TIRANE - Drejtori i Policisë së Shtetit  Haki  Çako priti në një takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon.
 
Çako theksoi se vizita është një tregues i qartë që shpreh bashkëpunimin mjaft të mirë me Britaninë e Madhe.
 
Ambasadori Nicholas Cannon ka uruar Drejtorin e Policisë së Shtetit për emërimin në detyrën e re, si dhe vlerësoi marrëdhëniet mes dy policive, veçanërisht  në fushën e  luftës kundër  krimit të organizuar dhe kontrollit të emigracionit ilegal.
 
Ambasadori britanik ka vlerësuar si një ide të mirë ngritjen e Byrosë së Hetimit.
“Ju duhet që ta ngrini atë duke kapërcyer pengesat ligjore që t’ju ndihmojmë  me asistencë.  Ne besojmë se ngritja e Byrosë së Hetimit do t’i japë një shtysë luftës kundër korrupsionit” tha ambasadori.
 
Drejtori i Policisë së Shtetit u shpreh se po punohet për të gjetur një zgjidhje ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi kapitullin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Ligjin e Policisë, duke i mbetur bindjes për të ngritur këtë strukturë sipas modeleve më të mira të partnerëve.
 
Britania e Madhe mbetet një ndër partnerët kryesore dhe mbështetës për  sektorin e teknologjisë.
Sfidat më të mëdha tonat  janë  në drejtim të flotës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, u shpreh ÇAKO
Ai shtoi se Policia Shqiptare është në një proces ristrukturimi dhe po i kushtohet vëmendje luftës anti- terror, duke ngritur një Drejtori të posaçme.
 
Ambasadori Cannon ka  vlerësuar ngritjen e strukturave anti-terror  dhe ka theksuar faktin se ristrukturimi nuk duhet të mbetet në një institucion të vetëm , por  është kompleks dhe përfshin një sërë hallkash që duhet të funksionojnë bashkë, si Polici, Prokurori e Gjykatë.
 
Më tej Ambasadori Nicholas Cannon vlerësoi veçanërisht rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit ilegal.
Cannon tha se Britania do të ofrojë eksperiencë dhe ekspertizë për antiterrorizmin. 
Së fundmi, Ambasadori ka vlerësuar performancën e policisë duke u shprehur se ka  përmirësim të dukshëm  në punën e policisë, gjë që duket dhe evidentohet çdo ditë. 
 
Drejtori i Policisë së Shtetit  z.Çako  pasi e ka falënderuar Ambasadorin për vlerësimin , është shprehur se ne jemi të qartë në këtë vizion, që Policia e Shtetit duhet të jetë një shërbim cilësor për komunitetin si çdo strukturë e zbatimit të ligjit.  

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)