Bashkimi Europian po përgatitet për çdo skenar pas zgjedhjeve në Hungari, nga një përplasje e vazhdueshme me Viktor Orban deri te një rifillim i kujdesshëm i marrëdhënieve në rast të fitores së Péter Magyar.
Zyrtarët në Bruksel presin që, nëse Orban qëndron në pushtet, tensionet me BE-në të thellohen, duke pasur parasysh përdorimin e shpeshtë të vetos për të bllokuar vendime të rëndësishme, përfshirë edhe paketën prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
Sipas diplomatëve, një fitore e tij mund të sjellë edhe një radikalizim të mëtejshëm të qëndrimeve, ndërsa një fitore e ngushtë mund ta dobësojë politikisht dhe të sjellë një qasje më të moderuar në raport me BE-në.
Në të kundërt, një fitore e Peter Magyar shihet në Bruksel me optimizëm të kujdesshëm. Ai ka premtuar të përmirësojë marrëdhëniet me BE-në dhe të ulë tensionet, por zyrtarët evropianë nuk presin një ndryshim të menjëhershëm, pasi edhe ai ka qëndrime të rezervuara për çështje si migracioni dhe anëtarësimi i Ukrainës.
Një nga çështjet më të rëndësishme për çdo qeveri të re do të jetë zhbllokimi i fondeve evropiane. Aktualisht, rreth 17 miliardë euro mbeten të ngrira për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit dhe korrupsionin, ndërsa Hungaria rrezikon të humbasë deri në 10 miliardë euro në muajt e ardhshëm nëse nuk ndërmerren hapa konkretë.
Lajmi kryesor:
Pjesëmarrje rekord! Mbi 74% e hungarezëve votuan në zgjedhjet parlamentare deri në orën 17:00, mbretërimi 16-vjeçar i Orbanit kërcënohet nga sfidanti Magyar








