Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë sot rekursin e bërë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, dhe zëvendësimin me një tjetër masë më të lehtë sigurie.

Kjo kërkesëe Veliajt vjen pas rishikimit që Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë i bënë vendimit unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij. Vendimi i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.

Përveç këtij rekursi, Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë për liri të Veliajt. Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë, në vendimin që do duhet të rimarrë për qytetarin e parë të Tiranës, do duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak.

Gjykata e lartë, do duhet të arsyetojë pse nuk prevalon e drejta për tu zgjedhur dhe ushtrimi i detyrës si kryebashkiak, përballë masës ekstreme të sigurisë?

Me rikthimin e çështjes Veliaj në duart e tyre, togat e zeza duhet të arsyetojnë  pse është e nevojshme arresti me burg. Dhe sipas vendimit unifikues, të vetë Gjykatës së Lartë marrë më 4 maj për praktikën e arrestit, treshja gjykuese duhet të arsyetojë shprehimisht përse masat e sigurisë alternative më pak kufizuese të lirisë personale, nuk janë të mjaftueshme, në rastin konkret ndaj kryebashkiakut.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Lajmi në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë