Carlo Bollino: Rama bën mirë që kërkon paga më të larta nga privatët, por të kërkojë edhe ulje të çmimeve

Carlo Bollino: Rama bën mirë që kërkon paga më të larta nga privatët, por të kërkojë edhe ulje të çmimeve

Kryeministri Edi Rama bëri mirë sot që thirri sipërmarrjet private për t’i sensibilizuar rreth nivelit të pagave që ata paguajnë. Në fakt është e turpshme që një ndërmarrje ndërtimesh (për shembull) t’u japë rroga 40.000 lekë në muaj punëtorëve që ndërtojnë pallate që më pas shiten nga 2500 apo 3000 euro metri katror. Është shfrytëzim i mirëfilltë. E njëjta gjë vlen edhe për shumë sektorë privatë të tjerë, ku është i përhapur edhe fenomeni i pagesave në të zezë, pra e krahut të punës që paguhet pa deklaruar rrogën reale dhe pa paguar në këtë mënyrë sigurimet shoqërore. Pra, jo vetëm që punëtorët paguhen pak, por mbeten edhe pa pensione.  

Deri tani qeveria e kishte justifikuar heshtjen e saj mbi këtë fenomen me frikën e ndërhyrjes në biznesin privat. Në fakt, në një ekonomi tregu të shëndetshme, Shteti duhet të lërë tregun të vetërregullohet dhe biznesi privat nuk duhet të pësojë asnjë kushtëzim nga ana e Shtetit. Po a është e shëndetshme ekonomia e tregut shqiptar deri në këtë pikë? A është në gjendje të vetërregullohet? Deri diku. Pra, tani që Edi Rama e theu këtë tabu’, duke arritur të prekë problemin e pagave të privatëve, e ka për detyrë të shkojë edhe më tej dhe të merret edhe me çmimet me të cilat privatët shesin shërbimet e tyre.  

Ekzistojnë shërbime dhe produkte thelbësore mbi të cilat privatët abuzojnë me çmimet dhe ku asnjë institucion shtetëror dëshiron të ndërhyjë. E ka bërë vetëm me bukën dhe karburantet, por është një përjashtim. Shërbimet e ofruara nga shëndetësia private për shembull, edhe falë një situate gati monopoli që Autoriteti për Konkurrencën bashkë me politikën kanë lënë që të krijohet, kanë arritur çmime deri edhe më të larta sa ato që paguhen jashtë shtetit. Cili pensionist është në gjendje të paguajë 5.000 lekë (të reja) për të bërë një ekografi pranë një spitali privat, siç ndodh sot? Cili punëtor është në gjëndje të paguajë 7-8000 lekë (të reja) për të bërë analiza të thjeshta laboratorike që shpesh nuk sigurohen nga shëndetesi publik? E njëjta gjë vlen edhe për ilaçet. Shpeshherë është më ekonomike t’i kërkosh shokut apo të afërmit që del jashtë që t’i blejë nëpër farmacitë europiane, sesa t’i blesh në farmacitë shqiptare ku çmimet për disa ilaçe janë më të larta dhe cilësia e të gjithë ilaçeve (kushedi pse) gjithnjë e më e ulët. 

Jo më pak i rëndësishëm se shëndetësia është edhe ushqimi. Kush i kontrollon çmimet e disa produkteve ushqimore që shpesh kushtojnë deri 50% më shumë se në Itali apo në Greqi? Përse një copë djathë parmixhano në Shqipëri është produkt për të pasurit, ndërsa në Itali është për xhepat e të gjithëve? Si mundet që një kilogram mandarina kushton në Tiranë dyfishin e çmimit të 1 kilogrami në Milano? Me pretekstin se bëhet fjalë për mallra të importuara, çmimet dalin jashtë kontrolli dhe në lëkurën e konsumatorëve bëhen spekulime të turpshme.  

Çmimet e çmendura tashmë kanë prekur edhe sektorin e turizmit. Një apartament në Sarandë këtë vit kushton deri në 180 euro për natë (nga 60 euro të një viti më parë), ndërsa një dhomë në një hotel kushton deri 300 euro nata edhe më shumë. Si në Sardegna apo në Kosta Azzurra, ku të ardhurat janë 15 herë më të larta.

Nëse do të ishte një ekonomi tregu normale, çmimet do të rregulloheshin nga tregu dhe po tregu do të çonte çmimet në linjë me të ardhurat mesatare. Por ekonomia informale që vazhdon të zotërojë Shqipërinë deformon vlerën e të ardhurave mesatare dhe qarkullimi i sasive të mëdha të kapitalit të pisët (pra para cash mbi të cilat nuk paguhen taksa dhe shmanget çdo kontroll) lejon spekulime. Vetëm kështu shpjegohet fakti se pse apartamentet në Tiranë kushtojnë tashmë më shumë se në shumë qytete italiane apo franceze, pra shumë më lart se mundësitë e një qytetari të mesëm. Çmime shumë të larta edhe në fushën e ndërtimit që për t’u justifikuar të cojnë në lukse të shfrenuara, një tjetër mani jashtë kontrollit  që modifikon përfundimisht rregullat e tregut. Pyetja është e thjeshtë: Eshtë e vërtetë që ato supervila dhe superapartamente shiten pavarësisht cmimeve stratosferike, po kush i blen?  

Ja pse bën mirë kryeministri që ndërhyn në çështjen e pagave mesatare, duke ftuar sipërmarrjet të rrisin rrogat dhe t’i deklarojnë në vlerën reale. Por kjo nuk mjafton. Duhet që Shteti të kontrollojë sektorin privat dhe të gjejë një metodë që përveçse të shërbejë për rritjen e rrogave, të ulë edhe çmimet.

xy//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ćevara: 20/03/2023 10:26

    Dukshem abuzimi me cmimet e apartamenteve qendron ne faktin se nuk mundet qe ti perkthejne ne prona ne vendet europjane pasi jane leke te pista. Ketu eshte thjeshte sepse ndertuesit kryesore te fshatrave turistike apo rezidencave luksoze jane bere dhe pronare bankash dhe I pastrojne lehtesisht leket qe qarkullojne ne kanalet e pista. Pjesa tjeter qe blejne apo marrin dhurata per favore te # jane ministra apo funksionare pushteti. Ndersa per rritjet e cmimeve me mbi 50% se nje vit me pare sic jane nenproduktet e bulmetit dhe te mishit por dhe produkte te tjera te shportes, qeveria duhet te nderhyje sa me pare si rregullues, qofte dhe me ulje te vleres se TVSH-se, debat ky qe eshte present sot dhe ne Irali me paga mbi 10 here me te larta.

    Përgjigju
  • Iris: 19/03/2023 02:37

    Matrapazet shqiptare! Mjafton te shikosh kohen e festave,ne gjithe boten ulen,ne Shqiperi ngrihen.

    Përgjigju
  • Nelson: 18/03/2023 13:17

    Bravo Karlo , je i vetmi gazetar qe e shtron si duhet kete problem. Duhet nderhyrje e qeverise. Edhe ne Toronto Kanada cmimet e shtepive ishin per shume vite aq te larta sa nuk bleheshin dot nga klasa e mesme por vetem bliheshin nga milioneret qe vinin nga jshte Kanadase. POr qeveria nderhyri me disa masa si psh nuk kane drejte te huajte te blejne apartamente per tre vjet ne Toronto. Apo ngriti taksat e atyre qe i blinin shtepite per te bere biznes si rezultat cmimet qe nga viti i kaluar jane ne renie.

    Përgjigju
  • Artur: 18/03/2023 09:13

    Bravo Carlo. E ke thene shume mire. Por kujdes nga Rama sepse eshte me keq se saliu dikur. Respekte per ju edhe ReportTV

    Përgjigju
  • Qytetari: 17/03/2023 19:15

    Shume sakte z.Bollino per shume produkte cmimi ne Shqiperi eshte me i larte se ne vende te pasura europiane, qe kane cilesi me te larte e paguhen ku e ku me ne. Rritja e pagave nqs shoqerohet me rritje apo mosulje cmimesh eshte nje vrime ne uje persa i perket mireqenies dhe njerezit do vazhdojne te ikin...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja