Mbështetës të modelit Sali Berisha u lumturuan shumë për hakerimin për orë e orë të tëra të Shqiptarja.com dhe të Report-tv.al. Inxhinierët tanë informatikë po përllogarisin sa sa u ka kushtuar sulmuesve të dy faqeve ueb ky sulm i paprecedentë ndaj një media shqiptare. Sepse një gjë është e sigurtë: e kanë paguar shtrenjtë. E megjithatë, ajo që ra në sy gjatë këtyre orëve ishte lumturia e mbështetësve të stilit Sali Berisha në këtë black out të gjatë dhe sidomos pasqyrimi i qartë i dëshirës së tyre të madhe se sa duan që të mos ekzistojë fare një media që ja ka treguar pikë për pikë të gjithë gabimet e mëkatet njeriut që mbart në vetvete më shumë se të gjithë shqiptarët bashkë urrejtjen, si një gjellë e tmerrshme e gatuar me shpifjen si lëndë të parë.

Për hir të së vërtetës këta urryes janë fare pak, të themi vetëm një grusht i vogël njerëzish në krahasim me gati 1 milionë e më shumë lexues që na ndjekin në dy mediat përditë, por dihet, urrejtja, bën gjithnjë përshtypje në krahasim me shumicën që ndjek pa bërë fjalë.

Në gjithë betejën tonë mediatike për t’i treguar shqiptarëve të vërtetën mbi politikanin Berisha dhe modelin antishqiptar të tij, asnjëherë të vetme nuk kemi gabuar, dhe asnjëherë të vetme nuk kemi shpifur asgjë as pa dashje, as me qëllim, madje, lideri i këtij grushti të vogël urryesish, pra Sali Berisha i tyre i preferuar, ka marrë për herë të parë dhe të vetme dënimin si shpifës nga një gjykatë, pikërisht në përballje me Shqiptaren dhe gazetarët e tij. E megjithatë ky fakt nuk merret fare parasysh nga mbështetësit e tij. Faktet përtypen me më shumë vështirësi nga ata që ushqehen me shpifje dhe urrejtje. Ajo që ka zënë rrënjë në kokat e tyre (ndonjë ish-koleg azilkërkues me rrena e i paaftë, ndonjë profesionist protestash me porosi, ish-doganierë apo ish-tatimorë partiakë, përfitues të drejtpërdrejtë të favoreve të familjes Berisha e të pushtetit të tij) është shpifja sistematike që Berisha ka bërë në gjithë këto vite drejt grupit tonë mediatik. Ata flasin pikë për pikë, si papagallë të stërvitur mirë, me shpifjet e Berishës duke treguar qartë se jo vetëm nuk kanë asnjë interes për të vërtetën, por vec zemrës, ka vite që ja kanë falur edhe kokën e tyre liderit suprem.

Sali Berisha po vuan sot në vetë të parë, ato që ka bërë për kundërshtarët e tij, ne gazetarët në radhë të parë. Ishte ai i pari që shpiku “non grata” për gazetarët që nuk e mendonin si ai, ndërsa sot ka përfunduar vetë si më i padëshirueshmi në Shqipëri. Një grusht të dëshpëruarish e ndjekin duke shkuar në delir e duke shpresuar se kush e kritikon, bllokohet nga hakerimi pak orë në ditë.