Carlo Bollino: Tri gra të guximshme dhe një burrë frikacak

Carlo Bollino: Tri gra të guximshme dhe një burrë frikacak

Foto ilustruese

Eshtë me të vërtetë e çuditshme historia e Emiljano Nuhos dhe e Xhisiela Malokut. Nga një anë kemi policin, që vetëm se nisi të hetonte djalin-bos të një deputeti socialist ja mbathi i terrorizuar jashtë shtetit; dhe nga ana tjetër, është vajza që denoncoi këtë bos, që ka zgjedhur të qendrojë në Shqipëri, të jetojë në Fushë Krujë, e njëjta qytezë ku banon dhe “i forti” që e ka rrahur. Kemi policin që flet me fytyrën e mbuluar si të ishte një hajdut, edhe pse tashmë është i sigurtë në Zvicër, dhe kemi vajzën që denoncon dhunën e pësuar, duke u ulur me kurajo në një studio televizive në Tiranë. Kemi ish-policin që kërkon azil politik duke jetuar i fshehur jashtë shtetit, dhe kemi vajzën që kërkon drejtësi duke qëndruar në atdhe.

Nëse do të ekzistonte një matës kurajoje dhe do të duhej të vlerësonim se kujt i takon përkufizimi “hero”, ky titull do t’i shkonte pa asnjë dyshim Xhisiela Malokut. Një grua, që tani mbrohet nga një tjetër grua, Mirela Kostaqi Kapo. Eshtë prokurorja e Fushë Krujës që ka udhëhequr hetimet për dhunë ndaj Xhisielës. Eshtë ajo që kishte caktuar oficerin e policisë Emiljano Nuhu të plotesonte dosjen hetimore duke pyetur djalin e të deputetit, hetim që Nuho nuk pati guximin ta bënte duke preferuar t’ia mbathë nga frika. Eshtë Mirela Kapo që dje urdhëroi arrestimin e të riut të dhunshëm Rexhep Rraja, duke e akuzuar për dhunë dhe perndjekje ndaj Xhisiela Malokut. Por edhe në gjykatë, ku përfundoi kërkesa për urdhër-arrest, vendimi është firmosur nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Pra dy gratë e drejtësisë, dy heroina të tjera gra në këtë histori.

Ndërsa Lulzim Basha dhe rrogozi i shërbëtorëve të tij, të cilët si zakonisht janë futur në këtë histori me gënjeshtrat e tyre, manipulimet e tyre, abuzimet e tyre të pushtetit, kanë vendosur që heroi këtu është Emiljano Nuhu, ish-polici frikacak.

Nuk është hera e parë që në Shqipëri bëhet hero kush vendos t’ia mbathë. Nuk është hera e parë që Partia Demokratike zgjedh heroin e gabuar. Kështu ndodhi me Babalen, mashtruesi i njohur, çuditërisht edhe ai ia ka mbathur në Kosovë përgjatë të njëjtës rrugë klandestine të ndjekur nga Emiljano Nuhu, që ashtu si Babale, mori me vete edhe ëndrrën e azilit politik. Një plan identik si ai i Dritan Zaganit, një tjetër ish-polic i shndërruar në hero pas arratisë së tij e që tani shfaqet mik e solidar me Emiljano Nuhon. Dhe pastaj dalin gazetarët e partisë që ofrohen të intervistojnë këta të arratisur, që menjëherë ndjehen edhe ata heronj: autorë “scoop”-esh të servirura nga politika, të regjistruara keq dhe pastaj të servirura publikut si “gazetari investigative”

Nuk është hera e parë që kush tregon kurajo të vërtetë, në të kundërt të këtyre të mësipërmëve, të jenë gratë. Pak ditë më parë pikërisht dy gra në krye të prokurorisë, Arta Marku dhe Donika Prela, akuzuan 11 prokuratorë, të gjithë burra, se kishin frikë të paraqisnin akuzat në procesin kundër Emiljano Shullazit. “Prokuratorët kanë frikë të luftojnë krimin dhe të korruptuarit”, denoncoi prokurorja e përgjithshme.

Askush nuk e ka me detyrim të bëhet hero. Por nëse duam të ndërtojmë një Shtet dhe nëse duam të fitojë drejtësia, dikush duhet të tregohet edhe i guximshëm kur ndodhet në Atdhe. Lufta kundër krimit, kudo në botë, kërkon kurajo. Nuk mjafton vetëm reforma në drejtësi dhe nuk do të mjaftojë asnjë reformë tjetër nëse burrat që duhet të hetojnë, të arrestojnë e dënojnë fajtorët janë gati t’ja mbathin jashtë shtetit me të parën sms kërcënimi, si lepurushë të ndjekur nga të lehurat e një qenushi.

Të luftosh krimin është kudo e rrezikshme, jo vetëm në Shqipëri, por siç ndodh jashtë edhe këtu, politika dhe media e kanë për detyrë të tregojnë seriozitet mbi këtë temë. Manipuluesit dhe mashtruesit duhet të izolohen, ashtu si dhe prodhuesit e fake news. Por edhe burrat pa kurajo nuk shërbejnë në këtë betejë, që është vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Të transformojmë në heronj frikacakët që ja mbathin dhe të injorojmë heronjtë e guximshëm që mbeten, shërben vetëm për të qetësuar të këqinjtë dhe të festojmë triumfin e padrejtësisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Veritas: 01/10/2018 01:17

    ...sh.bukur...,ekzakt...,sh e vertete....,...!!!

    Përgjigju
  • Faik: 01/10/2018 00:59

    RESPEKTE CARLO BOLLINO ! Brilant si gjithmonë ! Atyre që Nuk ju pëlqejnë Shkrimet e tua janë BANDITËT , KRRIMINELËT , HORRAT , dhe Krye HAJDUTËT e PD KRRIMIT që duan të VJEDHIN dhe hanë QYL .

    Përgjigju
  • Carlo: 30/09/2018 22:23

    Me kot mundohesh te manipulosh njerezit me shkrime mjerane. E dime shume mire se z Nuhu Po te rrinte ne shqiperi kjo ngjarje nuk do te behej asnjehere publike. Sic nuk behen publike shume te tjera. Ndac botoje ndac mos e boto komentin. Je per te ardhur keq per pelivanlleqet qe shkruan... apo t heqin Bunk’Art-in?

    Përgjigju
    • Babalja: 01/10/2018 06:12

      E ke shume gabim fredi i mamit.kjo ceshtje u ka bere para nje muaji publike nga vet goca. Ai kerma polic perfitoi nga kjo me rrenat e tij aizilin dhe asgje me shume. Shkrimet e zoterise jane pasqyre e se vertetes,dhe jo dhe jo shpifje dhe mashtrim sic bejne babalekratet e shqupit.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë