Prej disa muajsh, me zë apo nën zë, më “akuzojnë” si pronar të një portali me emrin “Prapaskena”. Kjo është një shpifje që nisi fillimisht nga një biznesmen dashakeq, por tashmë, siç shpesh ndodh me admirimin e thashethemit në Shqipëri, kjo e pavërtetë është përhapur edhe mes shumë biznesmenësh, politikanësh, ministra e ministre. Shpifja është një erë e lehtë nga e cila është e vështirë të mbrohesh, pasi është e pamundur të përgënjeshtrosh një gjë që nuk ekziston. Prej muajsh e kam injoruar këtë legjendë duke besuar se do të shuhej vetvetiu, por jo, kjo shpifje reziston si çdo shpifje dhe rikthehet me forma të ndryshme në pikën që më detyron të bëj një reagim.

Jam gazetar prej 42 vitesh dhe nuk besoj se ekziston një individ në botë që të impenjojë edhe një cent të kursimeve të tij për të krijuar një media me të cilën nuk mund të mburret për pronësinë. Domethënë, nuk kuptohet se me ç’qëllim do të kisha krijuar “Prapaskenën” duke mbetur i fshehtë, kur ndërkohë kam mediat e mia që janë mijëra herë më të lexuara, më të bukura, më të ndershme dhe më të besueshme se “Prapaskena”, një lloj kioske online ku “gazetarë” shkruajnë në formë anonime pa publikuar asnjë lloj prove. Shumë prej viktimave të atyre shkrimeve janë edhe miq të mi ose njerëz që i njoh, politikanë që vlerësoj ose klientë publicitarë të grupit tim editorial: me ç’qëllim duhet t’i godas pas shpine? Në këmbim të ç’interesi pervers?

Kush më njeh apo më ndjek në debatet televizive, e di mirë se sa i fiksuar jam profesionalisht për të folur gjithnjë me dokumente në dorë. “Prapaskena” dhe shumë portale online të të njëjtës kategori, janë ekzaktësisht e kundërta e këtij principi. Godasin, akuzojnë, baltosin këdo majtas e djathats pa treguar asnjëherë një provë. Opinioni ose bindja personale e kujt shkruan, ose, më keq akoma, një thashethem, shndërrohen në fakte. Sikur të ishte gjithçka e provuar. Janë e kundërta totale e gazetarisë që unë praktikoj dhe u mësoj të tjerëve prej dhjetëra vitesh. Ç’logjikë perverse do më shtynte të hapja një palo-portal që kundërshton historinë time njerëzore dhe profesionale?

“Prapaskena” dhe shumë portale të tjerë të llojit të saj, që helmojnë botën e mediave shqiptare, nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë time, është vetëm armë për të vendosur gjoba. Mjafton të shohësh me dhjetëra artikuj të publikuar e më pas të fshirë. Gati gjithnjë pas një artikulli të fshirë, është një gjobë e paguar. Janë dhjetëra vite që luftoj gazetarinë e gjobave dhe nëse prej kohësh nuk po shkruaj më për këtë kancer të profesionit, e vetmja arsye është se jam dorëzuar: gjobaxhinjtë janë tepër dhe më të fortë se unë dhe sepse kam kuptuar se shumë biznesmenë dhe politikanë preferojnë më shumë të bashkëpunojnë me një gjobaxhi, sesa me një gazetar të ndershëm. Sepse gjobaxhiun e kontrollojnë duke e paguar dhe të paguash është shumë më e thjeshtë se të bindësh me logjikë. 

E kam kuptuar shumë mirë se legjendën-shpifje se unë qenkam pronari i "Prapaskenës" e ushqejnë kundërshtarë apo konkurrentë të mitë që përpiqen të minojnë vlerën më të rëndësishme që kam: Besueshmërinë. Është një modë e këtyre viteve të fundit, një mënyrë e re për të më sulmuar ata që nuk mendojnë si unë ose që nuk duan të pranojnë vlerat profesionale që kam dhe kontributin që kam dhënë. Duke mos arritur ta bëjnë me gjërat që publikoj në mediat e mia, gjithnjë reale dhe të dokumentuara, e bëjnë me gjërat që nuk i kam publikuar unë, por që publikon "Prapaskena", që gati gjithnjë janë shpifje! Po unë jam gazetar dhe në çdo gjë që them dhe shkruaj vë në vetë të parë fytyrën time. Të mjerët ata që nuk e kanë këtë kurajo. Ata janë thjeshtë mizerabël bashkë me ata që i besojnë. 

Gjëja më e pabesueshme e kësaj legjende-shpifje është se Prapaskena e ka një pronar të vetin, themeluar më datë 18.11.2021 dhe regjistruar rregullisht në QKB me NIPT M12318011Q. Pronari dhe administratori quhet Erzen Dali Lita, lindur me 22.06.1981. Duke lexuar QKB mësoj se nga data 5.09.2022 aksionet e Prapaskenës janë nën sekuestro konservative nga ana e përmbaruesit Fatos Alimadhi, me sa kuptoj nga borxhe ta pa paguara nga Erzen Lita. Përse përmbaruesi nuk është paraqitur të më kërkojë paratë mua, meqë për disa qënkam “pronari”?  Dhe përse biznesmenë, politikanë, ministra dhe ministre para se të hedhin baltë ndaj meje, nuk i telefonojnë botuesit Erzen Lita për t’i kërkuar llogari për shpifjet që ky portal publikon, në vend që të thonë se i kam bërë unë? Për ta gjetur nuk është e vështirë: në QKB është dhe adresa e "Prapaskenës":  Rr. Sokrat Miho. Pallatet "Sandy" Nr. 13. Tirane, bashke me numri i telefonit: 0692142685. 

Ligji është i qartë: kur një portal publikon një artikull që konsiderohet shpifje edhe nëse është anonim, mund të bëhet padi civile ndaj pronarit. Atëherë, shkoni në gjykatë me të gjithë artikujt false që ai portal ka publikuar dhe askush të mos guxojë më ta lidhë me emrin tim atë kanaçe. Prapaskena dhe pronari i saj janë një makineri për të prodhuar gjoba, kriminelë të informacionit. Tani shpresoj të më padisin në gjykatë për shpifje, kështu të paktën faktojmë cili është me të vërtetë.

(Kliko këtu për ekstraktin në QKB për 'Prapaskena.com')

 

(Kliko këtu për të lexuar Statutin e shoqërisë 'Prapaskena.com')

 

 

Vendimi i përmbaruesit  për sekuestrimin e aksioneve të 'Prapaskena'