Misioni ‘Champions’ mbetet ende në lojë për Milanin pasi skuadra e drejtuar nga Gatusso ka fituar minimalisht 0-1 ndaj Fiorentinës në javën e 36 të “Seria A”. Në Firence ‘djalli’ mori një trepikësh me mjaft vlerë falë Hakan Calhanoglu, i cili me golin e tij mban ende në lojë kuqezinjtë për të arritur një vend që të dërgon në “Champions League”.
Turku me numrin 10 në minutën e 35 devijoi me kokë një kros të Suso-s duke e bërë të pamundur reagimin e portierit mik. Edhe pse Fiorentina me kalimin e kohës rriti nivelin e lojës, herë Donnarumma dhe herë tjetër fati bëri që porta e Milan të mbente e paprekur. Në fund fitorja e ngjit “djallin” në kuotën e 62 pikëve, 1 më pak se Interi i vendit të katërt dhe 3 më pak se Atalanta e vendit të tretë. Ndryshe nga këta të fundit, Inter ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj jave pasi do të luajë të hënën kundër Chievo-s.
Ndërkohë 3 pikë shprese këtë javë në “Seria A” ka marrë edhe Lazio që në transfertë ka mposhtur me rezultatin 1-2 Cagliari-n. Në ‘Sardegna Arena’ miqtë nga kryeqyteti morën avantazhin më minutën e 31 falë spanjollit Luis Alberto, i cili konkretizoi në mënyrë perfekte një aksion të bukur të skuadrës së drejtuar nga Inzaghi.
Në fillimin e pjesës së dytë Lazio shfrytëzoi më së miri hapësirat e lëna nga Cagliari duke kapur në kundërsulm vendasit dhe duke dyfishuar rezultatin me Correa-n. Në ekstremin e lojës Pavoletti shkurtoi diferencat, por koha e mbetur në dispozicion të vendasve ishte shumë e pakët për të dalë me pikë nga ky takim.