TIRANË - Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, reagoi sot në lidhje me deklatratat e fundit të kreut të PDBNJ Vangjel Dule. Në deklaraten e tij Idrizi shprehet se PBDNJ ka një numër votash gjithmonë e në tkurrje. Ai akuzoi Dulen se është në panik nga mbështetja elektorale që mori kudo nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim.
”Ky njeri është provokator perserites, qe synon të ngjallë zemërim, urrejtje, fërkime midis pjesëve të ndryshme të popullsisë shqiptare. Çdo dalje e tij në ekran, si shpalosës i tezave të egra, fyese për popullin shqiptar të Çamërisë dhe shqiptarët në përgjithësi, irriton. Ky njeri nuk përfaqëson interesat e minoritetit grek, sepse përndryshe ai minoritet do ta votonte masivisht. Përkundrazi, megjithë manovrat, shitjet e vizave me konsuj xhambazë, me shkatërrues varresh, ky njeri e ka tretur gjithnjë e më shumë partinë që i urti Vasil Melo themeloi dikur”, tha Idrizi.
Ai ka vijuar më tek se Dule po ushqen ndarjen mes minoritetit grek dhe popullsisë tjetër shqiptare.
“Ky njeri përfaqëson interesat e qarqeve të errëta të vendit fqinjë. Këto qarqe, në vend të merren me hallet që i kanë pllakosur si pasojë e mendësisë të liliputit që kur shihej në pasqyrë i ngjante vetja si Herkul, duan të merren me të tjerët. Ky njeri nuk përfaqëson madje as Greqinë zyrtare. Tezat që ai shpalosi në një emisionin televiziv, në lidhje me Çamërinë, me refuzimin në kufi të, gjyshërve dhe gjyshërve tanë që i krijojnë frikë s’dihet se kujt në Greqi, nuk i kemi dëgjuar prej ndonjë autoriteti zyrtar grek. Pra jemi vërtet të çuditur se prej nga ku i merr ushqimet propagandistike ky njeri”, deklaroi Idrizi lidhur me qëndrimin e kreut të PBDNJ.

QËNDRIMI PËR ÇAMËRINË
”Zoti Dule do të ishte mirë të merrte disa leksione historie përpara se të fliste për të. Nëse do ta bënte, do të dinte mjaft mirë se termi Thesproti është ringjallur në Greqi as më shpejt e as më vonë sesa në vitin 1937. Ndërkaq, termi Çamëri, që vjen nga lashtësia, nëpërmjet lumit legjendar Thiamis, ka qenë i përdorur zyrtarisht edhe nga vetë Greqia deri në atë vit. Dhe këtë nuk e themi vetëm ne, e thonë edhe shkencëtarët grekë, përfshi ministrin aktual të Arsimit në Greqi, gjuhtarin Jorgos Babinjotis, në fjalorët e tij.
Ndaj duke ju përgjigjur atij, ne po i përgjigjemi atyre qarqeve të errëta të politikës dhe të shtetit grek që s’guxojnë të dalin në dritë, por vendosin para vetes shërbëtorin e tyre Dule. Ne i themi këtyre qarqeve, këtij njeriu të tyre, se Çamëria ka qenë dhe mbetet një realitet historik dhe ekzistues, sot dhe në të ardhmen. Ai thotë se që nga koha e demokracisë nuk ekziston një emër Çamëri. Kjo është një çmenduri qe vetem nje renegat mund ta thote: Ai më ngjan si provokator dhe ngacmues pa shkak me 2 personazhe groteske të viteve 80 në Tirane, si Shaban Qosja dhe Gëzim Kulufi. Dulja që shef nga Athina e i duket vetja europian le të pyesë qytetarët e vjetër Tiranës se kush janë ata, dhe që mbeten gjithsesi më të mirë se vetë Dulja”.


PËRPLASJA PËR HISTORINË
”Në pikëpamje të toponomastikës, Çamëria është një toponim që ekziston, dhe në greqisht, dhe ka studiues grekë që e shpjegojnë origjinën me toponime të tjera të lumenjve, të viseve të bukura të asaj krahine. Europa është e mbushur me raste, kur një qytet apo një krahinë i thuhet në menyra të ndryshme.
A munden policët gjerman të përzënë në kufi një shtetas italian që i thotë qytetit të Këlnit, Kolonia?
Apo ne të përzëmë një minoritar grek që tani jeton në Greqi, se në dokumentin e tij është shkruar Argjirokastro dhe jo Gjirokastër?
Më në fund, Çamëria është një plagë që kullon gjak akoma, si pasojë e veprimeve genocidale të parardhësve të atyre që kanë sot për zëdhënës Vangjel Dulen.
Jane mijëra vjet histori, janë 9500 km2 tokë shqiptare që u aneksuan nga Greqia në vitin e mbrapshtë 1913, janë 300 mijë Shqiptarë të Çamërisë, janë trojet, varret, shtëpitë e grabitura, që kërkojnë drejtësi dhe nuk mund t’i zhbëjnë as qarqet shoviniste greke e as kulufi liliput Dule”, deklaroi Idrizi.

APELI PËR GREQINË
”Diçka tjetër krejt për në fund. Greqia është shteti i fundit, që drejtpërdrejt apo nëpërmjet zëdhënësish të mjerë mund t’i japë leksione dikujt për pseudonacionalizmin. Nacionalizmi i saj i ngritur mbi monumente të rrejshëm grabitur nga historia e të tjerëve, u rrënua në mënyrë tragjikomike, ndaj ne i shohim bartësit e asaj filozofie, zëdhënësit e saj si Dule, me përbuzje dhe keqardhje”.

(aq/shqiptarja.com)