Për më shumë se 11 orë dje dhe 5 orë të tjera sot, faqet Shqiptarja.com dhe Report-tv.al kanë qenë në qendër të një sulmi kibernetik me përmasa të paprecedentë. Sulmi i tipit “ddos” simulon hyrjen në të njëjtën kohë në portale të miliona kompjuterave, duke bërë në këtë mënyrë të pamundur aksesin në lajme. Sulmi i pare nisi dje pak minuta pas orës 18.00 dhe ka vazhduar deri ne oren 5:00 te mengjesit te dites se sotme. Sulmi i dytë ka filluar sot në orën 14:00 dhe u neutralizua më në fund nga specialistët tanë në orën 19:30.
Specialistët dhe eskpertët e huaj që manaxhojnë serverin tonë thonë se një sulm me përmasa të tilla nuk ndodh shpesh dhe nuk ndodh rastësisht. Pra nuk duket një aksion vullnetar i ndonjë hackeri 15 vjecar, por një sulm i mirë menduar dhe i mirë organizuar, dhe me siguri i realizuar me porosi. Pra porosi përkundër një shpërblimi që mund të arrijë deri në disa mjiëra dollarë për t’u paguar në bitcoin.
Në dark-web (ajo pjesë e internetit që nuk është e aksesushme nga cdo njeri) bashkë me armët dhe drogën, shesin si shërbim edhe sulme të tillë kundër serverave publikë apo privat. Eshtë një aktivitet kriminal i mirfilltë me pagesë, që dikush e ka vendosur ta porosisë për të dëmtuar median tonë. Ne nuk e dimë se kush e ka porositur, por e pamë se kush u gëzua shumë nga kjo gjë: një turmë e vogël militantësh ekstremistë që adhurojnë këdo që nxit urrejtjen dhe shkatërrimin. Duke parë profilet e tyre në facebook, shpesh këto hijena fshihen pas fotosh të pafajshme të fëmijëve, të nipërve apo të nënave të tyre pasi nuk kanë as kurajon të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Ato pak herë që shfaqin identitetin e tyre të vërtetë, kuptohet menjëherë se c’njerëz shpirtërisht të varfër janë. E megjithatë asnjë nga këta urrejtës profesionistë nuk mund të ketë paguar mijëra dollarë për të mbyllur portalet tona për gjatë 16 orë. Ata janë vetëm publiku, spektaklin e ka organizuar dikush tjetër. Dhe nëse sic dyshojnë ekspertët sulmi është nisur nga jashtë Shqipërisë, ndoshta nga hackera rusë, porositësi është sigurisht këtu brenda vendit.
Bllokimi i dy uebeve të informacionit për 16 orë është një sulm ndaj lirisë së shtypit që ndonjë politikan i dëshpëruar ja ka lënë porosi ndonjë bande kriminale. Eshtë një sulm i turpshëm ndaj lirisë së opinionit, është një përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar për të fshehur të vërtetën tonë të fakteve. Kush nuk beson në atë që shkruajmë, është i lirë të ndryshojë faqe, sepse kështu funksionon në demokraci. Fakti që mbi 1 milionë shqiptarë besojnë në rrëfimin tonë dhe e tregojnë duke u rreshtuar si fansa të Shqiptarja.com dhe të Report-tv.al frikëson ata që duan të mashtrojnë me gënjeshtra, me shpifje, me premtime të parealizueshme. Këto sisteme të mëdha genjeshtrash nuk funksionojnë nëse ka zëra si i yni që i zbulojnë fytyrën, duke sjellë fakte dhe duke përdorur logjikën në vend të ideologjisë së verbër. Duke përdorur arsyen dhe inteligjencën në vend të urrejtjes. Ja përse u përpoqën të na mbyllin: kanë frikë nga qytetaria jonë. Nëse do të ishin në pushtet do ta bënin me prokurori, me polici, me zjarr sic kanë treguar se dinë ta bëjnë kur ishin në qeverisje. Sot i kërkojnë ndihmë hackerave qe i perdorin si huliganët e tyre me gurë dhe molotov kundër godinave të insistucioneve. Por jua kujtojmë edhe njëherë: Nuk arritën të na mbyllnin gojën atëherë, nuk do të arrijnë as tani!