TIRANE, 30 Qershor/ATSH/- Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, garantoi të martën deputetët se nuk ka asnjë arsye për t'u shqetësuar nga situata në Greqi, veçanërisht në planin financiar. Ministri Cani ishte i pranishëm në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
"Kemi siguri maksimale të paktën në drejtimet tona, sidomos për sistemin bankar. Ne në Shqipëri jemi mësuar të themi "bankat greke", por ato janë banka shqiptare me kapital grek, që nuk kanë asnjë lidhje me Greqinë, përveç aksioneve ose pronësisë", deklaroi Cani.
Edhe Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, informoi këtë të martë deputetët se autoritetet më të larta financiare të vendit janë duke mbikëqyrur hap pas hapi situatën në Greqi.
"Komiteti i Stabilitetit Financiar është mbledhur në mënyrë konstante, më shumë se e parashikon rregullorja. Gjithashtu, ka qëlluar që e gjithë situata të monitorohet në detaj nga FMN, i cili po asiston qeverinë shqiptare në këtë proces", deklaroi Braçe.
Sipas tij, edhe në rast se kriza në Greqi do të përshkallëzohet, qeveria dhe Banka e Shqipërisë i kanë të gjitha instrumentet për të mbrojtur ekonominë kombëtare. "Ka një plan shumë të qartë veprimesh dhe masash nga banka qendrore dhe institucionet e tjera, kështu që nuk ka arsye as për panik e as për shqetësime që më pas marrin doza politike", theksoi Braçe.
Por, deputeti i PD, Sherefedin Shehu, tha se thellimi i krizës në Greqi mund të godasë rritjen ekonomike të vendit tonë. "Bankat të ashtuquajtura "greke" nuk përbëjnë rrezik për qytetarët, kjo është e vërtetë. Por nuk mund të mos marrim në konsideratë mundësinë që Shqipëria të zhvlerësohet dhe që kolapsi i mundshëm i Greqisë nuk mund të kalojë pa u ndjerë në Shqipëri. Unë mendoj se efekti i parë do të jetë në rritjen ekonomike të vendit", deklaroi Shehu.
Komisioni i Ekonomisë miratoi një ligj që autorizon ministrin e Financave të marrë borxh në tregun ndërkombëtar përmes eurobondit. Qeveria ende nuk e ka përcaktuar shumën që do të marrë, por ministri Cani tha se ky operacion nuk e rrit borxhin publik të vendit, por thjesht zëvendëson një borxh ekzistues duke ulur interesat e tij./a.gjonaj/ /a.ke/












