Humbja e Viktor Orbán në Hungari shënon një moment që shkon përtej kufijve të Budapestit. Për vite me radhë, sistemi i ndërtuar nga lideri hungarez është përkufizuar nga opozita hungareze si një “shtet-mafia”: një ndërthurje mes pushtetit politik, interesave ekonomike dhe kontrollit të institucioneve, që dukej i papërshkueshëm nga çdo alternativë. Një model që, për shumë vëzhgues, përfaqësonte shembullin më të plotë të demokracisë joliberale në Europë.

Megjithatë, ai sistem u rrëzua. Pavarësisht kontrollit mbi mediat, pavarësisht levave të pushtetit të konsoliduara në kohë, pavarësisht edhe mbështetjes së hapur ndërkombëtare, si vizita në mbështetje e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, shumë më i rëndësishëm dhe influent sa La Civita me pagesë nga Sali Berisha. opozita arriti të fitojë. Jo për mrekulli, jo për ndërhyrje të jashtme, por për një arsye të thjeshtë dhe vendimtare: sepse një pjesë e konsiderueshme e popullit hungarez e deshi vërtet ndryshimin.

Ky është thelbi. Kur ndryshimi bëhet një kërkesë reale e shoqërisë, asnjë makineri pushteti nuk është e pathyeshme. As propaganda, as kontrolli institucional, as rrjetet e interesave nuk mund të rezistojnë gjatë përballë një vullneti popullor të vërtetë, të përhapur dhe të vendosur. Historia politike europiane e ka dëshmuar këtë shumë herë. Hungaria e konfirmon sërish.

Dhe ky fakt, në mënyrë të pashmangshme, flet edhe për Shqipërinë.

Prej vitesh, Sali Berisha drejton një opozitë që e përshkruan qeverinë si një sistem të mbyllur, të korruptuar dhe të papërshkueshëm nga ndryshimi. Fjalët e përdorura nuk janë shumë të ndryshme nga ato që opozita hungareze përdorte kundër Orbán. Por ka një dallim thelbësor: në Hungari, në fund, mbështetja popullore shpërbleu alternativën. Në Shqipëri, jo. Dhe pikërisht këtu bien të gjitha alibitë.

Sepse nëse vërtet një sistem perceptohet si i papranueshëm nga shumica e qytetarëve, kjo shumicë shprehet në kutitë e votimit. Nëse kjo nuk ndodh, shpjegimi nuk mund të kërkohet vetëm tek forca e kundërshtarit. Duhet kërkuar edhe, dhe mbi të gjitha, tek dobësia e alternativës.

Një opozitë që humbet vazhdimisht nuk mund të vazhdojë të strehohet pas narrativës së një sistemi të pathyeshëm. Ajo duhet të reflektojë mbi aftësinë e saj për të përfaqësuar një shpresë të besueshme, për të kapur pakënaqësinë sociale, për ta kthyer protestën në mbështetje.

Hungaria tregon se edhe sistemet më të konsoliduara mund të rrëzohen. Por tregon gjithashtu se kjo ndodh vetëm kur ndryshimi nuk është një slogan, por një vullnet kolektiv.

Në Shqipëri, ky vullnet (të paktën deri më sot) nuk është shfaqur me të njëjtën forcë. Dhe ky nuk është një detaj. Është një verdikt politik.Ta injorosh këtë do të thotë të mbetesh i burgosur në justifikimet e tua. Ta pranosh, përkundrazi, është hapi i parë për të ndërtuar një alternativë të vërtetë.

Sepse e vërteta është vetëm një: pushteti nuk bie kur opozita e denoncon. Bie kur populli vendos ta ndryshojë.