30 vite pas masakrës zgjedhore të 26 majit 1996, emisioni “Repolitix” në Report Tv solli dëshmi të forta mbi dhunën dhe terrorin që u ushtrua nga pushteti i asaj kohe për të deformuar procesin zgjedhor. Ish-deputeti Petro Koçi, analisti Plator Nesturi dhe ministri Blendi Gonxhja rrëfyen episode rrëmbimesh, dhune dhe presioni ndaj opozitës socialiste, që sipas tyre kryheshin me urdhër të ish-Presidentit Sali Berisha. Sipas dëshmive, policia dhe SHIK-u i kohës përdoreshin për të frikësuar kundërshtarët politikë dhe për të garantuar vijimin e pushtetit të PD-së deri në krizën e vitit 1997, pas shpërthimit të skandalit të firmave piramidale.

***

Përballë gazetarit Denis Minga, ish-deputeti socialist Petro Koçi e cilësoi 26 majin 1996 si një “grusht shteti”, duke e cilësuar pushtetin e kohës së Berishës një regjim fashist, që përdori dhunën, rrëmbime dhe terrorin ndaj komisionerëve të opozitës socialiste në mënyrë që PD të merrte fitoren.

Ish-deputeti deklaroi se njerëz të SHIK-ut rrëmbenin komisionerë në prag dhe gjatë ditës së votimit, me qëllim që të pengohej administrimi normal i procesit zgjedhor. Ai solli si shembull rastin e një komisioneri në Fier, i cili sipas tij u mor me forcë dhe u dërgua në plazhin e Semanit, kilometra larg qytetit, për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

“Zgjedhjet e 26 majit janë dëshmi e një regjimi fashist, jo thjeshtë një regjimi të korruptuar. Zgjedhjet nuk u manipuluan, ishte grusht shteti, u grabitën me dhunë, me forcë, me gjak. Ishte dhunë e egër mbi zgjedhjet dhe unë e kam quajtur grusht shteti. Zgjedhjet e 26 majit vijnë pas fitores së opozitës në referendumin për Kushtetutën dhe Sali Berisha e dinte shumë mirë cili ishte vullneti politik i zgjedhësve. I duhej të bënte grusht shteti mbi zgjedhjet që të mbante pushtetin. Ngjarjet kanë qenë shumë të rënda. Bëhej fjalë për rrëmbim komisionerësh, jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe para zgjedhjeve. U shkonin nëpër shtëpi dhe i rrëmbenin. Në Fier kanë rrëmbyer një komisioner dhe e çuan në Seman, 18 km larg Fierit dhe e lanë atje mes plazhit që të vinte në këmbë në shtëpinë e vet”, tha mes të tjerash Koçi.

Ish-deputeti socialist kujtoi gjithashtu rrëmbimin e regjisorit Kiço Londo në Fier. Petro Koçi tha se Londo u mbajt për disa orë nga forcat e SHIK-ut dhe u dhunua me shishe plastike të mbushura me ujë. Sipas tij, e gjithë dhuna e ushtruar nga pushteti i Berishës gjatë periudhës para zgjedhore, por edhe gjatë zgjedhjeve, bëhej me qëllim frikësimin e socialistëve.

“Në Fier përshembull është rrëmbyer Kiço Londo, disa ditë para zgjedhjeve. E rrëmbeu SHIK-u. Kiço Londo është rrëmbyer në sheshin para Teatrit Bylis, por fati i tij ishte se dikush ka parë momentin dhe është regjistruar ngjyra e makinës dhe targa. Dhe shpëtoi sepse ne falë një gruaje shumë trimëreshë që punonte në centralin telefonik të Patosit, ajo na dëshmoi të gjithë komunikimin që kishte pasur SHIK-u i Fierit me njerëzit e vet në Patos. Dhe të gjitha këto të nesërmen kanë dalë te Zëri i Popullit dhe prandaj shpëtoi Kiço, sepse ne e dimë shumë mirë që është rrahur në qelitë e SHIK-ut me shishe me ujë. Mbusheshin shishet plastike me ujë dhe qëllohej. Të gjitha këto bëheshin për të frikësuar socialistët”, vijoi Petro Koçi.

Të njëjtat dëshmi i solli në studio edhe Plator Nesturi, i cili tregoi se si në Shkodër policia merrte me forcë komisionerët e opozitës socialiste dhe i dërgonte larg qendrave të votimit, ndërsa vendet e tyre zëvendësoheshin nga persona të afërt me PD-në. Ai madje tregoi edhe se si ra pre e dhunës nga policia, duke e goditur me shkopinj në kokë.

“Vinte policia, hynte në Komision, merrte komisionerët e opozitës dhe i çonte diku në një vend larg Shkodrës, që të vinin që andej në këmbë. Kur vinin aty, ishte bërë çfarë kishin dashur ata, sepse komisionerët nuk ishin. Kurse në zonat e thella lartë, ishte një tjetër fenomen. Atje që një natë më parë i mbanin të mbyllur komisionerët e opozitës. Dhe të nesërmen ishin vendosur komisionerë po nga PD në vend të atyre të PS-së. Pra kishin vënë njerëzit e tyre dhe i kishin quajtur si anëtarë komisioni”, dëshmoi Nesturi.

Edhe Blendi Gonxhja e përshkroi 28 majin si një nga episodet më të errëta të tranzicionit shqiptar. Ai deklaroi se protestuesit dhunoheshin publikisht nga efektivë policie dhe agjentë të SHIK-ut me shufra, ndërsa shumë prej tyre tërhiqeshin zvarrë dhe dërgoheshin në komisariate.

“Ishte surreale. Të nxirrnin njerëzit nga makina. Të godisnin me shufra, të çonin në komisariat. Nuk ndaje dot asnjë fletushkë”, deklaroi ai.

Katër orë para përfundimit të procesit zgjedhor, PS dhe partitë e tjera opozitare u tërhoqën nga gara, duke deklaruar se nuk do ta njihnin rezultatin. Dy ditë më pas, më 28 maj, opozita organizoi një protestë në Tiranë kundër asaj që e cilësoi masakër zgjedhore, ndërsa protestuesit dhe aktivistët e saj u dhunuan brutalisht nga policia dhe forcat e SHIK-ut të kohës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:48
Masakra zgjedhore e 26 majit/ Nesturi: Si Policia e Berishës hiqte me dhunë komisionarët e PS dhe i zëvendësonte me njerëz të PD, sekretari i Partisë Socialiste Europiane u shokua (VIDEO)

Analisti Plator Nesturi, dëshmitar i dhunës së egër të ushtruar nga pushteti i ish-Presidentit Sali Berisha në zgjedhjet e 26 majit 2026, ka rrëfyer në studion e emisionit ‘Repolitix’ në Report Tv përjetimet e tij gjatë atyre ditëve të vështira. Nesturi tregoi se në Shkodër policia largonte me forcë komisionerët e opozitës nga qendrat e votimit dhe i dërgonte kilometra larg, ndërsa vendet e tyre zëvendësoheshin nga persona të afërt me PD-në. Sipas tij, në disa zona të thella komisionerët e opozitës mbaheshin të izoluar që një natë para zgjedhjeve, ndërsa në komisione futeshin njerëz të tjerë në emër të PS-së dhe partive opozitare.

Nesturi tregoi se gjatë ditës së zgjedhjeve shoqëronte edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Europiane, i cili ishte edhe eurodeputet dhe kishte ardhur në vendin tonë bashkë me gruan, si vëzhgues në zgjedhje. Pasi ishin kërcënuar të largoheshin nga Shkodra dhe teksa po drejtoheshin për në Tiranë bashkë me drejtuesin e lartë të Partisë Socialiste Europiane, Nesturi tha se u telefonuan nga drejtues të kohës së PS-së dhe u informuan se PS dhe parti të tjera opozitare do të tërhiqeshin nga gara.

“26 maji ka qenë një ditë shumë e rëndë, sepse realisht mua më qëlloi që të isha në disa vende. E kemi nisur në Tiranë, pastaj kemi shkuar në Shkodër. Dhe pastaj në Malësi të Madhe. Në atë kohë unë shoqëroja edhe sekretarin e përgjithshëm të Partisë Socialiste Europiane. Ishte si vëzhgues, eurodeputet dhe ishte bashkë me të shoqen. Kemi hyrë në disa zona që kanë qenë shumë të vështira.

Së pari ishte paniku te popullata. Në Shkodër kishte fenomenin tjetër, vinte policia, hynte në Komision, merrte komisionerët e opozitës dhe i çonte diku në një vend larg Shkodrës, që të vinin që andej në këmbë. Kur vinin aty, ishte bërë çfarë kishin dashur ata, sepse komisionerët nuk ishin. Kurse në zonat e thella lartë, ishte një tjetër fenomen. Atje që një natë më parë i mbanin të mbyllur komisionerët e opozitës. Dhe të nesërmen ishin vendosur komisionerë po nga PD në vend të atyre të PS-së. Pra kishin vënë njerëzit e tyre dhe i kishin quajtur si anëtarë komisioni.

Kur merrnin vesh që ne kishim mbërritur, zbritën nga kodra, male nga ishin fshehur dhe filluan të dilnin dhe kemi vajtur në komision. Por prit se unë jam komisioneri, nga doli emri jot. Ai ishte kushëri i kryetarit të PD-së që ishte futur aty si komisioner i PS, i PSD, apo çfarë ishin pjesa e partive të opozitës. Aty kanë ardhur pastaj furgona policie, na kanë kërcënuar dhe na kanë urdhëruar që duhet të ikim, duke e ditur që ky ishte eurodeputet, na kanë kërkuar të largohemi prej andej. Jemi detyruar të marrim, sepse kishim merakun e atyre komisionerëve, të cilët i kishin shpëtuar një natë më parë ndalimit dhe i kemi marrë me vete. Jemi bërë 2-3 makina ku janë ngjeshur njerëzit njëri pas tjetrit, duke vajtur drejt Tiranës, ndërkohë na marrin në telefon dhe na thonë që PS tërhiqej nga gara”, tha mes të tjerash Nesturi.

Nesturi foli edhe për protestën e 28 majit 1996, ku opozita kundërshtoi procesin zgjedhor. Ai deklaroi se dhuna më e ashpër ushtrohej nga efektivë civilë të armatosur me shkopinj druri dhe tregoi se edhe vetë ishte dhunuar me shkopinj në kokë gjatë përplasjes me policinë pranë Hotel Tiranës.

“Nuk po zhvilloheshin zgjedhje. Reagimi i parë i eurodeputetit ishte një habi e madhe, një protestë e madhe, pastaj ishte aq absurde sa kalonte në të qeshur. Aty vetëm zgjedhje nuk kishte. Na kanë shoqëruar furgonët e Policisë nga Shkodra drejt Lezhës dhe kemi ardhur në Tiranë dhe kemi shpërndarë ata njerëzit në shtëpitë e tyre. Pastaj 28 maji ka qenë komplet gjë tjetër. Ka qenë shpërthim i dhunës. Kam qenë në shesh me një gazetar spanjoll. Më të rrezikshëm nuk ishin ata me uniformë, por civilët. Ata ishin me shkopinj druri. Unë shpëtova, nuk mi qethën flokët si Petro. Por disa shkopinj kokës i hëngra dhe unë bashkë me të. Mezi arritëm të futeshim brenda te Hotel Tirana”, vijoi më tej Nesturi.

Ora 22:33
Si Berisha dhunoi opozitën në ’96-ën/ Gonxhe: Plagë që ka zënë kore, por shenja mbetet! Atë që na bëri regjimi i Saliut, s’na i bëri komunizmi (VIDEO)

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve të Shqipërisë Blendi Gonxhja ka kujtuar ngjarjet e 28 majit 1996, dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare, kur opozita protestoi në Tiranë dhe protestuesit u dhunuan barbarisht nga policia dhe agjentë të Shërbimit Informativ Kombëtar, me urdhër të Sali Berishës.

Gjatë deklaratës së tij, Gonxhja e përshkroi episodin si një nga plagët më të rënda të asaj periudhe politike, duke thënë se dhuna e ushtruar ndaj protestuesve mbetet ende e paharruar.

“Ishte një grup i përzier, civilësh dhe efektivësh, dhe të vjen keq kur përmend emrin e dy institucioneve si policia dhe Shërbimi Informativ Kombëtar. Në atë kohë nuk kishin asnjë lidhje me këto nocione. Është një plagë që ka zënë kore, por që shenja i duket ende. Është një plagë që është shëruar, por është plagë që do e mbartësh gjithë jetën me vete. Nuk është vetëm çështja e dhunës, sa brinjët të thyera, problemi ishte që ishte shumë e rëndë nga ana e shkeljes me këmbë të dinjitetit. Në Shqipëri nuk është kollaj të merresh zvarrë në atë lloj forme kur nuk ke bërë asgjë të gabuar. Shoferi i shefit të komisariatit numër 1 në atë kohë, ishte në krye të aksionit. Ai gjuante më fort se të gjithë, kishte të tjerë që ishin më keq. Unë pata fat se shkova në komisariatin 1. Fati, rastësia, mënyra se si ishte organizuar ai operacion, nuk dije se ku mund të përfundoje, në qelitë e SHIK-ut, apo në drejtorinë e Policisë Tiranë ku ishte një falangë e tmerrshme ku tërhiqeshin zvarrë nëpër korridore njerëzit para se të arrestoheshin, para se të merreshin në pyetje. Kanë qenë ditë të vështira, ajo ditë ka qenë e paharrueshme nga dhuna haptazi pa iu dridhur fare qerpiku në sytë e të gjithëve, gazetarëve, kamerave”,-u shpreh ai.

Sipas Gonxhes, dhuna nuk ishte vetëm fizike, por edhe morale dhe publike. Ai tha se protestuesit tërhiqeshin nga makinat, goditeshin me shufra dhe dërgoheshin në komisariate.

“Ishte surreale. Të nxirrnin njerëzit nga makina. Të godisnin me shufra, të çonin në komisariat. Nuk ndaje dot asnjë fletushkë”, deklaroi ai.

Autori i dhunës të pashembullt të 30 viteve më parë, Berisha, është ende sot i pranishëm në skenën politike, duke dominuar opozitën. Për këtë arsye, ministri Gonxhe tha se mazhoranca nuk mund t'i japë hapësirë të pakontrolluar Partisë Demokratike në punimet për reformën zgjedhore.

"Pala tjetër nuk luan njësoj, palët në mes, nuk merret vesh çfarë bëjnë. Na iku për shalësh administrata dhe kur kam vajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, ishin 1050 veta për t’u paguar, sepse 2 drejtorët para meje kishin hequr njëri 390 veta, tjetri 350 veta me fshesën e partisë së vogël. Nga ato që marrin 4% të votave, 5%, dhe duan 35% të drejtorave dhe volum të administratës. PS nuk ka ndërmend të lëshojë terren kur përballë ka një rrezikshmëri si kjo, shoqërore, kombëtare, politike që të rrezikojë që ky njeri i papërgjegjshëm që ne sot kemi rrugëve duke djegur institucionet, ky mund ta çojë Shqipërinë prapa 30 vjet",- tha Gonxhe.

Sipas Gonxhes, protesta e 28 majit 1996 dhe reagimi i forcave të rendit ndaj saj mbeten një episod i errët i tranzicionit politik në Shqipëri.