Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka raportuar në Komisionin e Ekonomisë lidhur me aktin normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr.119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013″, ku ka shpjeguar ndryshimet që janë bërë dhe shifrat e reja të buxhetit. Pas debatit Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me 11 vota aktin normativ të qeverisë për ndryshime në buxhetin e shtetit të vitit 2013. Të 11 deputetët e mazhorancës kanë votuar pro aktit normativ, ndërkohë që 4 deputetë të opozitës votuan kundër.
DEBATET NE KOMISION
Cani ka ripërsëritur se situata ekonomike është e vështirë, por e pashpresë. Ndërkohë, ai ka pohuar se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë vetëm 1.2%, duke ulur më tej pritshmëritë e vetë qeverisë së re, që deklaroi një muaj më parë se zgjerimi ekonomik mund të ishte rreth 1.6-1.9%. Nga ana e saj, qeveria demokrate e kishte hartuar buxhetin fillestar 2013 mbi një pritshmëri për rritjen ekonomike prej rreth 3%.
“Akti normativ vjen me ulje të të ardhurave, me rritje defiçiti dhe për pasojë edhe rritje borxhi. Buxheti reflekton një situatë të pakëndshme, shkurtohen me 38.8 miliardë lekë të ardhurat e këtij viti. Kemi më pak se të ardhurat nominale të vitit 2010. Gjendja në thesar është keq dhe 9 miliardë lekë në pritje për t’u bërë pagesat. Ftoj deputetët e opozitës të jenë pjesë e procesit, është një borxh që qeveria u ka bizneseve. Nuk është hera e parë që jemi në situatë të tillë,edhe në 1997 ishte një situatë e vështirë”, ka pohuar Cani.
Borxhi në fund të vitit, sipas ministrit, mund të arrijë në 69% të PBB-së, edhe ky një parashikim në rritje, pas deklarimeve fillestare për një nivel borxhi prej 68%. Këtu nuk llogariten detyrimet e pashlyera të biznesit, që mund ta çonin nivelin në rreth 73% të PBB-së, sipas ministrit.
Cani ka pohuar ndërkohë që do të ketë ristrukturim dhe ndryshime në administratë.
“Akti normativ vjen me ulje të të ardhurave, me rritje deficiti dhe për pasojë edhe rritje borxhi. Buxheti reflekton një situatë të pakëndshme, shkurtohen me 38.8 miliardë lekë të ardhurat e këtij viti. Kemi më pak se të ardhurat nominale të vitit 2010. Gjendja në thesar është keq dhe 9 miliardë lekë në pritje për t’u bërë pagesat.”- deklaroi ministri Cani.
Deputetët e opozitës akuzuan qeverinë për mostransparencë në ndryshimet e kërkuara. Sipas deputetit të PD-së Sherefedin Shehu, “qeveria flet për situatë të vështirë ekonomike por po e gropos duke rritur borxhin”.
“Dua tabelat krahasuese për buxhetin. Dua të di çfarë katrahure keni bërë.”- iu drejtua Shehu, ministrit Cani. Nga ana e tij ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se ajo që e ka groposur ekonominë është qeveria e mëparshme.
“Ju e keni groposur ekonominë, 40 miliardë mosrealizimi. Metodologjia e llogaritjes për vitin 2013 është e juaja. Ne nuk duhet të presim bum ekonomik për tre ditë.”- u shpreh ministri Cani.
NDRYSHIMET NE PR/ BUXHET
Sipas relacionit të projektbuxhetit 2013, me ndryshimet synohet:
Rishikimi i të gjithë treguesve makroekonomikë e fiskalë, duke ndërtuar një skenar realist për buxhetin 2013 që pritet të realizohet në fund të vitit.
• Korrigjimin e treguesit të të ardhurave të buxhetit në total me rreth 38.7 miliard lekë, duke i pozicionuar ato në nivelin 23.8 për qind të PBB, e cila është rezultat i:
i) Reduktimit me 38.2 miliard lekë të të ardhurave tatimore të cilat shkojnë në nivelin 21.4 për qind të PBB;
ii) Reduktimit prej 4.1 miliard lekë të granteve; si edhe
iii) Rritjes së të ardhurave jotatimore të institucioneve me 3.6 miliard lekë.
• Rishikimin e planit të të ardhurave dhe të shpenzimeve të fondeve speciale, të të ardhurave dhe shpenzimeve të pushtetit vendor, si pjesë harmonike e buxhetit të shtetit.
• Reflektimin e të ardhurave nga privatizimi i katër HEC-eve, si pjese e financimit të deficitit dhe përdorimit të tyre si shpenzime kapitale në masën 9.9 miliard lekë, dhe si grante konkurruese (pjesë e buxhetit vendor) në masën 2 miliard lekë.
• Reduktimin me rreth 16.2 miliard lekë të shpenzimeve totale, si rrjedhojë e reduktimit prej 10.2 miliard lekë të shpenzimeve korente. Shpenzimet korente në këtë projekt shkojnë në nivelin 24.2 për qind e PBB dhe shpenzimet kapitale në 5.5 për qind e PBB.
• Përdorimit të fondeve të kursyera nga shërbimet ndaj borxhit në vlerën 6.2 miliard lekë, si dhe reduktimit prej rreth 712 milion lekë të shpenzimeve operative.
• Rialokimin e fondeve nga projekte me performancë të ulët në projekte me përformancë më të lartë, si për projektet me financim të brendshëm dhe ato me financim të huaj.
• Sigurimin e financimit për ministritë e reja të krijuara dhe zhvendosjen e programeve te shpenzimeve, në përputhje me përbërjen e Qeverisë së re.
Përsa më sipër, deficiti buxhetor rritet me 22.6 miliard lekë, përkatësisht nga 60.9 miliard lekë në 83.5 miliard lekë, duke sjellë kësisoj një rritje të huamarjes, pra të borxhit me rreth 24.8 miliard lekë. Në këtë mënyrë, deficiti i përgjithshëm buxhetor arrin në 6.16 për qind e PBB.
Nëpërmjet këtij buxheti të rishikuar sigurohet mbyllja e vitit fiskal 2013, për shpenzimet më të domosdoshme dhe prioritare.
(sg/shqiptarja.com)