimet dhe sinergjinë që krijon ky bashkim, duke filluar nga 1 janari i 2017-ës!
Në Shqipëri, mesa duket, do të vijojnë të merren me studimin e porositur dhe të realizuar tashmë nga një shoqatë!? Fjala është për modelin gjeorgjian, që integron doganat me tatimet dhe që  konsiston në reduktim taksash, konkretisht nga 22 në 6 dhe në integrim të Kodit Doganor dhe atë Fiskal. Që do të thotë, me pak fjalë se, ky model as që mund të jetë i aktualizuar në 4 vjeçarin e parë të qeversjes së mazhorancës së majtë!

Në samitin e ministrave të Financave të rajonit do të kishte vend fjala e Shqipërisë për operacionin antiinformalitet, rezultatet e të cilit, sidomos për fazën e parë, mund të përbënin një model në rajon. Edhe pse, sipas minstrave të shteteve pjesëmarrësve në këtë samit, “vendet veç e veç nuk mund ta luftojnë të vetëm këtë informalitet”.
Po marr vetëm një element që u përdor si argument, mes shumë të tjerëve: tregu i cigareve dhe duhanit, i humbet rajonit jo më pak se 400 milionë euro nga kontrabanda dhe evazioni (një studim me vlerë i JTI-së në këtë sektor, mund t’ i shërbente ministrit Ahmetaj). Shqipëria nuk arriti dhe nuk po arrin do të realizojë as kufizimin e shitjes pa taksa të duhanit të grirë dhe as evazionin që vjen sidomos nga kontrabandimi kufitar i cigareve. Dhe jo vetëm në produktin “cigare”! Forumi trajtoi në mënyrë të plotë edhe ndërprerjen e rrugës së kontrabandimit të kafes, që kalon nga Tivari në Kosovë e më pas, pothuajse, në të gjithë vendet e rajonit.
 
Reformë sistemit tatimor, jo rregullime të pjesshme
Ka qënë ministri kroat i Financave Zdravko Mariç, i cili, referuar problemeve të vendit të tij në menaxhimin e financave publike iu tërhoqi vëmendjen ministriave homologë se “asnjë reformë pjesshme (parciale) nuk mund të sjellë rezultatet e pritura, sepse sjell mosbalancim. Vetëm një reformë e plotë e sistemit tatimor, shoqëruar me uljen e ngarkesës tatimore, do të sjellë rritjen e të ardhurave, -tha numri një i financave të Kroacisë. Kroacia shënon probleme me thithjen dhe përdorimin e fondeve në dispozicion të BE-së (si vend anëtar që është), por një zgjidhje e shihte te koordinimi dhe bashkëpunimi me dhomat e tregtisë dhe bizneset.

Shqipëria, ndërkohë, është duke rishikuar në përmirësim procedurat tatimore, por nuk ka asnjë nismë për ndonjë reformë në sistemin fiskal, sikundër ishte premtuar. Rregullimet e pjesshme, ndryshimet e paparashikuara dhe disa herë edhe të gabuara të rregullave fiskale, problemet me administratën dhe nivelin e administrimit të taksave, kanë bërë që Shqipëria, ndryshe nga vendet e rajonit, të ketë probleme që shfaqen më pas në klimën e të bërit biznes, tregues që e rënditin vendin më poshtë se sa janë mundësitë dhe avantazhet e tij.
 
Rritja ekonomike, borxhi dhe çmimi i tij
Kanë qënë interesante qasjet e ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qëndrore sa i përket rritjes ekonomike të Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës etj. Rritja mesatare prej 2-4 % të PPB e këtyre vendeve nuk është e mjaftueshme për një mirëmenaxhim të borxhit publik (përjashto Kosovën, e cila nuk ka trashëguar një borxh të “vjetër”, e ka këtë borxh sa 13 % e PPB dhe korniza ligjore e deritanishme nuk ia lejon rritjen e borxhit më shumë se 2% në vit).

Në këto kushte me të drejtë mund të pyetet: “A është e mjaftueshme kjo rritje për të menaxhuar borxhin publik? A e zgjidh kjo sfidën e papunësisë, që është pothuajse e ngjashme në të gjithë vendet e rajonit? A duhet që qeveritë tona ta shohin deficitin rezultat të rritjes së të ardhurave dhe zvogëlim të shpenzimeve apo edhe nënshpenzime në ekonomi? Sa kontribuon rritje e të hyrave fiskale në ruajtjen e strukturës së borxhit, kur investimet janë në rënie?
Këto përvoja mund e duhet të debatoheshin edhe nga zyrtarët tanë të Financave, për të argumentuar nëse rritja 2-4 % mund të ndihmojë në uljen e deficitit tregtar dhe për t’iu përgjigjur pyetjes  se a janë çmimi më i mirë i borxhit reformat, apo kushtet globale në të cilat zhvillohet ekonomika kombëtare dhe rajonale? 


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Doçi në ‘Repolitix’: Shkëlzeni sekser, mori 700 mijë euro nga biznesmenët se i favorizoi te Berisha! 400 mijë euro fatura fiktive të Argitës

Doçi në ‘Repolitix’: Shkëlzeni sekser, mori 700 mijë euro nga biznesmenët se i favorizoi te Berisha! 400 mijë euro fatura fiktive të Argitës