Numri dy i tenisit në botë, Carlos Alcaraz, ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në Wimbledon 2026, për shkak të një dëmtimi që po e pengon rikthimin e tij në fushë. Në një postim në kanalet e komunikimit, tenisti spanjoll bëri të ditur se, megjithëse rikuperimi po shkon në drejtimin e duhur, ai ende nuk është gati për konkurrim.

“Rikuperimi im po ecën mirë dhe ndihem shumë më mirë, por për fat të keq nuk jam gati të garoj ende, prandaj duhet të tërhiqem nga turnetë në Queen’s dhe Wimbledon. Këto janë dy turne shumë të veçantë për mua dhe do të më mungojnë shumë”, shkroi ai.

Problemi qëndron në një dëmtim në kyçin e djathtë, i cili u shfaq gjatë turneut të Barcelona Open në mesin e prillit. Fillimisht i konsideruar si një shqetësim i lehtë, dëmtimi rezultoi më serioz nga sa pritej, duke vonuar rikthimin e tij në fushat e tenisit.

Si pasojë, Alcaraz do të mungojë në disa prej turneve më të rëndësishëm të sezonit, përfshirë: Madrid Open, Italian Open, French Open dhe Wimbledon.

Objektivi i Alcaraz mbetet rikuperimi i plotë dhe rikthimi në formën më të mirë të mundshme. Ekipi i tij ka konfirmuar se stërvitja do të vazhdojë me intensitet të kontrolluar, për të shmangur komplikime të mëtejshme.

Kështu, numrit një të botës në tenis, Jannik Sinner, i mbetet rruga e hapur për të mbetur sërish në fronin e Wimbledon, pasi verën e shkuar mposhti Alcarazin në finale.