Cfarë ju kanë thënë ose keni lexuar për Cape Cod është e vërtetë. Nëse nuk dini asgjë, mund t’ju tregojmë një pjesë të magjisë së gadishullit në formën e një krahu të përthyer. Gadishulli i gjatë 120 kilometra është një parajsë tokësore me duna, plazhe të bardha, fshatra antikë plot shtëpi të bukura druri që datojnë prej viteve ‘600 , më faunë e florë të mbrojtur si askund tjetër, me vilat verore të familjeve bostoniane dhe praninë e shumtë të artistëve nga më eksentrikët.

Drejt Kepit
Nga Bostoni duhen plot dy orë për të arritur në Cape Cod. Kalohet nëpër Plymouth e pas shumë miljesh shikon se i je afruar Cape Cod, njërit prej 20 plazheve më të mirë të botës edhe 25 destinacioneve më të bukura amerikane.
Për të mbërritur deri tek ura e Sagamorit, një ndërtimi vitit 1933, nje nga ato urat që shihen aq shumë në filmat hollivudianë, duhet të bësh pak durim me trafikun e fundjavës, kur vargu i makinave shkon deri në 10 kilometra, por të konvertuara në orë nuk janë më shumë se 30 minuta. Pritja apo ecja e ngadaltë shpërblehet menjëherë me një pamje të bukur dhe plot gjelbërim. Bass River është si aperitivi në një tryezë që pritet të mbushet plot. Në të dyja anët e urës, në lumë shkasin lehtë jahte dhe varka të vogla, ndërsa në brigje mund të imagjinosh si mund të jetë të pushosh në shtëpitë aty pranë me pamje nga lumi. Që në metrat e parë të urës, ndien një paqe dhe qetësi të vecantë, ndjesi që nuk e humbet në asnjë pëllëmbë toke apo uji të këtij gadishulli. Që larg shquhet një far si ai që shihet shpesh në pikturat e Edward Hopper, artistit amerikan i cili është një nga figurat më të njohura me të cilat ka krenohet banorët e Cape Cod. Në fakt vendi është i mbushur me dhjetëra fare të bukur.
Marrim drejtimin për nga Yarmouth ku shtëpitë e lagjeve të pasura, ofrojnë një panorama magjepsëse. Thuajse të giitha në fasadat anësore janë me ngjyrën gri, një ngjyrë që vjen nga kripa dhe klima. Askush nuk mundohet të heqë grinë nga panelet e drunjta madje kur shtpëitë janë të reja përpiqen ta imitojnë vjetërsinë e simotrave të tyre. Të gjitha shënjohen simbolikisht nga basorelieve me varka, peshq apo fare. Luleboret, kryesisht në ngjyrën lejla, bari i gjelbëruar, shkurret dekorative të përkujdesura deri në detajin më të vogël, të mbushin sytë dhe shpirtin me një bukuri që vetëm natyra dhe dora e njeriut së bashku mund ta krijojnë.
Shumë prej shtëpive jepen me qira për pushuesit, disa të tjera kanë dalë në shitje, por shifrat shkojnë deri në 4 milionë dollarë për një shtëpi ëndrrash përfshirë dhe një jaht. Pas disa minutash nëpër një tunel të paqtë gjelbërimi marrim drejtimin për nga West Dennis. Ky është një nga plazhet publike, të kepit ku për të hyrë duhen paguar 30 dollarë. Por vetëm pasi ke parkuar dhe ke shkelur mbi rërën e bardhë, kupton se ia ka vlejtur gjithçka. Në fakt nuk është një nga plazhet më të të virgjëra dhe më familjaret, ku hapësirat janë të bollshme dhe mund të rregullohesh më së miri dhe të shijosh oqeanin. Ndryshe nga disa vende të tjera të Kepit, këtu uji është mjaft i ngrohtë . Përtej kufirit të shënuar për plazhistët vërehen motorët e ujit dhe varkat me vela. Asnjëra prej tyre nuk guxon të afrohet me “kufirin” e notarëve. Rojet e plazhit janë të pranishëm kudo ndërsa dushet e jashtme dhe të brendshme janë funksionale deri në orën 5 të pasdites. Pijet alkoolike në rërë nuk lejohen dhe gjithashtu asnjë shishe qelqi, por dikush “mëkaton” duke pirë pak birrë brenda një magu kafeje.
Pasi kemi kaluar disa orë nën diell dhe në ujin e oqeanit udhëtojmë sërish nëpër gjelbërimin e Nyannis, vendit të njohur për muzeun e vogël dhe intim të familjes Kenedi (John F. Kennedy Hyannis Museum) që ofron një koleksion të bukur fotografish private si dhe një video nga Walter Cronkite. Këtu tradicionalisht kanë kaluar pushimet e tyre Kenedit; kishëza St. Xavier për vite të tëra ka qenë vend i lutjeve të vëllezërve Joseph, John e Robert Kennedy. Memorial kushtuar familjes presidenciale është në Veteran Beach dhe mbi të janë gdhendur fjalët e JFK: “….Besoj se është e rëndësishme që ky vend të lundrojë më mirë se të rrijë palëvizur në port …”

Faret dhe Chatham lighthouse
Dunat dhe oqeani mund të kundrohen mjaft mirë në këtë pjesë të Cape Cod. Pranë farit në Chatham me një monedhë 25 centësh mund të shohësh oqeanin me teleskop. Por vetëm për kureshti sepse mjafton të zbresësh disa shkallë të “dorëzosh” pandoflat apo atletet në një qoshe ku tabela të fton t’i lësh për të ndjerë rërën e bardhë, të butë dhe mjaft të pastër . Kështu duart mund t’i kesh të lira si për të mbledhur guacka oqeani si për të ecur dorë pë rdore me të dashurin e zemrës, por edhe sidomos për shkrepur foto të cilat do të kundrohen më pas me shumë mall. Një rrip toke si një Cape Cod në miniaturë, krijon një gji të kalueshëm me varka të vogla. Largësia nga bregu nuk është e madhe, por nëse nuk është ngritur flamuri i kuq sikundër tabelat tregojnë rrezikon të rrëmbehesh nga rrymat e oqeanit,ndaj noti nuk është i këshillueshm. Ndoshta për këtë arsye kjo pjesë e farit është kthyer në një vend për shëtitjet e pasditeve. Rrymat dallohen lehtazi në sipërfaqen e ujit, i cili këtu është mjaft i ftohtë.
Përballë detit shtrihet fari i Chatham dhe drita e tij fillon të shquhet sapo nis perëndimi I diellit. Faret e Cape Cod janë pjesë e gadishullit po aq sa edhe deti. Shumë prej tyre janë funksionalë. Këtu numërohen faret më të shumtë se kudo tjetër pasi mund të shohësh nga një në çdo milje piktoreskë dhe me vija të bardha e të kuqe në zona publike por edhe private.. Të gjithë me mitet dhe legjendat e tyre, si fari I Tre Motrave që u mbytën në det pasi një erozioni të dunave të rërës.
Për shekuj të tërë faret e Cape Cod kanë udhëhequr marinarët drejt porteve të sigurta. Por kjo bukuri shpesh ka qenë vrastare për lundruesit dhe kjo për shkak të shtrirjes së gjerë në det. Të paktën tre mije anije janë mbytur në brigjet e kepit gjatë 300 viteve të fundit. Por ka dhe shumë histori heroizimi në këto brigje. Si ajo e anijes CG36500 që në vitin 1952 shpëtoi 32 njerëz nga mbytja e Pendleton gjatë një stuhie të fortë. Pranë një helike të vendosur mbi një shkëmb gjenden edhe fletëpalosjet me historinë e anijes në të cilën kërkohen donacione nga të gjithë për restaurimin e saj.

Kepi i golfit
Cape Cod mund të quhet pa frikë Cape Golf, ose Kepi i golfit. Kur bie muzgu shquan fushat spektakolare të golfit ku imagjinata e krijuesve të tyre nuk njeh kufi. Arkitektë të njohur si Donald Ross, William Mitchell, Geoffrey Cornish e Brian Silvia kanë ngritur skenografitë më joshëse të golfit në Kep. Janë të paktë vendet që kanë kaq shumë fusha golfi. Cape Cod ka katër nga dhjetë fushat Top golf të Massachusetts – sipas Golf Digest. Por Cape Cod është edhe vendlindja e shumë lojtarë me famë botërore si Jason Caron a Jim Hallet e Jeff Lewis, por këtu kanë luajtur edhe personalitete të njohura si : John F.Kennedy e Thomas “Tip” O’Neill, Arnold Plamer e Chi Chi Rodriguez. Kështu me gjithë këtë histori dhe mundësi golfi thuajse bëhet e pakonceptueshme që të vish në Cape Cod dhe të mos bësh një lojë. Është një nga argëtimet që duhet shënuar në axhendën tuaj të pushimeve. Por ata që nuk e praktikojnë këtë sport ka fusha të tëra minigolfi për të argëtuar mbrëmjeve.

Destinacion artistik
Cape Cod është një destinacion mjaft i njohur për artin. Përgjatë gjithë gadishullit shtrihen qendra të ndryshme artistike dhe kulturore dhe zgjedhjet janë të larmishme, nga koncertet simfonike në galeri artik e deri tek muzetë e artit në vende historike. Këtu gjendet ehd eteatri më I vjet në historinë e Amerikës. Në 2006 u krijuar Arts & Artisans Trail Guide a Cape Cod, Martha’s Vineyard e Nantucket: një guidë me emër të gjatë por udhëzime praktike për të parë të gjitha qendrat e artit duke përshkuar madje edhe itinerare në këmbë. Duke shfrytëzuar ofertën e Arts Passport në Cape Cod mund të merrni përfitoni një biletë falas për të vizituar një nga vendet e artit. Më I famshëm përsa I përket kulturës në gadishulli është Provincetoën, i njohur për kolonitë e artistëve.

Toka e kujtimeve
Në fund të ditës, kur orët e natës mbyllin udhëtimin kupton se një ditë nuk mjafton për të njohur gadishullin. Por Cape Cod i favorizon edhe turistët e përditshëm apo kalimtarë falë atmosferës së tij plot kujtime, histori, art dhe natyrë të bukur të falur nga Zoti dhe të ruajtur me kujdes dhe mjaft mençuri nga njeriu. Është ky perceptim që rri kudo në ajrin e gadishullit dhe kthen çdo verë breza të tërë familjesh amerikane dhe turistë nga e gjithë bota. Edhe një orë e vetme në këtë parajsë dhuron përjetime të paharrueshme bashkë me dëshirën për tu kthyer sërish në tokën e kujtimeve të ëmbla.

Marre nga suplementi FUNDJAVA
(sg/shqiptarja.com)