Shqipëria sot në orën 20:45 të mbrëmjes do të zbresë në fushë për të zhvilluar ndeshjen miqësore përballë ekipit të Armenisë në prag të dy ndeshjeve eleminatore që do të zhvillojë në shtator për kampionatin botëror të Brazilit. Aktualisht Shqipëria gjendet në vendin e dytë në grupin E dhe ka shumë shpresë që do të kalojë në zonën e “play-off”-it. Në prag të ndeshjes kanë folur për mediet dy nga futbollistët kryesor të ekipit kombëtar të futbollit, si kapiteni Lorik Cana dhe fantazisti Migjen Basha.

Në fjalën e tyre dy futbollistët i kanë rëndëuar faktit që ky është një test për të rinjtë, por edhe do të tentojnë që të fitojnë. Kapiteni Cana ka përfituar nga momenti për t’i bërë një thirrje Januzajt të United që ti bashkohet Shqipërisë shumë shpejt. “Januzaj është një futbollist i talentuar që ka dalë nga akademia e Anderlehtit dhe po spikat me ekipin e Manchesterit. Ai duhet që të pranojë ftesën e kombëtares së Shqipërisë për të vazhduar karrierën.

Mendoj që Adnan nuk duhet që ta humbë këtë shans për të luajtur me Shqipërinë” deklaroi ai. Ndërsa më pas është ndaluar edhe te ndeshja dhe elementët e tjerë që janë thirrur. “Ndeshja me Armeninë është një test që do të iu shërbejë më shumë elementëve të rinj që janë ftuar nga De Biasi, por kjo nuk do të thotë që do të zbresim në fushë për stërvitje”. I të njëjtë mendim me të është edhe Migjen Basha që thekson që do të tentohet fitorja e ndeshjes, duke qenë edhe një paralajmërim për dy rivalët direkt të shtatorit si Sllovenia dhe Iralanda.

Por edhe Basha flet për elementët e rinj, duke theksuar se ndeshja me Armeninë është një provë vendimtare, “ka shumë rëndësi loja dhe inkuadrimi i elementëve të rinj, në funksion të takimeve eliminatore të botërorit” tha ai. Mesfushori i Torinos po kalon një formë shumë të fizike, ndaj për trajnerin De Biasi ai mbetet një nga pikat më të forta të formacionit kuqezi për eliminatoret e fillim shtatorit.

Armenia, De Biasi mban sekret formacionin

Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit e ka mbajtur sekret formacionin me të cilin do të zbresë në fushë sot përballë ekipit të Armenisë. Edhe pse është thjeshtë një ndeshje miqësore, De Biasi nuk e ka publikuar formacionin duke mos arritur që të dalë mbi dilemat që ka për të rinjtë  që do të debutojnë,

por edhe për pjesën e titullarëve që do të luajnë në formacionin e parë. Ndërsa ekipi i Armenisë pas mbërritjes dhe akomodimit ka zhvilluar stërvitjen e fundit dhe është gati për ndeshjen. Në stadium sot për këtë ndeshje pritet që të jenë shumë tifozë në mbështetje të ekipit kombëtar të futbollit.