Carlo Saleti: Ju tregoj artistët
më të mirë te "Skënderbeu"

Carlo Saleti: Ju tregoj artistët <br />më të mirë te "Skënderbeu"
Regjisori italian Carlo Saletti është befasuar nga pjesëmarrja e publikut dhe duartrokitjet shpërthyese në premierën e operës "Skënderbeu", e cila u dha në Teatrin e Operës në Tiranë më 18 qershor. Për të nuk është hera e parë që vjen nga Italia për të bashkëpunuar me projekte të TKOB-it. Saletti-t i është dashur të organizonte lojën dhe kompozimin e skenave të rreth 200 figurave. Vendi, lëvizja, hyrja në aksion e solistëve, por edhe lëvizjet e korit kanë qenë përgjegjësia e tij dhe e Zhani Cikos. Ai ka bërë çmos që të sjellë imazhin skenik të periudhës mesjetare. Besnik i libretit të Llazar Siliqit, Saletti ka punuar si regjisor me rreth 25 personazhe, por edhe me dhjetëra këngëtarë dhe solistë. Është i emocionuar dhe i mbetet mirënjohës publikut shqiptar për suksesin. Pasi ka shijuar premierën, ai arrin të vlerësojë edhe artistët më të mirë për vokalin dhe interpretimin aktorial. "Problemi për pjesën teatrale qëndron te mënyra sesi realizohet shkrirja e personazhit me rolin", thotë Saletti për "Shqiptarja.com". Carlo Saletti ka një përvojë disavjeçare si asistent regjisor në produksionet operistike të teatrove të Veronës dhe Triestes. Puna me skenat masive në operën italiane nuk është një gjë e re për të, por një opera në gjuhën shqipe ka qenë një lloj preokupimi shumë i madh. Dje ishte shumë i gëzuar pas premierës, jo vetëm për pjesëmarrjen e publikut, por edhe entuziazmin me të cilin u prit premiera "Skënderbeu" në Tiranë.

Maestro Carlo, si mundët të realizoni një opera autentike shqiptare si Skënderbeu, kur ju për herë të parë ngjisni në skenë një opera shqiptare?
-Unë kam një bashkëpunëtoren timen shqiptare që ka studiuar regji për opera në Itali, Ada Gurrën. Ajo më ka ndihmuar të përvetësoj tekstin në shqip dhe prej saj e artistëve këtu më janë bërë të njohura prej pjesë të historisë që i trajtojnë libretisti Siliqi dhe kompozitori Jakova. Vështirësia ime mbeti që t'i jepja vendin e duhur secilit personazh, pasi dhe ai që ka rolin më të vogël për mua në skenë është i rëndësishëm. Më kanë ndihmuar të gjithë artistët shqiptarë këtu në opera dhe sidomos Maestro Zhani Ciko, ai më njohu me talente që më sollën deri në këtë rezultat.

Si do të ishte një portret ideal i Skënderbeut i sjellë në skenën operistike?
-Ai duhet të shfaqet edhe strateg edhe një figurë që i drejtohet popullit të tij si një hero kombëtar, por edhe karizmatik. Tenori amerikan Roy Stevens ka bërë një interpretimi të mirë gjatë provave. Doja që edhe publiku shqiptar ta ndjente, jo vetëm këngën, por edhe figurën si Skënderbe të Stevens-it. Mendoj se kjo u arrit mbrëmë.

Duke pare premierën, mendoni se artistët e kanë justifikuar punën që keni bërë me ta?
-Artistët janë impenjuar dhe secili sipas karakterit te tyre kane dhëne më të mirën e tyre për të interpretuar rolet që kanë mësuar.

Si i keni përjetuar reagimet e publikut pas premierës?
- Publikun e gjeta të vëmendshëm dhe mendoj që në fund ai reagoi mirë. Në të gjithë boten publiku i premierës është më i ftohtë, më i përmbajtur, por mbrëmë pak nga pak ai u kthye në publik shpërthyes. Ky sukses erdhi falë Skënderbeut dhe gjithë artistëve e komponentëve të tjerë të spektaklit.

A kishte artistë që u dalluan në veçanti për interpretimin skenik?
- Sigurisht. Ishte tenori amerikan që solli një eksperiencë dhe një peshë skenike plot intensitet dhe nëse do të më duhej të përmendja dy artistë të premierës që më kanë goditur për kapacitetin e tyre autorial janë Armando Likaj (Francescu), që është një aktor i shkëlqyer dhe Irida Dragoti (Jerina) që ka shumë vitalitet në skenë. Duhet të falënderoj grupin e prijësve dhe këtu Pandush Koko e Sokol Tomorri, që janë shumë bindës në rolet e tyre. Gjithmonë flas për artistët që interpretuan natën e parë.

Në teatrin e Operës në Tiranë keni ardhur disa herë, çfarë ishte ndryshe kësaj radhe?
- Është duke përfunduar lulishtja që rrethon teatrin në pjesën e pasme që rrethon teqenë (kështu ma kanë shpjeguar atë ndërtesën pas TKOB-it) dhe shpresoj që herën tjetër që do të vij të gjej të ndërtuara edhe trotuaret. Kështu rruga për të gjithë do të jetë më e lehtë.
(Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’