Ish-përzgjedhësi i kombëtares së Anglisë, Fabio Kapello ka thënë se futbollin më të mirë në Euro 2012 është duke e luajtur Spanja. “Mendoj se Spanja dhe Gjermania janë dy skuadrat që do të luajnë në finalen e këtij Evropiani, edhe pse do të kisha dëshirë që atje të jenë Italia ose Anglia, që do të ballafaqohen ndërmjet tyre në çerekfinale" tha tekniku friulan.

"Për këtë bëj tifo? Këtë sekret do ta mbaj për vete. Por, mund të them se do të jem me emocione të ndara. Gjermania është skuadër e cila ka një shpirt dhe forcë të çuditshme, por mendoj se edhe më tej nw turne, futbollin më të mirë janë duke e treguar spanjollët. Gjëja e vetme që u mungon është një tip i lojtarit si Mesi në fazën sulmuese”, ka theksuar Kapello.

Por, kur është fjala për yllin argjentinas, tekniku italian mendon se bëhet fjalë për një lojtar të madh, por jo më madhështor se Diego Maradona.

“Lionel Messi është gjeni, mund të bëjë gjëra të cilat futbollistët e tjerë nuk mund t’i bëjnë. Ai është i përkryer teknikisht, shënon shumë gola dhe është e pamundur ta frenosh. Mesi është futbollisti më i mirë në botë pas Diego Maradonës”, ka nënvizuar Kapelo.