Calussi, italiani që po ‘zbardh’ krimet e fashizmit në Shqipëri: Nga ’39 në ’43, ishin 30000 të internuar! Korrupsioni i sistemit ‘Ciano’, i ushqyer dhe nga elitat vendase

Calussi, italiani që po ‘zbardh’ krimet e fashizmit në Shqipëri: Nga ’39 në ’43, ishin 30000 të internuar! Korrupsioni i sistemit ‘Ciano’, i ushqyer dhe nga elitat vendase

Foto ilustruese, gjate sistemit fashist ne Shqiperi

Studiuesi italian dr. Jacopo Calussi  nga Universiteti i Teramos në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve ka ndërmarrë nismën për të hulumtuar mbi sistemin fashist të vendosur në Shqipëri. Në punimin e tij të parë "Sistemi fashist i internimit dhe pushtimi italian i Shqipërisë. Një studim mbi marrëdhëniet ndërmjet ushtrisë dhe popullsisë", ai u fokusua në disa aspekte të pushtimit fashist në vendin tonë, si struktura represive e regjimit fashist, bashkëpunimi që ka ekzistuar ndërmjet pushtuesve italianë dhe niveleve të ndryshme të qeverisjes shqiptare për shtypjen e rezistencës në Shqipëri, si dhe menaxhimi i kombësive e ndryshme, kryesisht hebrenjve në territorin shqiptar. Sa i përket aspektit ekonomik, historiani cek në këtë studim krizën financiare që preku vendin tonë në 1940-ën, me fillimin e luftës italo greke.

“I ashtuquajturi 'sistemi Ciano' bazohej në korrupsion të gjerë, të ushqyer nga elitat vendase dhe vetë zyrtarët fashistë, të cilët vetëm herë pas here sanksionoheshin dhe tërhiqeshin për mashtrime dhe përvetësime të tjera. Disa zgjedhje të liga në çështjet monetare dhe si pasojë spiralja inflacioniste filluan të minojnë marrëdhëniet midis pushtuesve italianë dhe popullsisë që në fillim të vitit 1940, me çmimet që u rritën pothuajse dyfish në vetëm gjashtë muaj (77-80% në nëntor 1939); në vjeshtën e ardhshme, pushtimi katastrofik grek dhe kundërofensiva në mes të territorit shqiptar, mbytën imazhin 'perandorak' të Italisë Fashiste. Pas dështimit të luftës paralele të Musolinit, në fakt mund të flitet për një rezistencë të organizuar shqiptare, ky është përkufizimi i dhënë në ditarët e luftës të ushtrisë italiane”, shprehet Calussi.

Historiani italian ndalet edhe tek masat shtrënguese që morën fashistët ndaj shqiptarëve që i dolën ndesh. Sipas të dhënave që ai sjell, mbështetur në burime, vetëm nga janari-dhjetor 1941, 21.000 shqiptarë ishin nën masa vëzhgimi dhe 5600 u internuan në kampe. 

“'Rregullat' e internimit kishin të bënin me të ashtuquajturat 'shkelje politike' të kryera ngapopullata vendase (kryengritje të armatosur, organizim ose pjesëmarrje në grupe dhe shoqata subversive, sulme me bomba kundër forcave të okupatorit, por edhe nxitje për dezertim në puna të detyrueshme ose rekrutimi ushtarak), ndërsa masat shtesë të hakmarrjes mund t'i referohen të gjithë popullsisë së zonës midis moshës 16 dhe 60 vjeç, të mbajtur de fakto si pengje për të penguar sulme të mëtejshme partizane.”, sqaron studiuesi.  

Në studimin e tij, ai shprehet se në këto rrethana, qeveria e brishtë shqiptare, nën vazhdën e akteve kriminale të drejtuar nga italianët, vështirë të merrej seriozisht.

“Kampet menaxhoheshin nga forcat e armatosura italiane, me punësimin e Karabinierëve Mbretërorë dhe vetëm pjesërisht me bashkëpunimin e prefektit vendas.  Nga viti 1939-1943 janë internuar nga pushtuesit italianë dhe dërguar në batalionet e punës 25000-30000 vetë nga të cilët 5000 nuk ishin shqiptarë.  Autoritetet vendase ishin në gjendje të përdornin autonominë e tyre për të parandaluar dëbimin e disa mijëra hebrenjve nga territoret shqiptare dhe ish-jugosllave”, sipas Calussi-t.

/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë