TIRANE - Komandanti i policisë italiane kundër Krimit Ekonomik e Kontrabandës, “Guardia di Finanza” Saverio Capolupo është pritur në një takim pune nga drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, ku ndër të tjera diskutuan thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit ekonomik dhe trafiqeve. Takimi u shoqërua dhe nga një deklaratë e përbashkët për mediat, ku u vlerësua marrëdhënia dy palëshe.

Ngritja e nivelit të bashkëpunimit, goditja e krimit dhe ndihma për policinë e shtetit shqiptar, janë diskutuar në tryezën e punës ndërmjet komandantit të Guradia di Finanza Saverio Capolupo dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj.

Capolupo në emër të Guardia di Finanza vlerësoi punën e deritanishme të policisë së shtetit, por shtoi se ende kriminalitetit ndërmjet dy vendeve mbetet i lartë dhe duhet forcuar bashkërendimi i forcës goditëse.

“Unë personalisht kam pasur një përvojë të gjatë në Shqipëri dhe jam shumë krenar për gjithë mbështetjen që ka ofruar Guardia di Financa në rritjen e efikasitetit të policisë shqiptare”, -tha Capulupo duke i siguruar Burgajt “vënien në dispozicion të mjeteve ajrore italiane për të gjitha nevojat që mund të lindin në të ardhmen. Edhe nevojat për luftën ndaj krimit të organizuar është një nevojë parësore jo vetëm për Italinë, por dhe Shqipërinë. Ndajmë të njëjtin mendim të rrisim më tej bashkëpunimin dhe përcaktimin e të gjitha mjeteve.”

Edhe drejtori i Policisë së Shtetit Burgaj vlerësoi se bashkëpunimi vitet e fundit me Guardia di Financa ishte më i miri.

“Sot policia e shtetit ka fituar besimin e plotë të të gjitha organizatave homologe dhe hoqëm burokracitë e viteve të mëparshme”, tha Burgaj duke e cilësuar këtë si çelësin e suksesit të këtij bashkëpunimi.

Operacionet e fundit të Policisë së Shtetit kanë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge dhe arrestuar disa grupe kriminale, por ende trafikantët e shohin Italinë si një treg fitimprurës dhe zyrtarisht nuk ka një shifër se sa është droga e sekuestruar me origjinë shqiptare në krahasim me atë sasi që kalon pa u kapur duke u futur tregun italian dhe atë evropian.

(sg/Shqiptarja.com)