Vetëm një grek e bir greku thotë se Bubulina është greke, komenton një nga miqtë përfund postimit tim të djeshëm.

Në fakt unë vetndihem shqiptar e bir shqiptari dhe jam krenar për këtë. Mëndja ma do që po kaq krenar, në mos edhe më shumë, do të ndihesha po të isha grek, bashkëatdhetar i Sokratit, Platonit e Eskilit, i Kazanzaqit, Kavafit , Teodoraqit etj. etj.

Po megjithëse vetndihem shqiptar nuk e quaj sakrilegj të them se Bubulina është greke me origjinë arbërore.

Vë re se disa nga komentuesit kanë koncept gjithsesi të diskutueshëm për përkatësinë etnike e kombëtare, e shohin si të bërë vetëm nga mëma e baba, nga origjina e të parëve. Parë kështu shqiptari mbetet shqiptar dhe vetëm shqiptar pavarësisht se në ç’vend rritet, në ç’instutucione formohet, me ç’kulturë brumoset, për cilën shoqëri e për cilin popull punon e përpiqet etj. etj.

Ndruaj se një konceptim i tillë i përkatësisë fqinjëron me racizminiz njerëzimit i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë shumë.

Por ka edhe diçka tjetër, duke bërë tifo për përkatësinë e njerëzve të shquar që janë formuar e brumosur në vende të tjera dhe për të cilët shoqëria dhe institucionet tona nuk kanë investuar gjë, rrezikojmë t’i bëjmë keq vetes.

 Jo vetëm se e ngopim krenarinë me lugë të zbrazur, por edhe nisim të flemë në dafina për të kaluarën e lavdishme e kështu të mos e vrasim dhe aq mendjen për gjendjen e mjerueshme në të cilën i kemi shtetin dhe instutucionet. Dhe kështu, të yshtur pas tifozllëqesh për të djeshmen, harrojmë të sotmen e dëmtojmë të nesërmen.

( Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ )

Marrë nga postimi në facebook