/ATSH/- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi të hënën ndryshimet në ligjin "Për menaxhimin financiar dhe kontrollin". Ndryshimet në ligjin për kontrollin financiar do të bëjnë që fondet publike të manaxhohen më mirë dhe të ketë më shumë transparencë.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i pranishëm në komision, u shpreh se këto ndryshime synojnë përmirësimin e përdorimit të fondeve publike, si dhe ndan funksionet politike dhe ato manaxheriale.
Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, tha se ndryshimet e paraqitura janë lojëra fjalësh. Sipas tij, nga mostransparenca e fondeve publike, qeveria u detyrua të nisë aksionin ndaj informalitetit.
Kontrolli financiar i fondeve publike është një raport që do të jetë pjesë e buxhetit faktik. Ndërkohë çdo institucion buxhetor do të ketë në strukturat e tij një koordinator për kontrollin financiar. Gjithashtu, rëndësi i është kushtuar rishikimit të kritereve të caktimit të nëpunësve zbatues. Për nëpunësin zbatues ka pasur probleme në të kuptuarin e rolit të tij dhe përgjegjësive të përcaktuara nga ligji dhe për këtë arsye, në nenin 12 të ligjit janë bërë disa ndryshime.
Ndryshime ka edhe për nivelin e arsimimit të nëpunësit zbatues duke u mbështetur në implementimin e ligjit dhe strukturat e njësive publike. Ky ligj zbatohet në njësitë publike, ku sipas këtij ligji, përfshihen: njësitë e qeverisjes së përgjithshme: shoqëritë tregtare, organizatat jofitimprurëse dhe autoritetet e përbashkëta, të cilat
zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme: si dhe njësi të tjera që shpenzojnë fonde publike, sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare.
Këto ndryshime janë bërë me asistencë të Ministrisë së Financave të Austrisë dhe Francës.