Drejtori i ARRSH, Ergys Verdho në një intervistë për Report Tv tha se dëmtimet dhe çarjet e disa rrugëve nga rrëshqitjet e dherave është një problematikë që këto akse e kanë pasur ndër vite, por që mbingopja me ujë nga reshjet e shiut bënë që ato të çedonin. Verdho tha se do të ketë studime gjeologjike të thelluar në këto akse në mënyrë që të parandalohet rrëshqitja e tyre në të ardhmen. Duke u fokusuar në rrugën Borsh-Sarandë, Verdho tha se kompania e mirëmbajtjes ka siguruar që korsia e mbetur e saj të vijojë qarkullimin me masa të shtuara sigurie duke mos ndërprerë kalimin e mjeteve në këtë aks kombëtar, ndërsa tha se në të ardhmen do të ndërtohet muri mbajtës dhe pilota që do të bëjnë shkarkimin e ujërave nëntokësor për të mos lejuar mbingopjen e tokës dhe rrëshqitjen e saj sërish.

"Ujërat sipërfaqësor që penetrojnë në brendësi të rrugës ka sjellë këto rrëshqitje. Rrëshqitjet e dherave në rrugën e Borshit shtyu edhe rënien e murit mbrojtës, që ishte aty pikërisht për të shmangur këtë. Janë marrë masat për të siguruar korsinë e vetëm të rrugës duke e vendosur atë në qarkullim me masat e duhura për të mos ndërprerë kalimin. Ky segment rrugor i bërë në 2008 dhe kishte një mur që duhet të ishte vendosur në situatë gjeologjike të favorshme dhe muri ka çeduar. Pas 2009 agonia e këtij muri mbahej nën vrojtim, por shkalla e lartë e mbingopjes së këtij muri ka bërë që ajo të shembej. Kompanitë merren vetëm me sipërfaqen dhe shtresën asfaltike të rrugës, duke i zgjatur në kohë jetën të gjithë problematiken gjeologjike që kanë rrugët. Në 2015 ka nisur studimin e disa rrëshqitjeve në aks ku prej tyre është edhe ajo e Borshit. ARRSH  ka marrë masa që kjo korsi të jetë e fortë për kalimin e  mjeteve, do ndërtojmë shtresat të reja të rrugës do të ndërtojmë pilota që të bëjmë shkarkimin e ujërave nëntokësorë", tha Verdho.

Verdho foli edhe për rrugën e bllokuar nga dëbora në Theth dhe Qafë- Thorë duke thënë se është ndërhyrë për pastrimin e tyre, ku trashësia e borës arrinte nga 40 cm deri në 2 metra e gjysmë në Qafë Thorë.

"Në veri kemi pasur ngrica më shumë se reshje që ka sjellë rënie të shtyllave të tensionit të mesëm në rrugë, janë marrë masa me OSHEE për largimin e tyre. Dje kishim problematikë në Theth ku u punua për hapjen e rrugës, ku trashësia e dëborës shkonte nga 40 cm në 2 metra e gjysmë në Qafë Thorë", tha Verdho.