TIRANË- Të gjitha kompanitë që deklarojnë paga 40 mijë lekë nuk do të marrin më lejë ndërtimi. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me sipërmarrësit privatë. Kreu i qeverisë tha se koha e shfrytëzimit të punonjësve duhet të marrë fund dhe se kompanitë duhet të deklarojnë pagat e plota.

“Epoka e shfrytëzimit të punës, të burimeve që punojnë, prodhojnë punë, që japin punë duhet të mbyllet. Ne do të zhvillojmë këtë dialog si një proces kundër shfrytëzimit të forcave të punës.(...) Ne nuk do të financojmë me paratë e shtetit shfrytëzimin e as do të japim leje ndërtimi për kompanitë që deklarojnë paga 40 mijë lekë”, u shpreh Rama.

Nga 1 prilli futet në fuqi rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë, por për kryeministrin Edi Rama kjo është e pamjaftueshme dhe se sipërmarrjet private duhet të bëjnë më shumë për mbështetjen e punonjësve dhe rritjen e pagave për ta. Në këtë takim të parë me bizneset Kryeministri veçoi se po rishikohet një skemë edhe për pagën mesatare.

“Po shohim pagën mesatare, po rishikohet një skemë e re e të gjithë pagave, e vështirë por është o bëhet o bëhet. Nuk luhet me punonjësit, ka ikur ajo kohë”, tha Rama.

“Sfida është që pagat mesatare të shkojnë në një niveli tjetër. problematikë është formalizmi dhe kostot e larta të prodhimit. Do të diskutojmë me bizneset se ku mund dhe si të shkojmë për pagat mesatare”, u shpreh Ibrahimaj.

Kreu i qeverisë pati një përgjigje edhe për opozitën, duke thënë se rritja e pagës minimale, nuk po bëhet për qëllime elektorale, pasi nuk kanë nevojë për një gjë të tillë. 

"Në këto kushte s’mund të mos reagonim. 38 mijë lekë ka qenë maksimumi i programeve elektorale. Në prill bëhet 40 mijë lekë. Kjo s’ka lidhje me fushatat. S’kemi pse të rrisim pagat për të fituar zgjedhjet. Njerëzit na besojnë më shumë se ç’besojnë të tjerët. Paga minimale është rritur se është koha për t'i dhënë të gjithë bashkë një shtysë", tha Rama. 

Rama u shpreh se ndodhemi përballë një krize punëtorësh dhe prandaj bizneset private duhet t’i vlerësojnë punonjësit shqiptarë si sytë e ballit dhe mos t’i kthejnë sytë nga ata të huaj. Për kreun e qeverisë, sipërmarrjet private duhet të investojnë jo vetëm në rritjen e pagave, por edhe në përmirësimin e kushteve të punës, në motivimin e tyre apo në trajnime për t’iu mundësuar rritjen profesionale.

“Duhet që punonjësit shqiptar ta vlerësojmë si sytë e ballit. Sipërmarrësit shqiptarë duhet të kuptojnë që nuk mund t’i japin asaj gruas që pastron nga 300 mijë lekë se janë nga vendi dhe pastaj marrin nga Bali dhe Filipinet dhe u japin nga 1000 euro. 

Në këtë takim vetë bizneset kërkojnë ndërhyjrje nga qeveria për humbjen e fuqisë punëtore. Nga rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë nga 1 prilli përfitojnë 290 mijë punonjës në sektorin publik dhe privat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:17
Rama: S’do japim më leje ndërtimi për kompanitë që deklarojnë paga minimale! E neveritshme që ka fitime marramendëse dhe shfrytëzohen punëtorët

 

Kryeministri Edi Rama ia ka bërë të qartë kompanive të ndërtimit që s’do i japë më leje nëse do të deklarojnë paga minimale. Sipas tij, është e neveritshme që ka fitime marramendëse ndërsa shfrytëzohen punëtorët.

“Një nga gjërat që do të bëjmë është që s’kemi për t’i dhënë leje ndërtimi e kontrata punësh publike kompanive që nuk kanë një pagë reale të sektorit të deklaruar. Si i paguan punonjësit? Ne nuk do të financojmë me paratë e shtetit shfrytëzimin e as do të japim leje ndërtimi për kompanitë që deklarojnë paga 40 mijë lekë. Kjo është për industritë prodhuese në këtë fazë. Deri në fund të mandatit do të shkojë 45 mijë lekë.

I kemi bërë hotelerisë çdo gjë, kemi krijuar kushtet më optimale që ka rajoni, me TVSH 6% kur ankohen që nuk kanë kamarierë, recepsionistë. Kur shikon pagën minimale, po kujt ja bëjnë këtë? Ja bëjnë vetes në fakt. Të gjithë sektorët ku është bërë analiza e pagave dhe e qartë si është realiteti, do tregojmë dhe pasqyrën e realitetit. Në këtë mënyrë futemi në ndërveprim pozitiv. Kompanitë e ndërtimit kanë sot referenca shumë të ulëta të shitjeve dhe realet i dimë se çfarë janë. Është e papranueshme, e neveritshme që nga një anë të bëhen fitime marramendëse e nga ana tjetër të vijojë shfrytëzimi i krahut të punës.

Në fund të ditës e dini shumë mirë kush është stacioni i fundit i jetës, kur të shkoni te Shën Pjetri do hiqni të zinjtë e ullirit se nuk e di si do i justifikoni fshehjet e pagave. Punoni edhe për atë ditë”, tha Rama.

Ora 12:11
Rama: Fasoneria s’ka menduar për krizën e punëtorëve! Me kë do t’i zëvendësojë gratë, do vijnë vajzat e TikTok-ut të punojnë për 40 mijë lekë?!

 

Kryeministri Edi Rama ka folur për krizën e punëtorëve duke thënë se industria e fasonëve nuk ka menduar për këtë ditë. Rama tha se pronarët e fasonervie i kanë shfrytëzuar gratë që kanë marrë në punë që nga viti ’90, e ndërsa tani gjenden përballë krizës së punëtorëve dhe s’do kenë me kë t’i zëvendësojnë, duke ngritur edhe një pyetje ironike se a do marrin dot gocat e TikTok-ut dhe t’i paguajnë me 40 mijë lekë.

“Duhet që punonjësit shqiptar ta vlerësojmë si sytë e ballit. Sipërmarrësit shqiptarë duhet të kuptojnë që nuk mund t’i japin asaj gruas që pastron nga 300 mijë lekë se janë nga vendi dhe pastaj marrin nga Bali dhe Filipinet dhe u japin nga 1000 euro. Nuk mund të funksionojë kështu. Nëse sot ka një problem dramatik është se Industria e fasonëve nuk ka menduar për këtë ditë. Fatmirësisht edhe në industrinë e fasonëve janë disa pionerë që kanë menduar për këtë ditë. Ca iu ndodh sot, Ato gra që i kanë marrë që në viti ‘90, i ka paguar me pagën minimale dhe u ka marrë shpirtin të shtunën, të dielën, se duhet plotësuar kjo se na e kërkon Armani e Versace. Sot i ka ardhur mosha e pensionit, me kë do t’i zëvendësojnë? Do vijnë vajzat që lozin në TikTok në Kamëz e Paskuqan apo në Vlorë, Lezhë do marrin makinën qepëse do rrinë aty për 40 mijë lekë, dhe ju diskutoni se janë 40 mijë shumë dhe si paguani dot. Është gjithë sistemi që duhet ndryshuar, duhet kaluar në Made in Albania, përndryshe thjesht dhe vetëm jeni rolin e tij gomarit që thoshte o zot bëjë ëndërr se ujku nuk është duke ngrënë, ujku ka filluar t’iu hajë kjo është evidente. Në do bëjmë si të tjerët, do marrim edhe punonjës të huaj, po nuk bëhet shtëpia me miell hua. Nuk jemi në kushte e Gjermanisë. Ne kemi mundësi për t’i gjetur. Është gjë tjetër nuk mund të pajtohet më me të njëjtat kushte, jemi në një moment krize të përgjithshme, ose do ta lëmë krizën që ti marri me vete si një dallgë të madhe sipërmarrjet ose ta kthejmë në një mundësi duke shfrytëzuar të gjitha kapacitet ne si qeveri dhe ju sipërmarrje që të dilni më të fortë”, tha Rama.

Ora 12:00
Mesazhi i Ramës për sipërmarrjet private: Mos luani me punonjësin! Do ju ndodhë si ‘gomari që ngordhi kur e mësova të mos hajë’

 

Në fjalën e tij gjatë takimit me sipërmarrjen private, kryeministri Edi Rama dha një mesazh të qartë për ata që nuk motivojnë punonjësit me rritje pagash.

“Nuk luhet me punonjësin. Është më i rëndësishëm se vdetura e re, se jahti. Nëse i do të gjitha këto tani dhe kujton se e ke punonjësin aty, do të ndodhi fiks ajo, “më ngordhi gomari kur e mësova të mos hajë” – tha Rama.

Ora 11:52
Rama: Sipërmarrja private kujton se ia hedh shtetit, jep paga minimale për të blerë vetë vila! Punëtorët s’duan para veç për të blerë bukë

 

Kryeministri Edi Rama tha se sipërmarrja private kujton se i hedh ‘hi syve’ të shtetit kur jep paga minimale vetëm që të ketë sa më pak detyrime dhe të ketë mundësi për të pasur jetë luksi për vete.

Kreu i qeverisë tha se punëtorët s’kanë nevojë për para veç për të blerë bukë por duan siguri.

“S’ka pagë minimale 40 mijë lekë në ndërtim. Nuk ekziston. Janë gënjeshtra që sipërmarrja kujton se ia hedh shtetit dhe kujton se duke ia marrë punonjësve sigurimet shoqërore e shëndetësore për të blerë vilën e gjashtë do e kenë të ardhmen e sigurt. Jo s’do e kenë se do mbeten pa punëtorë. Punëtorëve s’kanë nevojë për para veç për të blerë bukë por duna të ndihen të sigurtë për veten e familjen”, tha Rama.

Ora 11:46
Rama i përgjigjet kritikëve: Rritja e pagës minimale s’bëhet për të fituar zgjedhjet! Njerëzit na besojnë më shumë se të tjerët

 

Kreu i qeverisë, Edi Rama i është përgjigjur kritikëve që thonë se rritja e pagës minimale po bëhet vetëm për të fituar zgjedhjet.

“Rritja e pagës minimale sot 40 mijë leke u diktua nga kjo. Nuk e kishim programuar pagën minimale. Shumë njerëz komentojnë që thonë duhet të jetë 800-900, duhet të jetë 1200. Problemi nuk është dëshira, kapaciteti që ka tregu dhe ekonomia për ta mbajtur.

Paga minimale ka një logjikë por nga ana tjetër s’mund të vazhdonim me programin që nuk ishte parashikuar. Lufta në Ukrainë ka një lidhje shumë të madhe.  Në këto kushte s’mund të mos reagonim. 38 mijë lekë ka qenë maksimumi i programeve elektorale. Në prill bëhet 40 mijë lekë. Kjo s’ka lidhje me fushatat. S’kemi pse të rrisim pagat për të fituar zgjedhjet. Njerëzit na besojnë më shumë se ç’besojnë të tjerët. Paga minimale është rritur se është koha për ti dhënë të gjithë bashkë një shtysë. Pagat reale në Shqipëri janë më të larta se ato të deklaruara”, tha Rama.

Ora 11:44
Rama takim me bizneset: Koha e shfrytëzimit të punonjësve duhet të marrë fund, sipërmarrjet private duhet të nisin një epokë të re

 

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me sipërmarrësit privatë ku po diskutohet për rritjen e mëtejshme të pagave. Rama tha se duhet të marrë fund koha kur sipërmarrjet private shfrytëzojnë punonjësit. Sipas Ramës, duhet mbyllur faza e shfyrtëzimit të punonjësve dhe sipërmarrja ka dy zgjidhje, ose duke mbetur pa punonjëse dhe të reflektojë, ose të bëhet e vetëdijshme dhe të krijojnë një marrëdhënie te re me punonjësit.

"Të rrojë duke mbështetur punonjësit që edhe atë të rrojnë, epoka e shfrytëzimit të punës, të burimeve që punojnë, prodhojnë punë, që japin punë duhet të mbyllet. Ne do të zhvillojmë këtë dialog si një proces kundër shfrytëzimit të forcave të punës, marrëdhëniet kapitaliste në Shqipëri për shumë vite kanë qenë të bazuara të shfrytëzimi, si edhe tek fitime të padeklaruara. Kjo fazë është duke u mbyllur dhe çështja është si do të mbyllet. Zgjedhja që duhet të bëjë sipërmarrja në Shqipëri, është si do mbyllet duke e përplasur sipërmarrja në tokë dhe duke e lënë pa burime njerëzore, apo do mbyllet duke u bërë sipërmarrja e vetëdijshëm se duhet të krijojë një marrëdhënie të re me forcat punëtore”, tha Rama.

Ora 11:39
Rama: Sipërmarrja private i ka bërë gropën vetes! Po i ikin forcat pa të cilat vdes, njerëzit! Shtetet e zhvilluara po zhvasin burimet njerëzore

 

Në një takim me sipërmarrjen private ku po diskutohen pagat, kreu i qeverisë thotë që po luftojnë për të ruajtur burimet njerëzore. Teksa përmend shprehjen “sapo e mësova gomarin pa ngrënë më ngordhi”, kërkon të tregojë se si po largohen forcat punëtore për shkak të mungesës së motivimit dhe mosrritjes së pagave.

“Vendosëm të bëjmë këtë takim për një proces që dëshirojmë ta kthejmë në një dialog kombëtar me sipërmarrjen por edhe aktorët e tjerë dhe të gjithë shoqërinë sepse jemi në një udhëkryq shumë delikat dhe më në fund vetë sipërmarrja po e shikon gropën që i ka hapur vetes vit pas viti duke bërë atë që bëri ai që tha në fund, sapo e mësova gomarin pa ngrënë më ngordhi. Tani sipërmarrja po shikon që lufta për ruajtjen e burimeve njerëzore i ka hyrë brenda në territorin e vet. Tani po shikon se si po i ikin nga duart pikërisht ato forca pa të cilat sipërmarrja vdes, njerëzit. Tani të gjithë po e shohin se si shtetet më të zhvilluara janë futur me kokë për të zhvatur nga të munden burimet njerëzore të kujt munden. Nëse një punonjës apo një i ri ka mundësinë dhe perspektivën të paktën teorike që duke u larguar ta gjejë punën diku tjetër, sipërmarrja nuk ka ku shkon. Tani dilema e sipërmarrjes është të rrojë apo të vdesin”, tha Rama.